Në mesjavë luhet java e 5-të e Bundesligës. Bavarezët nuk kanë shënuar në tri ndeshjet e fundit
Bajerni i Mynihut, kampioni në fuqi i Bundesligës, dhe Shalke 04, që u rendit në vendin e dytë të sezonit të kaluar, kanë pasur vështirësi serioze gjatë këtij fillimkampionati. Bajerni, që do të luajë sot në fushën e Hofenheimit të vendit të dytë, nuk ka shënuar asnjë gol në tri ndeshjet e fundit të Bundesligës dhe kjo nuk ndodhte që nga viti 1997. Kjo ecuri i ka lënë bavarezët në vendin e nëntë me pesë pikë, shtatë më pak se kryesuesit e Maincit.
“Duhet të vazhdojmë në rrugën tonë, të luajmë ashtu si dimë dhe jam i bindur se goli nuk do të mungojë, – tha trajneri i Bajernit, Luis Van Gal. – Zhbllokimi i sulmuesve tanë është thjesht një çështje kohë.” Edhe në sezonin e kaluar, Bajerni grumbulloi vetëm pesë pikë në katër ndeshjet e para, por arriti të fitojë titullin, Kupën e Gjermanisë dhe të shkojë deri në finalen e Ligës së Kampioneve. Vjet, bavarezët kishin shënuar gjashtë gola në këtë periudhë, ndërsa sivjet kanë shënuar vetëm dy.
“Ne duhet të sigurojmë që fati të kthehet nga ana jonë,” – tha portieri i Bajernit, Hans Jorg But. Nga ana tjetër, Hofenheimi po kalon një moment të shkëlqyer forme, ka fituar tri ndeshjet e para dhe barazoi javën e kaluar ndaj K’lauternit. Ata kërkojnë shpagim ndaj Bajernit, të cilin nuk e kanë mundur asnjëherë në katër ndeshje të luajtura. “Nuk më intereson nëse do të jetë një ndeshje spektakolare, – tha trajneri i Hofenheimit, Ralf Rangnik.
– Mua më interesojnë vetëm pikët.” Ndërkohë, Shalke ka bërë fillimin më të dobët të sezonit në historinë me saj, pas humbjes 3-1 ndaj Dortmundit. “Kjo është dita ime më e keqe te Shalke, por edhe një nga më të këqijat gjatë karrierës në futboll, – tha trajneri i “bluve”, Feliks Magat. – Asnjëherë nuk e kisha nisur sezonin me katër humbje dhe këto disfata po lënë gjurmë. Skuadra ka filluar të ndihet e pasigurtë dhe asnjëherë nuk e prisja që të ndodhte kjo me futbollistët që kam në dispozicion.
” Shalke do të luajë nesër në Freiburg pa mbrojtësin Nikolas Plestan, i skualifikuar. Dy mbrojtës të tjerë, Kristian Pander dhe Kristof Metzelder janë gjithashtu të padisponueshëm. Mainci, kryesues i Bundesligës me pikë të plota, do të presë Këlnin, që barazoi me Bajernin në fundjavë. “Nuk e kemi përfunduar misionin tonë, – u shpreh trajneri i Maincit, Tomas Tushel. – Renditja nuk tregon asgjë.
Ne mund të luajmë edhe më mirë.” Sot, Hanoveri do të presë Verder Bremenin, një tjetër “gjigand” në krizë. Verderi u mund 2-0 nga Mainci në javën e kaluar dhe drejtori sportiv Klaus Allofs ka kërkuar një kthesë të menjëherëshme. Ekipi i drejtuar nga Tomas Shaf ka katër pikë, pas katër ndeshjeve të para.
“Duhet të reagojmë sepse ndeshja ndaj Maincit ishte më e keqja e Verderit në dekadën e fundit, – tha Allofs. – Fatmirësisht ndeshja tjetër është shumë afër dhe kemi mundësinë të harrojmë gjithçka.” Nesër do të luhen ndeshjet e tjera për javën e pestë të Bundesligës. Leverkuseni pret Frankfurtin, Kaizerslauterni shkon në Dortmund, Volfsburgu do të ketë përballë Hamburgun, ndërsa St.Pauli ndeshet me Borusian e Mynshengladbahut. Shtutgarti udhëton për në Nuremberg.
http://www.sportishqiptar.com.al/bajerni-ne-hofenheim-per-tu-zhbllokuar/