Mjekët, infermierët, mësuesit dhe administrata nuk kanë marrë shtesën në pagë të miratuar një muaj më parë.Këtë e pranojnë vetë ata, por edhe burime të sigurta nga ministritë e linjës. Zyrtarisht, argumenti që morëm nga këto dikastere është se nuk është zbardhur vendimi dhe nuk është botuar në Fletoren Zyrtare. Por, ndërkaq, sipas burimeve të sigurta nga Ministria e Financave, bëhet me dije se arsyeja reale është rishikimi i strukturës së administratës. Financat duket se “qëllimisht” po zvarrisin zbardhjen e vendimit në mënyrë që me strukturën e re të kursejnë një sasi të konsiderueshme parash në buxhet. “Po rishikohen një sërë pozicionesh, të cilat do të shkrihen, ose sektorë që do të bashkohen. Po kështu po rishikohet edhe skema e shpërblimeve. Vendimi do të publikohet vetëm pasi të jetë mbyllur ky proces. Puna është drejt fundit”, sqaruan burimet.
Një grup i posaçëm në Ministrinë e Financave po merret me disiplinimin e fondit të pagave. Qeveria do të përfshijë në reformë shpenzimet e personelit që kanë lidhje me pagat. Sipas Ministrisë së Financave, kjo reformë po bëhet për t’u vënë fre abuzimeve me fondin e pagave, që buxheti vë në dispozicion të institucioneve. “Një nga propozimet për forcimin e disiplinës në këtë fushë është përfshirja e numrit të punonjësve për çdo ministri dhe institucion qendror në ligjin e buxhetit të vitit 2011, për herë të parë”, kanë sqaruar specialistët e Ministrisë së Financave. Kjo masë është reflektuar tashmë. Sipas dikasterit të Bodes, analiza e grupeve kryesore të shpenzimeve ka konkluduar në faktin se, pas reduktimit të ndjeshëm të shpenzimeve në zërat e tjerë, si ata administrativë, subvencione, kosto e personelit, duhet t’i nënshtrohet një analize të thellë, shoqëruar me një reformë në sistemin e strukturave, organikave dhe të pagave. Kjo analizë është reflektuar tashmë praktikisht. Gjithsesi, fill pas përfundimit të draftit final, të gjithë arsimtarët, mjekët dhe administrata do të përfitojnë shtesën në pagë me efekte financiare që shtrihen që nga 1 korriku i vitit 2011. Nga sa ka deklaruar vetë kreu i qeverisë, politika e rritjes së pagave do të vazhdojë edhe për këtë vit dhe do të konsistojë në një politikë të kujdesshme indeksimi dhe rritje selektive për sektorët prioritarë. Shtesat do të jenë nga 4%-6%. Nga 3 miliardë lekë të rezervuara në vitet e shkuara për rritjen e pagave te zëri i kontingjencave në tre vitet në vazhdim, deri më 2013-n, fondi do të jetë vetëm 1.5 miliardë lekë, duke shërbyer vetëm për një indeksim. Edhe pas rishikimit të projektbuxhetit shtesë për të gjetur burime të reja për rritjen e pagave,ajo do të jetë me e ulët se ajo e vitit të kaluar.
Sa parashikohet të jetë rritja e pagave
Indeksim
Për pagat e larta
4% shtesë
Për pagat mesatare
6% shtesë
Për pagat e ulëta
6% shtesë
Për mësuesit dhe mjekët
4% shtesë
Për pensionet e qytetit
7% shtesë
Për pensionet e fshatit
ZIRINA LLAMBRO