Portugezi dëmtohet në Majorkë dhe do të qëndrojë për tri javë pushim. Humbet eliminatoret e Euro 2012…
Futbollisti i Realit të Madridit, Kristiano Ronaldo, do të qëndrojë për rreth tri javë larg fushave të lojës, si pasojë e një dëmtimi në kavilje, bëri të ditur dje klubi spanjoll. 25-vjeçari u dëmtua gjatë ndeshjes së luajtur të dielën në mbrëmje ku Reali i Madridit barazoi 0-0 ndaj Majorkës. Menjëherë pas ndeshjes ai ndjeu dhimbje dhe testet e bëra dje në mëngjes treguan për shkallën e dëmtimit.
Sipas mjekëve të Realit, Ronaldo do të jetë sërish në dispozicion të trajnerit Hoze Mourinjo, pas rreth 20 ditësh, në fund të muajit shtator. Në këtë mënyrë ai do të humbasë dy eliminatoret me kombëtaren e Portugalisë, ndaj Qipros dhe Norvegjisë si dhe nuk do të jetë i pranishëm në ndeshjen e parë të Realit në Ligën e Kampioneve, ndaj Ajaksit.
Ai nuk do të luajë as në ndeshjen e kampionatit ndaj Osasunës. Reali nuk arriti të fitojë në Majorkë dhe dëmtimi i Ronaldos është një problem shtesë për Mourinjon. Kristiano Ronaldo, i cili theu rekordin e transferimeve gjatë verës së kaluar kur la Mançesterin për Realin, vuajti nga një dëmtim i ngjashëm edhe në fillimin e sezonit të kaluar, kur mungoi për dy muaj.
Gjithsesi, mjekët garantojnë se kësaj radhe dëmtimi është më i lehtë dhe Kristiano do të ketë mundësinë të rikthehet në ndeshjen e dytë për fazën me grupe të Ligës së Kampioneve, ndaj Okserit. Faktikisht kjo është e njëjta kavilje që e ka shqetësuar te Mançesteri dhe e ka detyruar të operohej kur luante me Sportingun e Lisbonës në hapat e parë të karrierës.
http://www.sportishqiptar.com.al/20-dite-stop-per-kristiano-ronaldon/