Home Lajme Sport Benzema: Kuptohem më së miri me Ronaldon

Benzema: Kuptohem më së miri me Ronaldon

367
0

Sulmuesi francez i merengasve është i kënaqur me formën e tij dhe me partneritetin me yllin portugez

Përgatiti: JOSIF GJOSHE

Sulmuesi i Realit të Madridit, Karim Benzema, është i kënaqur me progresin që po tregon duke luajtur në krah të Kristiano Ronaldos, sidomos pas fitores 7-1 ndaj Guangzhou Evergrande. Benzema arriti të shënonte një dopietë në këtë ndeshje sikurse edhe Ronaldo, i cili realizoi një gol me thembër.

Sulmuesi, i cili është thirrur ndërkohë nga Lorent Blank për miqësoren që Franca do zhvillojë ndaj Kilit javën e ardhshme, u shpreh për faqen zyrtare të madrilenëve:

“Kristiano dhe unë e kuptojmë më së miri njëri-tjetrin. Ai është një mik për mua, si jashtë ashtu edhe brenda fushës. Do të vazhdoj të punoj me të njëjtën mënyrë sikurse po bëj tani, për t’u përmirësuar ndeshje pas ndeshjeje. Është e dukshme që po bëjmë më të mirën për ekipin. Kjo është ajo që trajneri pret nga unë, prandaj unë po përpiqem ta bind atë”.

Të shtunën, Reali i Madridit do të kërkojë fitoren e radhës në këto miqësore, ku do të ndeshet me skuadrën kineze të Tianzhin Teda.

Jo Arsenalit – Ndërkohë sulmuesi francez ka hedhur poshtë zërat për një transferim të mundshëm të tij drejt Arsenalit, duke pranuar se s’ka pasur asnjë kontakt me Arsen Venger.

Në fakt 23-vjeçari, gjatë sezonit të kaluar ka vuajtur për një vend titullari në “Bernabeu”, madje arriti deri sa ta vinte në dyshim të ardhmen e tij, por dëmtimi i Higuain bëri që Benzema të aktivizohej rregullisht dhe të shkëlqente me madrilenët. Benzema ka përsëritur edhe një herë se nuk kërkon të largohet nga Reali i Madridit dhe shprehet i vendosur se skuadra e tij do të fitojë trofe këtë sezon.

“Vendi im është tek ky klub”, – ka thënë Benzema për “L’Equipe”.  “Nuk kam folur as me Vengerin dhe as me tjetër njeri. Dua ta shijoj suksesin që kam këtu, sidomos tani që kam gjetur vetveten. Jam i bindur që këtë sezon do fitojmë titullin”.

Benzema ka luajtur 81 ndeshje me Realin në të gjitha kompeticionet që prej mbërritjes së tij në 2009-ën nga Lioni. Ai ka shënuar 35 gola dhe ka dhuruar 13 asiste për shënim.

 

 

Presidenti i Valencias

I trembet binomit Barça-Real në Champions

President i Valencias, Manuel Lorente ka shprehur shqetësimin e tij për dominimin e Barcelonës dhe Realit të Madridit si në futbollin spanjoll, ashtu edhe në atë europian, ndërkohë që ai i trembet rënies së interesit për lojën. Valencia ka vite që ndihet e pafuqishme për t’i rivalizuar këto dy skuadra në luftën për titull, pavarësisht se në dy sezonet e fundit e ka mbyllur garën në vendin e tretë.

“Primera Division është një kompeticion i nivelit të lartë, por problemi është se ekziston një diferencë gjigande mes dy skuadrave kryesuese dhe pjesës tjetër. Kam frikë se kjo diferencë do ta rrëzojë mjaftueshëm interesin për këtë lojë dhe ky ka për të qenë një problem i madh për cilindo” – ka thënë Lorente.

“Jam i sigurt se e njëjta gjë do ndodhë edhe në Europë. Championsi rrezikon të transformohet si kampionati skocez. S’besoj se njerëzit në Europë do ta pranojnë një pabarazi të tillë. Nëse Valencia do ishte në kampionatin gjerman ose anglez, ajo mund të luftonte për titull ndërkohë Junajtid, Çelsi apo Bajerni nuk mund të rivalizonin për titull nëse do ishin në Primera Divizion”.

 

 

 

Sporti Shqiptar Online