Home Aktualitet Arrestohet oficeri i Gardës, akuzohet se ka qëlluar mbi Ziver Veizin

Arrestohet oficeri i Gardës, akuzohet se ka qëlluar mbi Ziver Veizin

437
0

TIRANË- Arrestohet oficeri që akuzohet se ka qëlluar mbi demonstruesin Ziver Veizi, që vdiq gjatë demonstratës së 21 janarit. Ndalimi i oficerit Agim Llupo, mësohet se është bërë me urdhër të Prokurorisë, pas ekspertizës së bërë që nxori llojin e armës që i mori jetën demonstruesit nga Gjirokastra.

Arrestimi i tij, sipas të dhënave paraprake është mbështetur në analizën balistike të armës tip automatik, plumbi i nxjerrë nga e cila vrau Veizin.

Pak dite me pare “Panorama” publikoi lajmin se predha e gjetur në trupin e Ziver Veizit është konstatuar se ka dëmtime të mëdha çka tregon se ajo është ndeshur me një mjet apo send të fortë, para se të godiste viktimën nga Gjirokastra. Shenjat e përplasjes, sipas hetuesve, duken qartë në predhën e cila më pas ka përfunduar në trupin e demonstruesit. Burimet nga organi i akuzës, kanë pohuar gjithashtu se predha në fjalë përputhet me një prej armëve të përdorura ditën e ngjarjes nga efektivat e Gardës së Republikës.

“Bëhet fjalë për një predhë 9mm që i përket një automatiku të modelit turk MP5, që është përdorur nga Garda e Republikës”, pohuan burimet nga organi i akuzës. Sipas tyre, pas përgjigjes së analizave balistike të predhës dhe përputhjes së tyre me armën e një prej efektivave të Gardës, tashmë hetimi do të përqendrohet në zbulimin e personit që ka pasur në zotërim automatikun në fjalë. Për këtë shkak, bazuar në numrin e serisë së armës që përputhet me predhën e gjetur tek viktima, Prokuroria do të kontrollojë regjistrat e shërbimit të Gardës së Republikës.

Nga ky verifikim, duket se eshte sqaruar se cili prej efektivave të Gardës e ka pasur në përdorim armën nga e cila ka dalë predha që shkaktoi vdekjen e Ziver Veizit. Pas këtij verifikimi, Prokuroria pohoi se do të bëhet një qartësim i zonës në të cilën ka qenë i vendosur efektivi që mbante armën në fjalë për të saktësuar momentin e vrasjes, në raport me zonën ku ndodhej Ziver Veizi në momentin që u godit nga plumbi.