Home Extra 10 strategjitë e manipulimit me anë të medias

10 strategjitë e manipulimit me anë të medias

481
0

10 strategjite e manipulimitGjuhëtari e filozofi amerikan, studiuesi “gjeni” i teorisë së gjuhësisë së shekullit XX, Noam Chomsky, ka përpunuar së fundmi listën e 10 strategjive të manipulimit me anë të masmedias, dhjetë rregulla të magjishme, konfuze në perceptimin e tyre, që përziejnë realitetin me iluzionin, gënjeshtrën me të vërtetën.

Mendimi i tij i është drejtuar masmedias si skena e vetme ku interpretojnë rolet pushteti e populli. Dhjetë strategjitë e Chomskyt nuk ndalen veç ndaj politikës, por gjen tek to gjurmë evidente të zgjidhjes së “problemeve” të krizës ekonomike, të shërbimit strategjik e “gradual” të dokumenteve të Wikileaks, “të skandaleve” të shumta në momentet më të papërshtatshme, “të rrëfimeve private” në kulmin e kritikës mediatike. “Globalizimi nuk është një fenomen natyral, por politik, i konceptuar për të arritur objektiva të përcaktuara mirë”, – shprehet Chomsky duke u kritikuar shpesh për teoritë e tij. Me një impenjim të fortë në analizën e mendimit politik të kohës, Chomsky ka denoncuar instrumentalizimin total të mjeteve të informacionit në duart e pushteteve lobiste ekonomike dhe ka evidentuar shpesh me informacione të dokumentuara konformizmin e mërzitshëm të medias. Me gjithë kritikat e skepticizmin e tij ndaj mjeteve të informacionit, çdo organ i tyre shfaq ndaj studiuesit një konsiderim e stimë të respektueshme. “New York Times” shkruan: “Ka arsye të konsiderueshme për të menduar se Chomsky është intelektuali më i rëndësishëm aktualisht mbi tokë”; “The Nation”: “Chomsky është një burim i pashtershëm diturie”; “The Guardian”: “Së bashku me Marks, Shakespeare e Biblën është midis dhjetë burimeve më të cituara në historinë e kulturës”.

“Idealja për sistemin aktual botëror është një individ përballë televizionit që nuk komunikon me askënd e që lejon që truri t’i shtrydhet nga TV-ja. Në rast se individi nis të komunikojë, mund të bëhet i rrezikshëm, rikuperon humanizmin e tij, sensin e tij kritik, aftësinë për të ndërtuar alternativa”, – shkruan Chomsky, përherë kritik ndaj politikës e ndaj tërë mënyrës së ndërtimit të sistemit botëror.

 

1-Devijimi i vëmendjes.

Element kryesor i kontrollit social është strategjia e shpërqendrimit që konsiston në shmangien e vëmendjes së publikut nga problemet e rëndësishme dhe vendimmarrja e elitës politike, përmes përdorimit të teknikës së ofrimit të bollshëm të informacioneve të parëndësishme. Strategjia e shmangies së vëmendjes është thelbësore për të parandaluar interesin publik ndaj njohurive kyçe në fushën e shkencës, ekonomiksit, psikologjisë, neurobiologjisë dhe kibernetikës.

“Shmangia e vëmendjes publike nga problemet e vërteta shoqërore duke i robëruar njerëzit pas çështjeve të parëndësishme. Mbajeni publikun të urtë, urtë, urtë, pa i lënë kohë të mendojë. Bëjeni të mendojë vetëm për fermën dhe kafshët e tij.” (shkëputur nga Armë të Heshtura për Luftëra të Pazhurmshme)

2. Krijoni probleme, pastaj ofroni zgjidhje

Kjo metodë njihet edhe si “problem-reagim-zgjidhje.”

Fillimisht krijojmë një problem, një “shqetësim” që duhet të shkaktojë reagimin e audiencës. Ky është hapi i parë që publiku duhet të pranojë.

Për shembull: toleroni intensifikimin e dhunës urbane, ose improvizoni disa sulme të përgjakshme në mënyrë që publiku të pranojë masat ligjore dhe politikat që kufizojnë liritë qytetare. Ose krijoni një krizë ekonomike për të bindur publikun se kufizimi i të drejtave shoqërore dhe shërbimeve publike është i domosdoshëm.

3. Strategjia graduale

Pranim në një shkallë të papranueshme. Thjesht aplikoji masat në mënyrë graduale, hap pas hapi për disa vite rresht.

Kjo është mënyra sesi kushtet e reja socio-ekonomike (neoliberalizmi) u imponua gjatë viteve 1980-1990.

* Minimizimi i shërbimeve të shtetit

* Privatizimet

* Pasiguria

* Fleksibiliteti

* Papunësia masive

* Pagat

* Mosgarantimi i të ardhurave minimale

…kaq shumë ndryshime sa mund të kishin shkaktuar revolucion nëse do të ishin zbatuar njëherazi.

4. Strategjia e shtyrjes

Një tjetër mënyrë për të imponuar një vendim jopopullor është ta prezantosh si “të dhimbshëm por të domosdoshëm”, duke fituar pranimin e publikut në mënyrë që ta realizosh në një kohë të mëvonshme.

Është më e lehtë të pranosh një sakrificë në të ardhmen, se një kasaphanë të menjëhershme.

* Pikësëpari sepse sforcimi nuk është i menjëhershëm.

* Së dyti, sepse publiku, masat, kanë gjithmonë prirjen të pranojnë në mënyrë naive se “gjithçka do të jetë më mirë nesër” dhe se sakrifica e domosdoshme mund të shmanget.

Kjo i jep kohë publikut të mësohet me idenë e ndryshimit dhe ta pranojë pasivisht kur të vijë koha.

5. Trajtoje publikun si një vogëlush

Shumica e reklamava që i drejtohen publikut të zakonshëm kanë ligjërim, argumente, personazhe dhe veçanërisht intonacion fëmijësh, shpesh me zë të dobët, thuaj se spektatori është fëmijë ose me të meta mendore.

Sa më shumë që dikush përpiqet të mashtrojë, aq më shumë priret të përdorë tone fëminore. Pse? Nëse dikush i drejtohet një personi sikur të ishte 12 vjeç ose më i vogël, atëherë, për shkak të efektit sugjestionues, me shumë mundësi përgjigjja ose reagimi do te jetë e zhveshur nga kritika, njësoj si reagimi i një 12 vjeçari.

6. Luani me emocionet duke mos lënë hapsirë për mendimet

Përdorimi i aspektit emocional është teknika klasike pë të shkaktuar qark të shkurtër në një analizë racionale, dhe përfundimisht në sensin kritik të individit.

Më tej akoma, përdorimi i regjistrit emocional për t’i hapur derën të pandërgjegjshmes përmes implementimit të ideve të shartuara, dëshirave, frikërave dhe ankthit, shtrëngimeve dhe sjelljeve të provokuara.

7. Zhyteni publikun në injorancë dhe mediokritet

Ta paaftësosh publikun për të kuptuar metodat dhe teknikat e pëdorura për ta kontrolluar dhe skllavëruar.

“Cilësia e edukimit që iu ofrohet klasave të ulëta shoqërore, duhet të jetë sa më e mjerë dhe mediokre në mënyrë që hendeku i injorancës që ajo krijon mes klasave të ulëta dhe atyre të larta të mbetet i pakalueshëm për klasat e ulëta.” (Armë të Heshtura për Luftëra të Pazhurmshme)

8. Të inkurajosh publikun të ndihet i kënaqur me mediokritetin

Nxiteni publikun të besojë se është në modë të jesh budalla, vulgar dhe i paedukuar…

9. Forconi ndjenjën e vetë-fajësisë

Bëjeni individin të fajësojë veten për gjendjen e tij, për shkak të inteligjencës së tij të dështuar, aftësive dhe përpjekjeve të pamjaftueshme.

Në këtë mënyrë, në vend që të rebelohet kundër sistemit ekonomik, individi zhvlerëson dhe fajëson veten, çka shkakton depresion, njëri nga efektet e të cilit është parandalimi i veprimit.

Dhe pa veprim nuk ka revolucion!

10. Përpiquni të njihni individët më mirë seç ata njohin vetveten

Gjatë 50 viteve të shkuara, përparimi i shkencave ka prodhuar një hendek në rritje mes njohjeve të publikut dhe atyre që zotërohen dhe shfrytëzohen nga elitat sunduese.

Falë biologjisë, neurobiologjisë dhe psikologjisë së zbatuar, “sistemi” ka arritur një njohje të sofistikuar të qenies njerëzore, si fizikisht po ashtu edhe psikologjikisht.

Sistemi e njeh njeriun e zakonshëm më mirë nga ç’ai njeh veten.

Kjo do të thotë që në të shumtën e rasteve, sistemi ushtron kontroll dhe pushtet më të madh mbi individët, sesa ç’ato ushtrojnë mbi veten.