Shtrëngimi i kredisë për blerje banesazh nga bankat dhe kthimi i emigrantëve po orientojnë konsumatorët drejt qirave….
Indeksi i çmimeve të banesave për kryeqytetin ra me 0.8% në terma realë, në tremujorin e parë të vitit 2012, sipas të dhënae nga Banka e Shqipërisë. Ndryshimi vjetor i këtij indeksi në tremujorin e katërt të vitit 2011 ishte -3.8%. Zhvillimet e indeksit gjatë dy tremujorëve të fundit kanë rezultuar në një zvogëlim të lehtë të raportit të tij ndaj qirasë dhe ndaj pagës mesatare reale. Në uljen e raportit të parë ka ndikuar edhe rritja reale vjetore e indeksit të qirasë gjatë dy tremujorëve të fundit.
Ecuria e indeksit të çmimeve të banesave është diktuar nga kërkesa e dobët për blerje banese, sipas BSH. Sipas informacionit të marrë nga vrojtimet e besimit, bizneset e ndërtimit kanë vlerësuar një kërkesë të dobët në ndërtim, gjatë tre viteve të fundit. Për rënie të kërkesës për blerje banese dëshmon edhe informacioni nga vrojtimi i aktivitetit kreditues pranë bankave. Më konkretisht, kërkesa e individëve për të marrë një kredi për blerje banese ka ardhur në rënie, duke filluar nga tremujori i parë i vitit 2011. Nga ana tjetër, grumbullimi i inventarëve në sektorin e ndërtimit, bazuar në informacionin e marrë nga vrojtimi i besimit në këtë sektor, sugjeron për një gatishmëri të ulët për rënie të mëtejshme të çmimeve të banesave.