Home Aktualitet Beneluksi Ballkanik dhe përfitimet politiko-ekonomike

Beneluksi Ballkanik dhe përfitimet politiko-ekonomike

403
0
Beneluxi Ballkanik Harta

Ideja e një Beneluksi Ballkanik, i përbërë nga Shqipëria, Kosova, Mal i Zi dhe Maqedonia, e hedhur së fundmi nga një ekonomist austriak dhe një gazetar shqiptar i Kosovës është sa rishtare, aq edhe e provuar tashmë me sukses të plotë. Është e re dhe madje e guximshme pasi i propozohet vendeve me kulturë demokratike të dobët, institucione të dobëta, ekonomi në stad foshnjëror, kryesisht lokale dhe elita politike aspak vizionare. Për më tepër tre nga këto shtete kanë dalë nga shpërbërja e dhunshme e ish-Jugosllavisë dhe luftës ndër-etnike që ka mbjellë mjaft urrejtje dhe mosbesim mes vedi, ndërsa i katërti, vendi ynë, pati një konflikt civil në 1997-ën i cili e çoi rrotën e progresit mbrapa. Por është po aq e testuar si ide, pasi në rrethana edhe më pesimiste lindi ideja e Evropës së Bashkuar, ku dy vendet kryesore antagoniste Franca dhe Gjermania, shërbyen si shtylla kurrizore e Bashkimit të ardhshëm Evropian duke themeluar së pari Komunitetin e Qymyrit dhe Çelikut në 1952, bashkë me katër vendet e tjera anëtare (Italinë dhe vendet e Beneluksit), duke kapërcyer logjikën e ‘balancës së fuqisë’ dhe tundimeve hegjemoniste reciproke dhe duke siguruar kalimin nga një lojë me rezultat zero (zero-sum game) në një marrëdhënie që sillte përfitim për të gjithë aktorët e përfshirë në proces (pozitive sum game). Kjo shumë shpejt çoi në krijimin e komuniteteve analoge si ai për Euratomin dhe Komunitetin Ekonomik Evropian të themeluar me traktatet e Romës të 1957-ës dhe mandej në thellimin e vazhdueshëm me fusha të tjera ku kompetencat mbikombëtare erdhën duke u thelluar, njëkohësisht me valët e përsëritura të zgjerimit deri në ditët e sotme.

Sot, me gjithë sfidat e kohës, ku vlen të veçohet kriza e thellë financiare që ka kapluar Eurozonën dhe veçanërisht shtete të caktuara të saj që janë në prag të falimentimit, BE-ja si një projekt ekonomik, por edhe social, kulturor dhe politik vazhdon të jetë pikë referimi jo vetëm për vendet anëtare por edhe për ato kandidate apo aspirante për t`ju bashkuar si rasti i vendeve të Ballkanit Perëndimor të përmendura në fillim të këtij shkrimi. Kur ideja e mësipërme u artikulua fillimisht nga dy autorët dhe u përkrah menjëherë më pas nga Brukseli, madje u përshëndet si ide novatore dhe që vlen për t`u marrë në konsideratë nga komisionari Fule, reagimet e para nga ana e sllavëve nuk dukeshin entuziaste. Kështu, Kongresi Botëror Maqedonas e hodhi menjëherë poshtë një bashkim të ri si Beneluksi, në të cilën maqedonasit, malazezët dhe serbët do të jenë një pakicë që numëron 2.5 milionë, në krahasim me 5.5 milion shqiptarë, duke u shprehur se:“Një bashkim i dominuar nga një etni tregon se është një zëvendësim për Shqipërinë e Madhe dhe do të përjetojë fatin e ish-Jugosllavisë e cila ishte një zëvendësim për Serbinë e Madhe.”

Deklarata të tilla emocionale fshehin frikëra patologjike të pajustifikuara dhe komplekse inferioriteti që të kujtojnë shumë më tepër fillesat e shekullit të 19-të ku shtet-kombet ishin në mbrujtje e sipër sesa ato të shekullit të 21-të dhe nevojat për tregje të integruar. Ballkanit Perëndimor i duhen integrime më funksionale, të plota dhe ndër-vepruese sesa marrëveshjet e tregtisë së lirë që koordinohen nga CEFTA apo nisma të pjesshme si ajo e ndërmarrë së fundmit nga disa shtete, përfshirë Shqipërinë për të rritur pavarësinë nga furnizimi/transmetimi monopolistik i energjisë nga Serbia. Për këtë duhet më tepër vullnet politik për të realizuar institucione mbikombëtare që të fokusohen dhe mbikëqyrin krijimin, lehtësimin dhe modernizmin e urave lidhëse, qofshin këto infrastrukturore, energjike, bujqësore, për lëvizjen e mallrave, shërbimeve, kapitaleve dhe burimeve njerëzore. Kur francezët dhe gjermanët ranë dakord të hidhnin pas krahëve të paktën tre konflikte direkte që kishin përfunduar me pushtimin e Francës brenda një shekulli (duke filluar me humbjen e Napoleonit të III ndaj ushtrisë prusiane të Bismarkut deri te lufta e dytë botërore), dhe pikërisht të kthenin një zonë të kontestuar si Alsas-Lorena si zonën e bashkëpunimit kryesor të tyre të vendosur nën mbikëqyrjen e një Autoriteti të Lartë të drejtuar nga vizionari Monnet, aq më e mundshme duket kjo mes vendeve ballkanike të mësipërme të cilat nuk duhet të mbeten peng i së shkuarës por të shohin me guxim drejt së ardhmes.