Home Aktualitet Bien çmimet e Trojeve ne Shqiperi me 30%

Bien çmimet e Trojeve ne Shqiperi me 30%

437
0

Kriza ekonomik ka ulur ndjeshëm çmimet e trojeve në zonat industriale dhe bregdetare në Shqiperi. Në kushtet kur tregu i shitblerjes së trojeve ka qenë i ndalur vitet e fundit, çmimet janë reduktuar.

Monitor Print/ Nëse udhëton me makinë nga Tirana në Durrës, aty ku ndodhet edhe zona më e zhvilluar industriale në Shqipëri, janë të shpeshta tabelat që shkruajnë: “Toka shitet ose jepet me qira”. Të gjitha janë të vendosura mbi troje bosh, të shtrira përgjatë këtij aksi, në pritje për t’u “njohur” me blerësin e radhës. Ndonëse aksi Tiranë-Durrës konsiderohet si një nga më të preferuarit për investitorët, shumë prej këtyre tabelave janë aty prej muajsh (apo vitesh).

E njëjtë është situata edhe në zonat turistike, me gjithë rritjen e vazhdueshme të numrit të turistëve të huaj dhe vendas.

Ulja e parasë në qarkullim dhe e investimeve duket se ka rënduar edhe tregun e trojeve në vend. Të dhënat e fundit nga agjencitë imobiliare, që prej vitesh ndërmjetësojnë shitblerjen e tyre, konfirmojnë uljen e interesit dhe çmimeve.

Tregu i shitblerjes së trojeve ka qenë thuajse i ngrirë për dy vitet e fundit, ku interesi dhe shitjet kanë qenë shumë të pakta. Efektin kryesor e ka dhënë kriza ekonomike, që ka futur në vështirësi blerësit potencialë të trojeve, bizneset.

Në një kohë kur të gjesh para është bërë mjaft e vështirë, sipërmarrësit kanë hequr dorë nga investimet, duke ruajtur mesa munden likuiditetet. Kjo ka sjellë edhe uljen apo stopimin e shitblerjes së trojeve.

Tani kompanitë e mëdha, sidomos ato të huaja, po mendohen më shumë para se të derdhin paratë në një investim të ri.

“Problemi qëndron më shumë tek investitorët e huaj, të cilët, përballë një krize në vendin e tyre, kanë ndaluar së investuari”, thonë agjentët.

Por, megjithatë, të gjithë agjentët theksojnë se Shqipëria mbetet një vend interesant dhe i sigurt për aq kohë sa këtu çmimet janë shumë më të lira se në shtetet e tjera fqinje.

Shqipëria është i vetmi vend në rajon që në një periudhë të tillë krize, i ka ulur pak çmimet e pasurive të patundshme. Nga ana tjetër, tregu në Shqipëri është ende kaotik dhe i segmentizuar dhe operatorët nuk ndikojnë te njëri-tjetri ashtu siç ndodh në çdo vend të rajonit, rreth nesh. Edhe pse ndërtimet zënë pjesën kryesore të zhvillimit ekonomik në vend, mungojnë studimet e tregut, të mjedisit, arkitekturës, planifikimit, urbanizimit, si modele që zbatohen prej dhjetëra dekadash sot, kudo në botë.

Në Shqipëri dhe sidomos në kryeqytet, firma të ndryshme ndërtojnë objekte banimi, sepse pothuajse të gjithë dëshirojnë të posedojnë apartament apo një pronë në Tiranë. Mirëpo jo në pak raste, këto troje e apartamente nuk blihen për shkak të tregut të paorganizuar. Njerëzit shpesh nuk pëlqejnë infrastrukturën, zonën ku ndodhet prona. Ekspertët imobiliarë thonë se tregu duhet riorganizuar, që nga krijimi i degëve të specializuara në arsimin e lartë për pasuritë e paluajtshme, me metoda të sakta licencimi për këtë treg për firmat që do të duan të përfshihen në të, apo krijimi i fondeve të financimit.

Bien çmimet

Kjo situatë ka çuar për herë të parë, pas shumë vitesh, në uljen e çmimeve të trojeve në të gjithë vendin. Shitësit e kanë tashmë të qartë se, nëse nuk do të reduktojnë çmimin, nuk do të mund të shesin pronën e tyre.

“Çmimet janë ulur në të gjitha zonat, në nivelin deri në 30%”, thotë Dritan Caka, drejtues i agjencisë imobiliare në Tiranë, “Dev Information”.

Në aksin Tiranë-Durrës, sot vlera e një m² është 100-150 euro, ndërsa një vit më parë, shitjet ishin në vlerën e 200-250 euro/m².

Çmimet kanë rënë në aksin Tiranë-Vorë, që është edhe zona më e kërkuar për ndërtime industriale, për shkak të afërsisë me kryeqytetin.

Pas Vorës dhe drejt Durrësit, çmimet mund të arrijnë në 100 euro/m².

Por edhe në zonat e preferuara turistike, trendi mbetet i njëjtë, pak shitje dhe çmimet në rënie. Në bregdetin e Jugut, çmimi maksimal sot nuk i kalon 120 euro/m², ndërsa më parë ishte 150-200 euro/m². Edhe në zonën e Gjirit të Lalëzit, që është shndërruar vitet e fundit në një destinacion të frekuentuar për plazh, trojet shiten 80-90 euro/m², ndjeshëm më ulët nga niveli i 120-130 euro/m².

Agjentët e lidhin rënien e çmimeve jo vetëm me krizën dhe uljen e fuqisë blerëse në tërësi, por edhe me një fenomen normal të një tregu aq të fryrë në çmime sa ishte ai trojeve.

“Në fakt, duhet thënë se çmimet tashmë kanë shkuar në nivelin normal apo të pranueshëm në përshtatje me atë që ofrojnë, por edhe me kërkesat e tregut. Ky është një fenomen që pritej, për sa kohë çmimet e trojeve, sidomos në disa zona, ishin të fryra”, argumenton Dritan Caka.

Rikthehet interesi

Por rënia e çmimeve ka rikthyer interesin e blerësve potencialë të trojeve. Agjencitë po regjistrojnë rritje të kërkesave për të blerë në zona industriale dhe bregdetare, falë çmimeve shumë më të arsyeshme se më parë.

Zonat e bregdetit kanë zgjuar interesin e investitorëve nordikë, të cilët kanë blerë troje në Jug të vendit, por edhe në Spille, Vilë Bashtovë apo Gjiri i Lalëzit, që janë në afërsi të Durrësit. Investitorët më të shumtë kanë mbërritur nga Holanda, Norvegjia apo Suedia.

Fakti që në pjesën më të madhe të këtyre zonave ka tashmë plane zhvillimi i ka bërë investitorët më të sigurt për të hedhur paratë e tyre. Nga ana tjetër, edhe niveli i çmimeve është tërheqës. Bregdeti verior, që nga Lezha dhe deri në Shkodër duket se mbetet larg vëmendjes për investitorët e huaj.

Sa i përket zonave industriale, të huajt duken shumë më pak. Këtu janë vendasit, kryesisht sipërmarrës që kërkojnë të ngrenë godina për bizneset e tyre, me qëllim hapjen e njësive të reja ose zgjerimit të atyre aktuale.

Fakt është që trojet industriale nuk shihen si një biznes investimi, nga i cili mund të fitosh më shumë para nëse e shet më vonë, kjo sepse nuk pritet të ketë ndonjë rritje të mëvonshme në çmimet e trojeve.

Por, nga ana tjetër, problemet me titujt e pronësisë mbajnë larg mjaft të huaj. “Ato raste kur ka blerje apo investime të të huajve në zona industriale apo turistike janë kur ka bashkëpunim me një kompani shqiptare. Kjo ndodh sepse janë pikërisht vendasit që mbulojnë burokracitë në vend dhe janë një garanci, pasi njohin mirë vendin dhe problematikat e tij”, thonë agjentët.

 

Çmimet e trojeve

 

Zona                                                    Çmimi (euro/m²)

                                                ISHTE             ËSHTË

Bregdeti (Jugu+Durrësi)           50-150                         25-120

Kashar                                     150                              100

Mullet                                      50-60                           50

Sauk, Lundër                           120-150                       100-130

Tiranë-Vorë                             150-200                       100-150

Vorë-Durrës                             100-150                       80-120

 

Nga Laura Çela /Burimi:Agjencitë Imobilare/peqini.com