Berisha, Peqini do ketë lidhjen e vet direkte me Tiranën

Aleanca për Qytetarin prezantoi pas diten e djeshme kandidatët e koalicionit të djathtë për qarkun e Elbasanit, si dhe kandidatin e saj për Bashkinë e Peqinit, Ilir Rrushi. Gjatë promovimit të kandidatëve të koalicionit, kryeministri i vendit, Sali Berisha u shpreh se në 4 vitet që vijnë do të rrisë mirëqenien dhe përmirësojë infrastrukturën e qytetit. “Shpreh kënaqësinë time që vij sot tek ju për të paraqitur kandidatët e ‘Aleancës për Qytetarin’ për qarkun e Elbasanit dhe kandidatin e PD-së për Peqinin, Ilir Rrushi. Jam këtu për t’u betuar solemnisht se në 4 vite që vijnë, qeveria shqiptare do të financojë dhe mbështesë komunat e qytetit tuaj për të përmirësuar infrastrukturën dhe mirëqenien tuaj”, – deklaroi Berisha. Nën moton ‘Ju jeni të parët’, ai bëri një analizë krahasuese të punës së qeverisë duke theksuar faktin se falë punës së kësaj të fundit Peqini është kthyer në një qytet modern. “Në 5 vitet që shkuan, në qarkun e Peqinit qeveria ka ndërtuar 400 km rrugë, në një kohë që nuk ka pasur asnjë rrugë të asfaltuar. Sot në komunat e Peqinit po ndërtohet një infrastrukturë moderne dhe ju garantoj ju se në 4 vitet që vijnë do të keni infrastrukturë moderne të standarteve evropiane. Në 4 vitet që shkuan ndërtuam 70 ujësjellës, ndër të cilët 4.900 dollarë u shpenzuan vetëm për Peqinin. Në 4 vitet e ardhshme garantojmë më tepër ujë. Në 4 vite që shkuan, në Peqin ndërtuam 18 shkolla, në vitet që vijnë do të rindërtojmë çdo shkollë që fëmijët tuaj të mësojnë me standarde. Në 4 vitet e shkuara ndërtuam 60 qendra shëndetësore në Elbasan dhe 16 vetëm në Peqin. Janë përpunuar rrugët. Janë ndërtuar 7 ura. Në 4 vite që vijnë, Peqini nuk do ketë asnjë rrugë të paasfaltuar dhe do ketë lidhjen e vet direkte me Tiranën, lidhjen e vet me Rrogozhinën dhe katër anët e vendit, ky është zotimi im”, – nënvizoi Berisha. Ndërkohë, kryeministri i vendit theksoi faktin se gjatë viteve kur Partia Demokratike ishte në pushtet, ajo bashkë me shqiptarët ia dolën që të përmbushnin ëndrrat më të mëdha europiane të shqiptarëve. “Ne shndërruam disa nga ëndrrat më të bukura të qytetarëve në realitet dhe me punën e djersën tuaj dhe gjithë shqiptarëve ia dolëm ta bëjmë Shqipërinë anëtare të NATO-s. Rama u përpoq të fuste vizat tuaja në kuti. Ai mbushi Evropën se Shqipëria ka një milion të papunë”, – tha Berisha.

 

“Ne ia dolëm me reforma të heqim vizat për shqiptarët, që të lëviznin të lirë në mbarë Europën. Me mund dhe sakrifica ia dolëm që ekonomia që ishte më e falimentuara në Europë, të rrijë në krye të ekonomisë së Europës; së bashku ia dolëm të dyfishojmë pensionet dhe rrogat. Sot ekonomia shqiptare është një nga ekonomitë më entuziaste”, – deklaroi Berisha. Kandidati i koalicionit qeveritar kandidon për herë të dytë për Bashkinë e Peqinit.

Comments are closed.