Të agjërosh do të thotë të kujdesesh edhe për organizmin tënd. Pavarësisht se gjatë këtij muaji privohesh nga e drejta për të ngrënë dhe për të pirë kur e ndjen të nevojshme, besimtarët thonë se kjo i bën mirë trupit duke e pastruar atë, ndërkohë që një dietë e tillë pranohet dhe nga vetë mjekët si pastrim i organizmit , por natyrisht duke zbatuar të gjitha këshillat, pasi jo të gjithë mund ta përballojnë atë. Një nga rregullat e agjërimit është të jesh i shëndetshëm.
“Të gjitha akumulimet që mund të ketë stomaku prej problemet prej mikrobeve apo helmet që mund të ketë edhe në trup, jo vetëm në stomak, në zorrë apo pjesë të tjera të trupit, të gjitha këto me muajin e agjërimit treten dhe zhduken, ndikon për mirë në tensionin e gjakut”-thotë Ahmet Kalaja , imam i xhamisë “Dine Hoxha” në Tiranë.
Sot të gjithë besimtarët muslimanë kanë nisur këtë muaj të shenjtë. Në xhamitë e tiranës ka patur besimitarë të grupmoshave të ndryshme të cilët kanë kryer ritin kryesor atë të faljes. Më të moshuarit na treguan se si për vite me radhë muaji i agjërimit gjatë rregjimit komunist ishte i ndaluar, por feja që ata i përkisnin i detyroi të përballonin cdo lloj sakrifice shprehen ata.
“Nuk mund ta ndiznim dritën kur hanim syfyr. Nëpër shtëpi faleshim. Të gjithë e bënim këtë”-thotë një i moshuar.
Nga muaji i Ramazanit përjashtohen fëmijët, por pavarsisht këtij rregulli, ka dhe nga ata që kanë nisur të agjërojnë.
Edlira Sulejmani: “Ti ke filluar të agjërosh sot?”
“Po. Kam agjëruar edhe më parë, por jo të gjithë muajin”-thotë një fëmijë.
Edlira Sulejmani: “Po këtë vit do të agjërosh gjithë muajin?”
“Shpresoj që po”-shprehet ai.
Muaji i Ramazanit përfundon në datën 30 gusht, atëherë kur të gjithë besimtarët do të festojnë Fitër Bajramin.
Edlira Sulejmani