Home Lajme Sport Besa, trajneri Magani redukton grupin në 25 vetë

Besa, trajneri Magani redukton grupin në 25 vetë

272
0

Grupi kavajas është seleksionuar nga stafi teknik, por në vazhdim mund të ketë të tjera “krasitje”

 

Nga Feriz Ferizaj

 

Me Besën e trajnerit Guash Magani stërviteshin deri dje një numër i lartë futbollistësh, por tashmë është bërë seleksionimi i tyre. Nga 37 futbollistë që ishin në dispozicion të stafit teknik të kavajasve, në vazhdim do të jenë 25, që do të thotë se nga grupi kanë mbetur jashtë 12 vetë.

Bëhet fjalë për 12 futbollistë të rinj, të cilët kishin ardhur për t’u provuar te Besa dhe që nuk e kanë mundur ta bindin trajnerin Magani dhe stafin teknik.

“Kemi bërë një seleksionim, duke parë se në stërvitje ishin shumë vetë dhe puna mund të ishte efikase. Janë larguar 12 futbollistë të rinj, që do të thotë se grupi ynë, nga 37 vetë që kishte, do të ketë 25 në vazhdim. Kështu do të punojmë më me qetësi në përgatitjet tona për sezonin e ri,” – ka sqaruar dje trajneri i kavajasve, Gugash Magani.

Të tjera largime – Por grupi mund të reduktohet më tepër në vazhdim dhe këtë gjë e pohon vetë trajneri peqinas:

“Po, mund të ketë të tjera largime gjatë ditëve në vazhdim. Janë disa të rinj kavajas, të cilëve u kemi dhënë edhe një shans. Duke parë si do të shkojnë punët, ndoshta do të vendosim që ndonjëri nga ata të huazohet në ndonjë ekip tjetër, ku do të ketë mundësi të luajnë  titullarë. Kështu do të jetë më mirë për ata edhe për Besën, sepse këta futbollistë përgatiten për të ardhmen,” – ka thënë numri 1 i stolit kavajas.

Kuptohet që kjo strategji ëhstë në të mirë të klubit kavajas, duke ditur se në ekip ka futbollistë me shumë përvojë. Mjafton të përmendim emrat e Poçit, Mihanit, Shametit, portierit Edvan Bakaj e të tjerëve për të kuptuar se të rinjtë nuk do të mund të gjejnë hapësirat e duhura për aktivizim.

Në këto kushte, disa nga ata mund të luajnë rregullisht në ekipe të tjera, ku mund të rriten profesionalisht dhe më pas të jenë gati për fanellën e Besës.

Testi me Tiranën – Besa do të luajë sot pasdite miqësoren e radhës, që në fakt do të jetë një ndeshje luksi, pasi në stadiumin e Kavajës do të vijë Tirana.

Është një tjetër test në kuadrin e përgatitjeve për sezonin e ri, që do të tregojë gjendjen  e të gjithë  futbollistëve. Pritet të aktivizohen të gjithë futbollistët, siç ndodh në raste të tilla.

Deri tani kavajasit kanë zhvilluar 3 ndeshje miqësore, e para me Apoloninë dhe dy të tjerat ditët e fundit me Vlorën dhe Lushnjën.

Besa pritet të jetë një nga pretendentet kryesore për ngjitjen në superligë sezonin e ri dhe për fitimin e titullit kampion të kategorisë së parë.

 

12 futbollistë janë larguar dje nga grupi i ekipit kavajas. Të gjithë janë të rinj dhe nuk ka ndonjë emër të njohur që ka mbetur jashtë vëmendjes së Maganit

 

Sporti Shqiptar Online