Pasi permbushi misionin per te lidhur Afriken me Evropen, avioni me energji diellore perfundoi fluturimin e pare nderkontinental duke mos perdorur asnje pike karburant. Avioni u ul dje pasdite ne bazen e tij ne Zvicer. Avioni quhet “Impulsi diellor”. Mjeti diellor i transportit ajror, që përmban 12 mijë qeliza diellore, fluturimin e tij të parë e realizoi dy vjet më parë. Falë katër baterive të litiumit dhe energjisë së akumuluar, avioni mund të fluturojë edhe natën.
Projekti për avionin diellor i quajtur “Impulsi Solar” filloi në vitin 2003 me një buxhet prej 90 milionë eurosh të llogaritura për dhjetë vjet. Në të janë përfshirë inxhinierë nga Zvicra dhe Belgjika. Krahët e avionit kanë një gjatësi prej 61 metrash, pra thuajse sa të një avioni Airbus A340. Kurse kabina e pilotëve nuk është më e madhe se ajo e një avioni të zakonshëm që punon me energjinë e erës. E gjitha të kujton një lakuriq nate trupvogël, por me krahë gjigante. Avioni është ndërtuar nga materialet kompozite dhe fibrat e karbonit dhe është i rëndë 1.600 kilogram. Aeroplani diellor është vështirë të kontrollohet në mot me turbulenca.
Piloti i cili e drejtonte këtë avion, Andre Bosheberg është edhe bashkë-themelues i projektit “Impulsi Solar”. Pasi lëviz me një shpejtësi mesatare prej 70 kilometrash në orë, aeroplanët diellore nuk paraqesin një kërcënim për avionët komercial që mund të tejkalojnë shpejtësinë e tyre edhe për dhjetë herë. Sfida më e madhe e themeluesit të projektit “ Impulsi Solar” është që aeroplani që punon me energjinë diellore të bëhet pjesë e trafikut komercial ajror. Vitin e kaluar, aeroplani arriti të ulet në aeroportet në Bruksel dhe Paris. Me përdorimin e këtyre avionëve që punojnë me energjinë diellore do të kursehet karburant, e që është më e rëndësishme, ata janë më ekologjik.