Home Lajme Sport 11 shqiptaret qe luajne ne Serie A

11 shqiptaret qe luajne ne Serie A

334
0

shqiptaret ne serie aKush jane shqiptaret qe luajne ne kampionatin italian Seie A dhe sa paguhen shqiptaret ne kampionatin italian

Numërohen ende me gishta, por gjithsesi edhe aty ka “brumë” kuqezi. Bëhet fjalë për lojtarët shqiptarë që aktivizohen në Serinë A, një nga pesë kampionatet më të fortë në botë. Paçka se në pjesën më të madhe janë futbollistë që, për një mijë e një arsye, nuk kanë pranuar që të veshin fanellën e ekipit tonë përfaqësues, fakt është se kudo që të shkojnë, Ninis & CO do të identifikohen si: me prejardhje nga Shqipëria. Ndaj, në këtë kontekst, mbetet jo vetëm shqipfolës, por edhe me një lidhje historike, e pamohueshme me vendin tonë. Kështu pas Naim Kryeziut (Roma), Riza Lushtës (Juventus), Loro Boriçit (Lacio, Roma), Igli Tares (Breshia, Bolonja, Lacio), Ervin Skelës (Askoli) etj., tashmë janë Lorik Cana, Erjon Bogdani, Samir Ujkani dhe Migjen Basha, ata që mundohen të përfaqësojnë jo vetëm vetveten, por edhe ngjyrat e Kombëtares shqiptare. Dhe si për koincidencë, sot për sot janë plot 11 lojtarë shqiptarë, ose me orgjinë nga vende shqipfolëse që militojnë në Serinë A. Porta përfaqësohet nga Samir Ujkani, i cili është edhe lojtar që është aktivizuar më rregullisht nga të gjithë të tjerët me plot 1396 minuta lojë në 16 ndeshje (që të gjitha si titullar). Në mbrojtje është kapiteni i Shqipërisë, Lorik Cana, i cila në mjaft raste te Lacio ka luajtur sa në rolin e mesfushorit shkatërrues e sa në qendër të mbrojtjes, si në ndeshjen e fundit në Kupën e Italisë ndaj Sienës. Në të djathtë të këtij reparti është Valon Behrami, i cili më së shumti te Napoli luan në mesfushë, paçka se ka pasur një të shkuar si mbrojtës. Në krah të Canës, Shkodran Mustafi, lojtar ky që ka shprehur edhe dëshirën për të luajtur për Shqipërinë, por duke pasur pasaportë dhe shtetësi gjermane, e ka thuajse të pamundur, dhe në të majtë Paolo Sokoli. 18-vjeçari luan ende tek të rinjtë e Xhenovas. Në mesfushë luajnë Migjen Basha (Torino), Blerim Xhemaili (Napoli) dhe Përparim Hetemaj (Kievo), që të tre lojtarë gati stabël te skuadrat e tyre. E nëse dy të fundit luajnë me Zvicrën (Xhemaili) dhe Finlandën (Hetemaj), Basha disponon shtetësi shqiptare dhe mezi po pret thirrjen e parë me kuqezinjtë (më përpara duhet të marrë lejen nga FIFA, pasi ka luajtur një ndeshje me U- 21 të Zvicrës). Para “pykës”, Erjon Bogdani, i cili është edhe lojtari më pak i aktivizuar (vetëm 159 minuta), kjo natyrisht dhe për shkak të moshës (35 vjeç), janë dy shqiptarë puro, por që s’pranuan të luajnë për kuqezinjtë: Panajot (Gjergji) Kone dhe Sotir Nini. Nëse i pari te Bolonja po bën një sezon relativisht të mirë, i dyti, i konsideruar si një talent i dalë nga akademia e Panathinaikosit, ka dështuar totalisht. Sakaq, në pritje të ndonjë emri tjetër (përflitet për një afrim të Etrit Berishës te Bolonja dhe të Armando Sadikut te Siena, Katania etj) shpresohet që pjesa e dytë e sezonit të jetë më e frytshme për shqiptarët e Serisë A.

Rrogat, Lorik Cana “milioneri” i shqiptarëve
Duke qenë se vijnë nga një vend si Shqipëria, me një futboll jo edhe aq të zhvilluar, natyrisht që kjo gjë do të ndikojë edhe te xhepat e çdo lojtari, në rastin kur këta nënshkruajnë kontratat e tyre. Kështu, nga 11 shqiptarët e Serisë A, Lorik Cana është ai që e ka rrogën më të lartë. Kapiteni i Shqipërisë paguhet 1 milion e 700 mijë euro neto në sezon te skuadra e Lacios dhe është ndër lojtarët më të paguar. Vetëm Miroslav Klose (2.1 mln euro), Mauro Zarate (2.1 mln euro) dhe braziliani Hernanes (1.8 mln euro) paguhen më shumë sesa mbrojtësi kuqezi. Pas Canës, për sa i përket pagesës ndër lojtarët shqiptarë, vjen Valon Behrami. Mesfushori me tipare shkatërruese i Napolit (luan edhe si mbrojtës) paguhet 1 milion e 400 mijë euro neto në sezon. Edhe shqiptaro-zvicerani është ndër më të paguarit e skuadrës napolitane, ndërsa 400 mijë euro më pak, pra 1 milion euro është rroga sezonale e Blerim Xhemailit. Tetovari u largua nga Parma para dy sezonesh, pikërisht për ofertën më të mirë që mori nga presidenti i Napolit, De Laurentis. Pas treshes së podiumit, në distancë të madhe vijnë Sotiris Ninis (Parma) me 480 mijë euro në sezon, Panajot Kone (Bolonja) me 380 mijë euro, Samir Ujkani (Palermo), i cili në bazë të kontratës së re të firmosur në fillim të këtij sezoni përfiton 350 mijë uro (270 mijë euro më shumë sesa te Novara), Migjen Basha (Torino) e Përparim Hetemaj (Kievo) me nga 300 mijë euro secili, Erjon Bogdani (Siena) me 250 mijë euro dhe Shkodran Mustafi (Sampdoria) me 200 mijë euro. Madje ky i fundit është ndër më pak të paguarit te Sampdoria. Vetëm Falkone (100 mijë euro) merr më pak se mbrojtësi shqiptar me pasaportë gjermane. Ndërkohë, nuk ka të dhënë ende për Paolo Sokolin (Xhenoa), pasi mbrojtësi luan ende pjesën më të madhe të kohës me skuadrën e të rinjve.
LEONARD KARAJ