Home Aktualitet 3000 persona tentuan vetevrasjen brenda vitit ne Shqiperi

3000 persona tentuan vetevrasjen brenda vitit ne Shqiperi

443
0

vetevrasjet ne shqiperiShifrat janë alarmante. Brenda një viti, rreth 3000 persona kanë tentuar t’i japin fund jetës. Rreth 4000 të tjerë janë paraqitur në urgjencë në gjendje mjaft të rënduar shëndetësore. Diagnoza që u vendoset në spital është: helmim akut ose mbidozë. Për specialistët e Qendrës së Toksikologjisë në spitalin “Nënë Tereza”, këto statistika janë vetëm maja e ajsbergut.

Janë me dhjetëra rastet që nuk mbërrijnë gjallë në spital, apo edhe nëse ia dalin, nuk preferojnë të marrin trajtim të mirëfilltë mjekësor. Ndryshe nga vendet e tjera të Bashkimit Europian, te ne tipologjia e vetëvrasjeve është tjetër. Predominojnë helmimet me pesticide si fostoksina, nga të cilat vdekshmëria është tepër e lartë.

Depresioni, sipas mjekëve, nuk renditet i pari në listën e shkaqeve. Përkundrazi, vetëvrasjet janë tentativa si reagim i stresit akut ose, siç e quajnë mjekët, mllefit të momentit pas një situate me ngarkesë të fortë emocionale. Në intervistën e tij për “Panorama”, shefi i Qendrës së Toksikologjisë në QSUT, Profesor Zihni Sulaj, ngre alarmin për një rritje të frikshme të tentativave për vetëvrasje, sidomos te moshat e reja.

“Toksikologjia është zhvendosur në QSU që prej muajit mars. Gjatë këtij harku kohor janë paraqitur 6500-7000 raste. Kryesisht janë diagnoza me helmim akut ose mbidozë. Problemet më madhore janë në lidhje me alkoolin dhe drogat, që zënë mbi 60% të rasteve. Pastaj vijnë overdozat me preparate medikamentoze, kemi pasur rreth 1500. Të tretat renditen agrokimikatet, që përdoren për qëllime bujqësore. Pastaj vijnë helmimet aksidentale me acide, detergjente, kafshimet nga merimangat dhe gjarpërinjtë”- thote ai.