Home Aktualitet Azem Hajdari, të gjitha detajet e vrasjes së shekullit

Azem Hajdari, të gjitha detajet e vrasjes së shekullit

648
0

12 vjet më pas/ Nga konfliktet e para në Tropojë për trafikun e armëve, te plani i ekzekutimit të deputetit Azem Hajdari dhe truprojës së tij nga një grup i organizuar, pjesa më e madhe e të cilëve, me uniforma policie

Vrasjet e politikanëve të rëndësishëm, kaherë janë shoqëruar prej ngjarjeve të bujshme, mungesës së stabilitetit, anarkisë. Kështu ndodhi edhe me vrasjen e Azem Hajdarit, një politikan mjaft popullor, udhëheqës i Lëvizjes Studentore të Dhjetorit 1990. Në dy ditët që pasuan vrasjen e tij, Tirana u përfshi në një kaos të tmerrshëm, kur shteti pothuaj pushoi së ekzistuari. Por cila ishte situata politike, që i parapriu vrasjes së Azemit? Që nga plagosja e parë në Kuvend nga deputeti socialist Gafur Mazreku, më 18 shtator 1997, Partia Demokratike kishte nisur protestat e përditshme në sheshin “Skënderbej”. E si të mos mjaftonte kjo, në gushtin e nxehtë të vitit 1998, situata politike arriti kulmin e saj të parë. Arrestimi i “të gjashtëve” ishte pika e parë e acarimit të dukshëm politik të asaj kohe. Partia Demokratike, e dalë në opozitë nga zgjedhjet e kontestuara të 29 qershorit 1997, me një grup kuvendor minimal që nuk i arrinte të 30 vetët, në një Kuvend me 155 deputetë, dukej që kishte si rrugë të vetme të qëndresës politike protestën e rrugës. Në pranga kishin rënë ish-ministri i Brendshëm, Halit Shamata; ish-ministri i Mbrojtjes, Safet Zhulali; dhe ish-kryetari Shërbimit të Kontrollit të Shtetit, Blerim Çela; si dhe 3 ushtarakë të strukturave të forcave të armatosura, Bujar Rama, Sokol Mulosmani dhe Kreshnik Lusha. Vendi ishte përfshirë në mitingje të përditshme të opozitës, ndërsa fundi i kësaj situate dukej ende i paqartë. Nga ana tjetër, qindra e qindra armë të lehta e të rënda ishin të duart të grupeve kriminale apo edhe të njerëzve të thjeshtë. Azem Hajdari ishte një politikan që ishte mësuar të përballej me rrezikun. Në zgjedhjet e 29 qershorit 1997, ai do të mandatohej për herë të fundit deputet i Tropojës, ndërsa pozitat më të forta në atë zonë do t’i zinin pas këtyre zgjedhjeve djemtë e Muharrem Haklajt, të deklaruar si mbështetës të së majtës. Kësisoj, pas qershorit 1997, në Tropojë fillon të vendoset dominimi i Haklajve. Në komisariatin e policisë së Bajram Currit ata marrin poste drejtuese, ndërsa jo pa leverdi ishte edhe çështja e trafikut të armëve që zhvillohej në zonën kufitare. Haklajt mbështesnin UÇK-në, ndërsa grupi rival i tyre mbështeste FARK-un e kryeministrit Bujar Bukoshi. Në janarin e vitin 1998, një intrigë e thurur bukur shënjoi vrasjet e para në Tropojë dhe fillimin e një gjakmarrjeje, që nuk dihej se ku do ndalej. Në një gjendje kur precedenti kriminal nuk përbënte mohim për të qenë polic, Azem Hajdari do të denonconte në Kuvendin Popullor, në shkurt 1998, shefin e policisë së Tropojës për vrasjet e atjeshme. Konflikti acarohet së tepërmi. Karakteri impulsiv i Azem Hajdarit si dhe hapësira kriminale që kishin krijuar njerëzit me uniformë në Tropojë e bënin të pashmangshme një përgjakje të mundshme. Këtë e tregoi edhe prita e 3 qershorit 1998 në Bajram Curri, e kryer nga i njëjti grup që më vonë do të organizonte ekzekutimin e tij.

12 shtatori 1998

I gjithë grupi që kishte planifikuar të vriste Azem Hajdarin, i drejtuar nga Fatmir Haklaj është nisur me makina policie drejt Tiranës, pasi kanë vëzhguar për disa ditë me radhë veprimet dhe lëvizjet e deputetit. Plani filloi të vihej në jetë më 10 shtator 1998 në mbrëmje, kur Jaho Mulosmani, Fatmir Haklaj, Feriz Kërnaja, Ismet Haxhia dhe persona të tjerë, punonjës në komisariatin e Tropojës janë nisur drejt Tiranës. Në mëngjes, grupi ka ndaluar në shtëpinë e Naim Çangut, në Nikël të Krujës, ku pasi ka pirë një kafe, është nisur bashkë me të zotin e shtëpisë drejt Tiranës. Por para këtij rrugëtimi të grupit organizator, në Tiranë kishin zbarkuar një numër i madh njerëzish nga Tropoja. Sipas të dhënave të kohës, grupi ka qenë i shpërndarë në disa “baza” në Tiranë. Koka e grupit, e përbërë nga Jaho Mulosmani, Fatmir Haklaj, Feriz Kërnaja ka hyrë në Tiranë rreth orës 10.00 të datës 11 shtator. Në mbrëmje ata kanë fjetur në hotel “Arbana”. Ndërsa më 12 shtator 1998, në orët e mëngjesit, grupi është mbledhur në kodrat e Liqenit Artificial në Tiranë. Në drekë, në një lokal pas Kishës Ortodokse ishin grumbulluar rreth 80 – 100 vetë, shumica të armatosur. Një dëshmitar pohonte se ka parë aty vëllezërit Haklaj, vëllezërit Haxhia dhe Jaho Mulosmanin, të cilin e identifikon të veshur me rroba “specialësh”. Kanë qëndruar aty deri në orët e pasdites. Rreth orës 20.00, i quajturi Astrit Muldaka ka siguruar makinën tip Mercedes-Benz, me targë VL 0646 B, e cila ishte e shtetasit Ferdinand Lame. Kjo makinë u mor nga Muldaka, me kërkesë të Halil Haklajt. Pas sigurimit edhe të këtij mjeti, grupi rreth orës 20.00 ka lëvizur nga pika e takimit në Kodrat e Liqenit drejt qendrës së kryeqytetit. Autokolona përbëhej nga dy furgona policie tip “IVEKO”, tri autovetura Mercerdes-Benz, Chrysler-i i Muldakës dhe një Audi.

Ekzekutimi i Azem Hajdarit

Ndalesa e parë ka qenë në Pallatin e Kulturës. Pas një qëndrimi të shkurtër, është bërë lëvizja për në vendin e atentatit. Në lëvizje është afruar edhe fuoristrada. Në orën 21.00, S.S., shoferi i Azem Hajdarit, me porosi të Azemit ka dalë për të verifikuar një fuoristrade të kuqe, që po qëndronte para selisë së PD-së. Po në këtë kohë ishin pozicionuar makinat që do merrnin pjesë në krim. Afër selisë së PD-së ishin rreshtuar në kahe të kundërta Mercedes-Benzi me targa të Vlorës dhe fuoristrada me targa të huaja. Në Mercedes ndodhej në timon një njeri me mjekër dhe me kapele. Në krah të tij ndodhej Feriz Kërnaja. Në vendet e pasme ndodheshin dy vetë. Nga krahu i shoferit, Jaho Mulosmani dhe nga krahu i Ferizit ndodhej Fatmir Haklaj. Naim Çangu, në momentet e atentatit është verifikuar të ketë qenë pranë fuoristradës. Një “IVEKO” e policisë ka qëndruar te busti i Fan Nolit dhe sipas dëshmisë së Astrit Muldakës në gjyq, ishte nën komandën e Isamedin Haxhisë, ndërsa tjetra afër “Partizanit”. Makina e Muldakës ka qenë afër godinës ku ka qenë selia e gazetës “RD”. Grupe të tjera makinash kanë qenë në një rreze me të largët, në krahasim me ato të ndodhura afër krimit. Ky ka qenë konfigurimi i vërejtur para ndodhjes së ngjarjes. Dëshmitarët e kohës pohonin të gjithë se Azem Hajdari ka dalë i vetëm nga selia e PD-së, ndërsa të dy rojet e tij ndodheshin në lokalin përballë. Pasi kanë parë Azemin, ata janë ngritur e Besim Çera është vendosur në krah të djathtë, ndërsa në krah të majtë, pak në largësi Zenel Neza. Drejtimi i lëvizjes së Azemit ka qenë makina tip Benz me targa të Vlorës. Sipas një dëshmitareje, makina me targa të Vlorës, para daljes së Azemit nga selia, lëvizte jo më shumë se 20 metra nga vendi ku ishte stacionuar. Dëshmitarja thotë gjithashtu se Azemi sapo kishte mbaruar një bisedë telefonike, kur doli nga selia e PD-së. Në vazhdim, ajo thotë se Azemi u drejtua te makina tip Benz me targa të Vlorës dhe vuri njërën këmbë te bordura e trotuarit. Sipas dëshmitares, nga dera e makinës ka dalë një djalë i shëndoshë, i cili është përplasur me Azemin. Në këtë moment, dëshmitarja ka arritur të dallojë zjarrin që u hap nga makina fuoristradë mbi Besim Çerën. Më vonë, ajo thotë se nga fuoristrada doli një djalë i ri, që “u mat të qëllonte, po ra përtokë, pasi e zuri gjaku”. Nga verifikimet e mëvonshme rezulton se personi i fuoristradës është Naim Çangu. Pasi Azemi është pozicionuar në trotuar nga e djathta e makinës me targa Vlore, ka dalë Feriz Kërnaja, të cilin dëshmitarët e shquajnë si njeriun e shëndoshë, të veshur me xhup apo xhakavento. Fakti që midis Azemit dhe Ferizit ka pasur një përplasje trup me trup, do të thotë që Ferizi armën e ka pasur në brez. Ai ka shtyrë Azemin në mënyrë që të kishte mundësi të nxirrte automatikun, që dyshohet të ketë qenë tip “Skorpion”, i cili realizon qitje me fishekë të kalibrit 9 mm. Pasi Kërnaja ka nxjerrë automatikun, drejt tij ka shkuar Besim Çera, në përpjekje për të mbrojtur Azem Hajdarin. Kërnaja ka vendosur tytën e automatikut të tij në anën e majtë, poshtë sqetullës së Besim Çerës. Në çastin që Kërnaja bëhet gati të shkrepë automatikun,drejt Besim Çerës qëllon me një plumb të vetëm nga prapa Naim Çangu, i cili ndodhej në këmbë, afër fundit të fuoristradës. Pas këtij çasti, Kërnaja realizon qitjen e parë mbi trupin e Besim Çerës. Pikërisht kjo qitje ka lënë shenja bloze në trup të Besimit. Pasi janë realizuar dy qitje të kundërta në trupin e Besim Çerës, kur ky i fundit ka qenë gati për të rënë në tokë ka qëlluar mbi të me një zjarr të fuqishëm Feriz Kërnaja, duke i shkaktuar Çerës edhe 6 plagë të tjera, të cilat i sollën vdekjen e menjëhershme. Njëkohësisht, breshëria e Kërnajës ka plagosur rëndë Naim Çangun, që ndodhej në një vijë të drejtë me Besim Çerën si dhe ka plagosur Azem Hajdarin në dorën e djathtë. Në këtë kohë dalin nga makina edhe Jaho Mulosmani (majtas prapa shoferit) dhe Fatmir Haklaj (djathtas). Ky i fundit nuk mund të realizonte qitje, pasi kishte përpara Feriz Kërnajën. Në drejtim të Azemit dhe truprojës tjetër Zenel Neza ka qëlluar Jaho Mulosmani. Objekti i zjarrit që ka lëshuar ky i fundit kundër Azem Hajdarit ka qenë nga mesi e lart, pasi kaq e lejonte pjesa e përparme e Benzit. Prania e Fatmir Haklajt në vendngjarje është ngatërruar nga dëshmitarët, të cilët i kanë dhënë atij rolin e Feriz Kërnajës. Megjithatë, janë deklaruar të gjitha karakteristikat fizike të atentatorit që ka qëlluar nga ai pozicion, të cilat përputhen me ato të Feriz Kërnajës. Pasi krimi është kryer, nga fuoristrada kanë dalë njerëz që kanë marrë të plagosurin Naim Çangu dhe e kanë futur në makinën tip Benz. Ndërkohë, nga fuoristrada tjetër në vendngjarje kanë ardhur pranë vendit të ngjarjes edhe persona të tjerë. Dy njerëzit që dolën nga fuoristrada afër krimit për të ndihmuar Naim Çangun, nga pakujdesia lanë në vendngjarje një kallashnikov dhe një pistoletë me silenciator, teksa u përpoqën të hipnin Çangun në makinë. Është provuar gjithashtu se makina me targa të Vlorës është nisur drejt Ministrisë së Rendit Publik me derë të hapur. Kjo do të thotë se pasi është futur Çangu në makinë, personi që e ka bërë një gjë të tillë, ka qenë kaq i hutuar sa nuk ka arritur as të mbyllë derën. Kjo do të thotë gjithashtu se Çangu ka qëndruar në sediljen e pasme me maksimumi një njeri tjetër, i cili ka qenë ai që e ka tërhequr Çangun brenda makinës. Izet Haxhia, vëlla i dy të dënuarve për ngjarjen ka qenë kontrollori i vendit të ngjarjes. Pas kryerjes së krimit, grupet e armatosura janë takuar te baza e tyre, te kafja e Rremës. Këtu është bërë rreshtimi i autokolonës për t’u nisur më pas drejt Veriut.