Në sezonin e kaluar nuk e nisi si titullar te Vllaznia, ashtu siç po i ndodh edhe aktualisht me turqit e Gençlerbirligisë. Megjithatë, nuk mërzitet. Bekim Bala pret momentin e tij. Te kuqeblutë i erdhi shpejt vjet dhe ai e shfrytëzoi në maksimum, duke u shndërruar në lojtarin lider të tyre. Si rrjedhojë, në verë ka realizuar transferimin e bujshëm në Turqi. Pavarësisht se larg, Bala është në kontakt me çdo gjë që ka të bëjë me Vllazninë. Përkrah idenë e aktivizimit të lojtarëve të rinj dhe njëkohësisht mendon se skuadra e tij e zemrës do të jetë pretendente në sezonin e ri.
‑ Bekim, kampionati turk ka filluar javën e shkuar. Ju nuk keni luajtur. Pse?
‑ Në javën e parë të kampionatit ekipi im luajti në transfertë dhe barazoi 0‑0. Trajneri nuk e pa të arsyeshme që unë të isha pjesë e skuadrës dhe prandaj qëndrova në Ankara. Gjatë këtyre ditëve kam pasur një bisedë me trajnerin e ekipit dhe ai më këshilloi të vazhdoja punën, sepse do të vinte shpejt edhe momenti që unë të jem në fushë.
‑ Nga kampionati shqiptar keni bërë një kapërcim të rëndësishëm, duke kaluar në atë turk. Çfarë ndryshimesh vini re?
‑ Ndryshimet janë shumë të mëdha, në të gjitha drejtimet. Këtu ka më tepër zhvillim të futbollit. Të gjitha skuadrat investojnë shuma të mëdha çdo sezon dhe, për rrjedhojë, kanë organika të fryra, aq sa është shumë e vështirë të zësh një vend në formacion. Përpos kësaj, stërvitja që zhvillohet në Turqi është shumë e fortë në aspektin fizik. Imagjino, vitin e kaluar stërvitesha te Vllaznia me një apo dy seanca në ditë, ndërkohë që këtu çdo ditë ka nga tre seanca. E kisha të vështirë të përshtatesha në fillim, por dalëngadalë po mësohem dhe po kap ritmin e grupit.
‑ Do luani këtë javë?
‑ Këtë javë presim në fushën tonë Gaziantepsporin dhe ende nuk e di nëse trajneri do më përfshijë në ekip. Megjithatë, nuk e kam shumë mendjen aty. Unë po vazhdoj të punoj me shumë dëshirë dhe momenti im do të vijë një ditë.
‑ Ju mungon skuadra shkodrane, qyteti, tifozët?
‑ Sigurisht që më mungojnë shumë. Mbase transferimi im erdhi pak më shpejt sesa duhet, por shanse të tilla të vijnë një herë në jetë dhe nuk mund ta refuzoja. Vllaznisë i detyrohem shumë, sepse është skuadra ime e zemrës, është skuadra që më dha emër.
‑ Trajneri Radonjiç po u jep shumë hapësirë lojtarëve të rinj…?
‑ Për të luajtur në skuadra të tilla si Vllaznia, një herë të jepet shansi dhe duhet ta shfrytëzosh. Jam në kontakt çdo ditë me ish‑shokët e mi të skuadrës kuqeblu dhe ata më tregojnë për çdo gjë. E mira është që lojtarëve të rinj t’u jepet hapësira, është e domosdoshme, por kjo duhet bërë pa i vënën nën presion në ndeshjet e para.
‑ Keni luajtur disa vite me disa prej këtyre lojtarëve. Cili mendoni se do të bëjë vend në skuadër në sezonin e ri?
‑ Hasani, për shembull, është një djalë shumë i mirë dhe i talentuar dhe natyrisht që duhet të ecë përpara. Po ashtu, edhe Sykaj e Djepaxhija mendoj se do të bëhen protagonistë këtë sezon, pa lënë mënjanë edhe ndonjë emër tjetër.
‑ Meqë e keni ndjekur atë ç’ka ndodhur te Vllaznia kohët e fundit, e mendoni atë pretendente?
‑ Vllaznia ka qenë gjithmonë pretendente dhe besoj se e tillë do jetë edhe në sezonin e ri. Presidenti Fushaj ka shpenzuar jo pak në merkato dhe prandaj skuadra duhet t’ia shpërblejë.
“Dëshiroj një ftesë për Luksemburgun”
Nga janari e këtej është thirrur dy herë nga ana e trajnerit Kuzhe në kombëtare. Fillimisht për “zborin” e Turqisë dhe më pas për miqësoren me Kosovën, ku madje shënoi edhe golin e fitores. Për Bekim Balën madje pati edhe një ftesë tjetër për një miqësore në qershor, por u kalua te Shpresat me kërkesën e trajnerit Bushati. Sulmuesi shkodran i Gençlerbirligisë, pasi ka mësuar se ndeshja me Luksemburgun do të luhet më 8 maj në qytetin e tij të lindjes, nuk e ka fshehur dëshirën që të jetë pjesë e kombëtares shqiptare për atë ndeshje. “Dua të jem në atë ndeshje, megjithatë e di që më 4 shtator kemi ndeshje me Shpresat ndaj Azerbajxhanit dhe do të luaj me këtë ekip,” ‑ thotë Bala.
Semina ikën nga Qipro, gati rikthimi
Mbrojtësi shkodran Klodian Semina dje ka prishur kontratën e tij me klubin qipriot Ermis Aradipou dhe sot kthehet në Shkodër. Për të biseduar dhe mbase firmosur me Vllazninë. Zhvillimet kanë qenë të shpejta. Shtatlarti i mbrojtjes u duk se gjeti “strehën” e duhur në Qipro tek skuadra e ngjitur në kategorinë e parë të këtij vendi, por ndryshimi i stafit drejtues ka prishur planet e tij, aq sa është vënë në dyshim edhe aktivizimi i tij si titullar. Për rrjedhojë, Semina është ulur në tavolinë me drejtuesit e klubit dhe ka rënë dakord për prishjen e kontratës. Kjo gjë është bërë dje paradite dhe menjëherë pas kësaj procedure, vetë lojtari është shprehur: “Po, është e vërtetë që kam prishur kontratën me skuadrën qipriote. Në krye të kësaj skuadre kohët e fundit erdhi një trajner i ri, që donte të kishte në skuadër vetëm futbollistë qipriotë. Neve që ishim të huaj na bënte presione të ndryshme, duke na thënë se nuk do të kishim vend në formacion. Në një situatë të tillë vendosa të largohem dhe drejtuesit e klubit nuk më nxorën pengesë.” Siç është bërë e ditur, trajneri Radonjiç ka kërkuar nga klubi edhe një mbrojtës i majtë dhe Semina duket se është zgjedhja e duhur. Mësohet se dje vetë presidenti Valter Fushaj i ka telefonuar këtij lojtari dhe i ka shprehur dëshirën që ai të kthehet të luajë në Shkodër. Edhe mbrojtësi shtatlartë nuk është kundër kësaj ideje, megjithëse për momentin ka edhe tri oferta të tjera. “Kam pasur kontakte edhe me tre skuadra të tjera të superligës, por ajo që më ngacmon më tepër është oferta e Vllaznisë. Më ka telefonuar vetë presidenti Fushaj dhe e kemi lënë të bisedojmë nesër (sot) sapo të kthehem nga Qipro dhe ai nga Italia, ku ndodhet aktualisht. Jam shumë pranë Vllaznisë besoj dhe gjasat janë që në sezonin e ri të luaj me skuadrën time të zemrës, megjithatë ende nuk mund të themi se është mbyllur përfundimisht kjo lëvizje, përderisa të ulem e të bisedojë me presidentin,” ‑ ka thënë Semina. Në fakt, nuk duket të kemi mëdyshje. Akordi do të arrihet dhe ai do të jetë përforcimi i fundit i kuqebluve përpara nisjes së kampionatit.
Kuqeblutë, në dilemë për ndeshjen me Bylisin
Edhe dje, futbollistët dhe stafi drejtues i Vllaznisë kanë qenë në dilemë për ditën e zhvillimit të ndeshjes së parë të kampionatit, atë me Bylisin. Ata ende nuk e kanë të qartë se kur do të luajnë dhe prandaj edhe stërvitja e këtyre ditëve ka qenë e kushtëzuar nga ky fakt. Duket e sigurt se këtë fundjavë kjo ndeshje nuk do të luhet dhe, për këtë arsye, stafi i kuqebluve është duke menduar për miqësoren me Tërbunin.
http://www.sportishqiptar.com.al/bekim-bala-vllazni-beso-deri-ne-fund-te-te-rinjte/