Home Aktualitet Banka Botërore: Emigrantët zhvilluan Shqipërinë

Banka Botërore: Emigrantët zhvilluan Shqipërinë

661
0

Varfëria dhe tregues të tjerë ekonomikë dhe socialë në Shqipëri janë përmirësuar ndjeshëm gjatë periudhës 2002-2005. Një rol vendimtar në këtë progres nuk duket se kanë luajtur politikat publike apo masat marra nga institucionet shtetërore, por mbi të gjitha emigracioni. Një raport i Bankës Botërore (BB) që mban titullin “Shqipëria, Zhvillimi Urban, Emigracioni dhe Ulja e Varfërisë”, jep një pasqyrë të qartë të disa zhvillimeve ekonomiko-sociale në vend dhe ndikimin e të ardhurave nga emigracioni në këto ndryshime thelbësore. Sipas BB, ka pasur një reduktim masiv të varfërisë për periudhën në fjalë. Ajo pjesë e popullsisë, konsumi real i së cilës për person/muaj në një shumë që vlerësohet nën 501 dollarë u ul nga 25.4 për qind në vitin 2002 në 18.5 për qind në 2005-ën. “Kjo do të thotë se afërsisht 235 000 nga rreth 800 000 të varfër të llogaritur në 2002-in, dolën nga varfëria”, thuhet në raport. Ndërsa, popullata ekstremist e varfër ku bëjnë pjesë ata persona që nuk janë të aftë të sigurojnë më shumë se 31 dollarë për muaj për person, u pakësua nga 5 për qind në 3.5 për qind e popullsisë.
Sipas Bankës Botërore, emigracioni shpjegon në një masë, ndryshimet e vërejtura në normat e varfërisë në Shqipëri. Në raport theksohet se së pari, ka prova të qarta që Tirana dhe zonat rurale të malësisë janë zonat ku vërehet rritja më e madhe ndër familjet që përfitojnë nga remitancat. Për më tepër, jo vetëm që ka pasur një rritje të numrit të familjeve që përfitonin të ardhura nga emigracioni, por edhe vetë vëllimi i remitancave u rrit në mënyrë thelbësore. Specifikisht, për periudhën 2002-2005, vëllimi i të ardhurave nga emigracioni për Tiranën, thuajse u dyfishua, ndërsa për zonat malore u rrit në nivelin 50%. Gjithashtu, në zonat malore është vënë re një përshpejtim i ritmit të uljes së varfërisë, lidhur edhe me faktin se është zona me një fluks të vazhdueshëm dhe në rritje të emigrantëve që shkojnë jashtë vendit.

Shifrat e emigracionit
Të dhënat e emigracionit paraqiten masive, si kur bëhet fjalë për emigrimin jashtë vendit, ashtu dhe për migrimin brenda vendit. Rreth 20 për qind e të rriturve kanë lëvizur jashtë vendit. Kjo do të thotë se rreth 450 000 individë, aktualisht residojnë në një vend të ndryshëm nga ai ku ishin në vitet ‘90. Nëse llogariten lëvizjet që nga lindja, atëherë një në çdo tre të rritur kanë lëvizur jashtë vendit, kështu që 16 për qind e familjeve në gjithë vendin kanë në krye individë që kanë emigruar të paktën një herë që nga viti 1990. Për më tepër, 34 për qind e familjeve në krejt vendin, kanë të paktën një njeri që jeton jashtë dhe 50 për qind këtyre familjeve kanë më shumë se një anëtar që jeton jashtë vendit.
Studimi i Bankës Botërore nxjerr në pah se shumica e emigrantëve, të brendshëm dhe të jashtëm, vijnë nga zonat rurale. Që nga viti 2002, një masë e konsiderueshme kanë lëvizur në drejtim të Tiranës. Duke filluar që nga ky vit, fluksi i emigrimit të brendshëm dhe të jashtëm është ngadalësuar ndjeshëm dhe po jep shenja rënëse. Ka disa arsye për këtë. Një arsye lidhet me përmirësimin gradual të kushteve ekonomike. Gjithashtu, nuk ka pasur trauma të natyrës ekonomike-sociale gjatë kësaj kohe, siç ishte rasti i skemave piramidale. Për më tepër, ligjet e emigracionit në Greqi dhe Itali, të cilat janë dy destinacionet parësore të emigrantëve shqiptarë, janë shtrënguar ndjeshëm.

Përmirësimi ekonomik-social
Banka Botërore vëren se për periudhën 2002-2005, shumë faktorë ekonomikë dhe socialë janë përmirësuar në mënyrë thelbësore. Rritja reale e konsumit për frymë është rritur ndjeshëm ndërmjet vitit 2002 dhe vitit 2005. Konsumi mesatar për frymë në 2005-ën ishte 17% më i lartë se sa mesatarja e 2002-it. Edhe faktorë të tjerë të varfërisë janë ndikuar. Hendeku i varfërisë, i cili merr në shqyrtim kontributin e një individi të varfër te varfëria në tërësi, e cila në vetvete ndikohet nga pabarazia mes të varfërve, ra nga respektivisht 5.7 dhe 2 për qind në 2002-in në 4.0 dhe 1.3 për qind në 2005-ën.
Gjithashtu, ky reduktim masiv i varfërisë është shoqërua edhe nga përputhje në terma rajonalë. Sipas studimit të BB, vërehet se dallimet në normat e varfërisë mes rajoneve të ndryshme, janë reduktuar ndjeshëm nga sa ishin në vitin 2002. Norma e varfërisë në zonat malore ishte 76 për qind më e lartë se mesatarja kombëtare në vitin 2002, ndërsa në vitin 2005, kjo diferencë ishte vetëm 36 për qind. Në një formë të ngjashme, normat e varfërisë në zona rurale, në bregdet, në zonat qendrore dhe në ato malore po i afrohen njëra-tjetrës. Në fakt, studimi tregon se normat e varfërisë për zonat rurale në vitin 2005 rezultojnë me një diferencë prej vetëm 4 pikë përqindjeje nga norma kombëtare e varfërisë, krahasuar me atë të vitit 2002, kohë kur kishte një shpërndarje më të gjerë, që në varësi të zonave varionte nga 8 për qind në 20 për qind.
Ndërkohë ka pasur përmirësime rrënjësore për sa i përket eksesit në shërbimet bazë, por problemet me cilësinë vazhdojnë. Regjistrimi në arsimin fillestar ka qenë i lartë dhe ka mbetur i tillë për këtë periudhë. Përmirësime thelbësore janë vënë re në regjistrimin dytësor dhe tretësor dhe përfitimet janë regjistruar në zonat urbane dhe rurale, për meshkujt dhe femrat bashkë. Aksesi në ujin e pijshëm brenda ambienteve të banimit është përmirësuar gjithashtu. Ndërsa, për sa i përket shëndetësisë dhe energjisë, vazhdon të ketë një situatë ‘status quo’. Studimi vlerëson se ditët e raportuara për sëmundje kronike janë ulur, por vëllimi i popullatës që përdor mjedise shëndetësore dhe numri i vizitave në këto mjedise ka ndryshuar fare pak nga viti 2002 në vitin 2005. Të njëjtat përfundime vlejnë edhe për energjinë.
Brenda këtyre zhvillimeve pozitive, ka tre probleme që vazhdojnë të karakterizojnë këto shërbime. Problemet që lidhen me cilësinë, sidomos për sa i përket furnizimit me ujë dhe energji elektrike, vazhdojnë të jenë dominuese. Gjithashtu, ka dallime të mëdha në eksesin ndaj këtyre shërbimeve ndërmjet familjeve të varfra dhe atyre në gjendje më të mirë. Së fundmi, zonat rurale mbeten shumë pas zonave urbane në terma të cilësisë në të gjitha drejtimet.

Rritet pabarazia qytet-fshat
Megjithatë, siç theksohet edhe në studimin e Bankës Botërore, ndërsa normat e varfërisë janë ulur, hendeku ndërmjet varfërisë në zonat urbane dhe rurale është rritur. Ndërsa konsumi real për frymë i të varfërve në zonat urbane u rrit me 19 për qind, rritja e konsumit për të varfrit në zonat rurale ishte vetëm 6 për qind. Për më tepër, rritja e konsumit edhe për nivelin më të ulët në zonat urbane, ishte më e lartë se ajo e nivelit më të lartë në zonat rurale.
Një rritje relative vërehet edhe për sa i përket pabarazisë sociale. Studimi i BB sqaron se ka disa mënyra se si ndryshimet e vërejtura në konsum mund të çojnë në ndryshime të vërejtura në terma të pabarazisë. Më së pari, rritja në konsum real për frymë në qytet është dukshëm më e lartë se në zonat rurale. Nga ana tjetër, në veçanti në Tiranë dhe në zonat qendrore të vendi, më të pasurit patën një rritje më të madhe të konsumit në përqindje se më të varfrit.

Të varfrit janë nga fshati dhe të paarsimuar
Pjesa më e madhe e të varfërve jetojnë në zonat rurale. Studimi i Bankës Botërore tregon se për më tepër, të varfrit janë më së tepërmi të paarsimuar dhe jetojnë në familje të mëdha. Në zonat rurale, varfëria ekstreme ra nga 5.2 për qind në 4.5 për qind, një reduktim total prej 15 për qind ndërmjet viteve 2002 dhe 2005, krahasuar me një ulje prej 43 për qind të varfërisë në zonat urbane. Ndërkaq, në vitin 2005, vetëm 2.7 për qind e popullsisë mund të konsiderohet ekstermisht e varfër. Vërehet se varfëria ndër familjet në zonat rurale që rrisin zarzavate është 10 pikë përqindjeje më e ulët se në kategoritë e tjera.
Rreziku i varfërisë paraqitet veçanërisht i lartë për ato familje që kanë kryefamiljarë individë të paarsimuar. Rreth 75 për qind e gjithë të varfërve kanë në krye të familjes individë që kanë përfunduar 8 ose më pak vite studim. Rreziku i varfërisë për kryefamiljarët me vetëm arsim fillestar ishte në masën 32 për qind në vitin 2002, por vlerësohet në 25 për qind për 2005-ën.
Familjet e mëdha hyjnë gjithashtu në grupet me rrezikshmëri të lartë për t’u prekur nga varfëria. Rreth 48 për qind e popullsisë në Shqipëri jeton në familje të përbëra nga 4-5 persona, krahasuar me familjet që përbëhen nga 8 apo më shumë persona, të cilat përbëjnë vetëm 8 për qind të totalit të popullsisë. Megjithatë, respektivisht 21 për qind dhe 17 për qind e të gjithë të varfërve në 2002 dhe 2005, jetonin në familje me më shumë se 8 anëtarë.
Nga ana tjetër, familjet që drejtohen nga kryefamiljare femra tregojnë një normë më të ulët varfërie. Familjet, kryefamiljari i të cilave është mashkull, kanë të paktën 5 pikë përqindjeje më shumë mundësi që të bien në varfëri nga ato familje me kryefamiljar femër. Kryefamiljaret llogariten vetëm në 12 për qind të totalit të familjeve në Shqipëri, por ato përbënin vetëm 8 për qind të totalit të të varfërve për të dy periudhat. Një shpjegim i pjesshëm mund të jetë që këto familje që kryesohen nga femrat janë familje që i kanë meshkujt në emigracion, ndaj remitancat e tyre përmirësojnë pozitën e tyre të të ardhurave.