Fazat e reja të aplikimit për strehim, ministria e Punëve Publike jep detajet per kushtet për çdo familje
Veprimet që duhet të kryejnë të pastrehët në fazën e parë dhe të dytë. Kërkesat dhe dokumentet që duhet të dorëzojnë kandidatët. Mënyra që ndiqet në përzgjedhjen e aplikantëve
Të gjithë personat që duan të aplikojnë për banesë sociale do të mund ta përfitojnë atë pasi të jenë shpallur fitues në dy fazat e aplikimit. Konkretisht, qytetarët mund të aplikojnë për tu trajtuar me banesa sociale me qira, me bonus strehimi dhe banesa me kosto të ulët. Ministria e Punëve Publike shpall rregullat e reja dhe formularët e rinj të aplikimit. Familjarët që duan të trajtohen me strehim si fillim duhet të verifikojnë të dhënat me qëllim që ato të jenë në përputhje me kërkesat ligjore në lidhje me gjendjen e strehimit. Në programin e strehimit do të mund të trajtohen të gjithë ata persona që nuk disponojnë banesë në pronësi dhe banojnë me qira, ose në ndonjë formë tjetër, si dhe në rastet kur personat disponojnë banesë në pronësi, por banoni nën normat e strehimit. Kjo e fundit përcaktohet nga të ardhurat familjare. Niveli maksimal dhe minimal i të ardhurave të familjes përcaktohet për çdo program që zbatohet dhe bëhet publik nga bashkia përpara se të fillojë procedura e përzgjedhjes së aplikantëve. Së dyti norma e strehimit përcaktohet nga statusi social dhe është njëri nga statuset e përcaktuar në nenin 5 të ligjit Nr. 9232/2004. Burime pranë ministrisë së Punëve Publike konfirmojnë se përbëjnë kriter skualifikues nëse të dhënat nuk janë brenda kufijve të normave të strehimit dhe nivelit të përcaktuar të të ardhurave familjare.
Si mund të aplikoni
Specialistët e ministrisë konfirmojnë se çdo kush mund të aplikojë për strehim pranë bashkisë nëse ai/ajo është e regjistruar në gjendjen civile të asaj bashkie, ku kërkon të trajtohet me strehim. Në fillim aplikanti plotëson formularin për fazën e parë. Në këtë fazë, nuk është e nevojshme të dorëzohet dokumentacioni verifikues, por vetëm një deklaratë mbi vërtetësinë e të dhënave tuaja. Më pas ju mund të përcaktoni programin e parapëlqyer në të cilin doni të përfshiheni. Trajtimi i aplikantëve me njërin prej programeve të strehimit varet nga disa faktorë të cilët janë:
-Nëse në bashkinë përkatëse ka programe strehimi në zbatim ose jo;
-Nëse programi që është duke u zbatuar është i përballueshëm financiarisht për ju ose jo;
-Nëse ka një numër të konsiderueshëm kërkesash, gjë që bën të nevojshëm seleksionimin sipas një sistemi pikëzimi;
Nëse ju jeni përzgjedhur në fazën e parë, do t’ju vijë njoftimi nga Bashkia përkatëse për tu paraqitur për plotësimin e fazës së dytë të formularit. Në këtë fazë të gjitha të dhënat duhet të jenë të mbështetura me dokumentacionin përkatës; nëse nga dokumentacioni rrjedhin fakte të ndryshme nga ato të deklaruara, bashkia mund të t’ju skualifikojë. Nëse ju nuk përzgjidheni dhe keni pretendime mbi procedurën e përzgjedhjes, ju mund të paraqisni ankimin tuaj pranë strukturave vendore.
Përzgjedhja në bashki
Bashkitë për përzgjedhjen e fituesve veprojnë si më poshtë: Në fillim strukturat përkatëse në bashki (drejtoria e strehimit, ose sektori i shërbimeve, në vartësi të organizimit të strukturave nga çdo bashki) bën evidentimin e aplikimeve që janë dorëzuar deri në atë kohë. Më pas miratohet sistemi i pikëzimit dhe ngrihet Komisioni i Strehimit, në përbërje të të cilit duhet të ketë përfaqësues të shoqatave që mbrojnë interesat e grupeve të veçanta (jetimë, të verbër, para a tetraplegjik, etj.). Komisioni, çdo personi që ka aplikuar për banesa sociale, i vendos pikët e grumbulluara dhe bën radhitjen. Pas këtij veprimi është struktura përkatëse në bashki, harton materialin me renditjen sipas pikëve dhe e vendos në një vend të dukshëm për të pritur ankesat. Në përfundim lista përfundimtare i kalohet Këshillit Bashkiak për miratim
Faza e dytë e aplikimit, dokumentet që dorëzohen
Në fazën e dytë plotësohen dokumentet shoqëruese të aplikimit. Plotësimi i dosjes bëhet vetëm pas njoftimit përzgjedhës për trajtimin me strehim, që kryhet nga zyrat e strehimit në bashki
Gjendja familjare
Aplikanti dorëzon dokumentet që përcaktojnë gjendjen familjare, të cilat janë :
-Certifikatë lindjeje e aplikantit dhe certifikatë e gjendjes familjare nga institucionet përkatëse të tre muajve të fundit.
-Kopje e noteruar e dokumentacionit të identifikimit (pasaportë, certifikatë personale).
-Vërtetimin si banor i njësisë vendore ku paraqet kërkesën.
-Në rastin e çifteve të divorcuara që kanë në ngarkim një fëmijë, vendimin e gjyqit që i lë në ngarkim fëmijën.
-Vërtetim punësimi nga punëdhënësi për çdo anëtar të punësuar ose vetëpunësuar. Vërtetimi të shoqërohet me librezë ose me kontratë punësimi dhe i konfirmuar nga Instituti i Sigurimeve Shoqërore.
Gjendja e strehimit
Dokumentet që dorëzon aplikanti mbi gjendjen e strehimit janë:
– Vërtetim nga zyra e regjistrimit të pasurive të paluajtshme që në emër të personit kërkues dhe të anëtarëve të familjes nuk figuron banesë në pronësi.
-Vërtetim nga zyra e regjistrimit të pasurive të paluajtshme për sipërfaqen e pronës, që zotëron familja apo ndonjë anëtar i saj.
-Vërtetim nga ZRPP për disponimin e pronësisë së një objekti, i cili mund të përdoret si objekt banimi.
-Në rast se banon me qira, kontratën e qirasë lidhur para noterit.
-Në rastin e banimit të një banese me kushte të këqija ose rrezik shembje, certifikatë origjinale lëshuar nga Shërbimet Teknike të Bashkisë.
-Në rastin e çifteve të reja, dokumentin zyrtar të celebrimit dhe certifikatat për efekt të llogaritjes së moshës totale.
-Në rast lëvizje për efekt punësimi, vërtetim nga zyra e regjistrimit të pasurive të paluajtshme nga vendi i origjinës se në emër të aplikantit nuk figuron e regjistruar asnjë pronë, e cila mund të përdoret edhe për strehim.
Të ardhurat e familjes
Aplikanti dorëzon dokumentet mbi gjendjen e të ardhurave të cilat janë;
-Dokumenti përkatës nga punëdhënësi për detyrën dhe të ardhurat e aplikantit dhe të çdo personi të tjetër të familjes në marrëdhënie pune.
-Dokumenti nga organet tatimore dhe ato të sigurimeve shoqërore për derdhjen e kontributeve, kur njeri nga anëtarët e familjes është i vetëpunësuar.
-Vërtetim punësimi i rastit (orët dhe të ardhurat për një vit).
-Vërtetim mbi masën e pagesës nga zyra e ndihmës dhe përkujdesit pranë bashkive, për anëtarët e familjes, të përfshirë në programin e ndihmës ekonomike për personat me aftësi të kufizuar.
-Vërtetim mbi masën e pagesës nga zyra e punësimit e njësisë vendore përkatëse, për personat e përfshirë në programin e pagesës së papunësisë.
-Vërtetim mbi masën e pagesës nga zyra e punësimit e njësisë vendore përkatëse, për personat e përfshirë në programin e ndihmës ekonomike.
-Vërtetim nga organet e sigurimeve shoqërore për personat në pension.
-Deklaratë mbi të ardhurat gjatë vitit të fundit, të siguruara:
1. Dypunësimi
2. Emigracioni
3. Prona të paluajtshme
4. Të tjera
Kërkesë e veçantë për statusin e njërit prej anëtarëve të familjes
Në rastin e individëve me aftësi të kufizuara, kërkohet dokumenti zyrtar që vërteton statusin si:
– I verbër i grupit të parë
– Invalid para e tetraplegjik
– Invalid i punës
– Invalid i Luftës Antifashiste Nacional Çlirimtare
– Jetim
Administrata mund të kërkojë origjinalet e dokumenteve të prezantuar për të vërtetuar vërtetësinë e tyre, apo çdo dokument tjetër që mund të mendojë të nevojshëm, edhe pse ai nuk përmendet në këtë aplikim.