Birësimet ne SHBA dhe Kanada, moda e fundit për emigrimin

Biresimet ne SHBA

Femijet nën moshen 18 vjeç, birësohen nga familje që jetojnë në SHBA dhe Kanada.

Shumë shqiptarë, të joshur nga një jetë më e mirë përtej Atlantikut, kanë gjetur një modë të re emigrimi. Gjithkush që ka një familjar, mik apo shok në SHBA dhe Kanada mund të dërgojë fëmijët për të jetuar me ta, mjafton që “emigranti” të mos jetë mbi 18 vjeç. Në Gjykatën e Tiranës janë dhjetëra vendime ku të miturit nën 18 vjeç janë birësuar nga familje shqiptare që jetojnë në Shtetet e Bashkuara të Amerikës apo në Kanada, duke “ligjëruar” edhe emigrimin. Më poshtë po publikojmë dy vendime, ku fëmijët që duan dhe pak muaj të mbushin 18 vjeç janë birësuar nga familje shqiptare që jetojnë në SHBA dhe Kanada.

Emigrimi në Kanada

Një nga rastet është edhe familja Sulaj që kanë vendosur të birësojnë fëmijën e vëllait të kërkuesit, Edison S., i datëlindjes 16 gusht 1994. Për këtë arsye i janë drejtuar me kërkesë Komitetit Shqiptar të Birësimeve për të birësuar këtë fëmijë. Megjithëse kanë dy fëmijë, arsyetimi para gjykatës është se “me dëshirën që t’i krijojnë më shumë mundësira ekonomike dhe psikologjike, fëmijës së vëllait të kërkuesit, Edisonit, ata kanë kërkuar që ta birësojnë atë”. Pas shqyrtimit gjyqësor rezultoi se nuk ka asnjë pengesë ligjore për lejimin e birësimit. “Kështu fëmija është i mitur, birësuesit kanë një diferencë moshe mbi 18 vjeç me fëmijën, kërkuesit nuk janë të paralindur, vëlla apo motër me fëmijën, nuk janë as kujdestarë të fëmijës. Kërkuesve nuk u është hequr nga gjykata përgjegjësia prindërore, nuk vuajnë nga ndonjë sëmundje psikike apo të kenë zhvillim mendor të metë, si dhe nuk vuajnë nga ndonjë sëmundje që vë në rrezik jetën e fëmijës. Fëmija që kërkohet të birësohet nuk është i prindërve refugjatë, ai është nip i kërkuesit”, pohon gjykata, duke shtuar se “kërkuesit gëzojnë personalitet shumë të mirë, kanë arsimimin dhe kulturën e duhur për të edukuar sa më mirë një fëmijë, kanë të ardhura të mjaftueshme financiare, kushte të përshtatshme për banim dhe jetesë normale familjare, por sidomos kanë një dëshirë mjaft të madhe për të pasur këtë fëmijë, të cilit do t’i ofrojnë shumë dashuri e ngrohtësi familjare”. Ndërkohë, personat e tretë, prindërit e fëmijës, u shprehën përpara gjykatës se janë dakord me këtë birësim. Sipas tyre, kërkuesit do t’i ofrojnë fëmijës një jetë më të mirë ekonomike e psikologjike dhe mundësi edukimi në shtetin kanadez.

Emigrimi në SHBA

Gjykata e Tiranës ka shqyrtuar edhe kërkesën e dy prindërve që dëshirojnë që djali i tyre, Kreshnik S., të birësohet te familja Martinaj, banues në SHBA. Kërkuesit kanë pohuar në gjykatë se kemi miqësi të ngushta familjare me familjen Martinaj prej vitesh, të cilët kanë jetuar në Lezhë më parë dhe tani jetojnë në Amerikë. Çifti Martinaj janë edhe kumbarët e Kreshnikut, dhe si të tillë e kanë trajtuar Kreshnikun si fëmijën e tyre duke e ndjekur në të gjitha festat dhe gëzimet që ai ka pasur. Gjithashtu edhe Kreshniku ka marrëdhënie shumë të afërta me ata dhe me fëmijët e tyre. “Duke vlerësuar faktin që vetë Kreshniku dëshiron që të jetojë me ta, dhe ne si prindër mendojmë se duke iu dhënë mundësia të jetojë në SHBA, do të ishte në interesin më të lartë të fëmijës për të ardhmen e tij dhe për shkollimin e tij sa më të mirë”, pohojnë prindërit në gjykatë, duke shtuar se edhe çifti Martinaj ka shprehur dëshirën dhe ka filluar procedurat për birësimin e fëmijës pranë Komitetit Shqiptar të Birësimit. “Ne si prindër e njohim mirë edhe familjen Martinaj që do ta birësojë fëmijën dhe lidhjen afektive të tyre me Kreshnikun, prandaj japim pëlqimin që ai të birësohet nga kjo familje”. Pas pëlqimit të vetë Kreshnikut, i datëlindjes 1994, gjykata aprovoi birësimin.

Kërkesa

“Motër, më bëj një fëmijë”

Një çift i është drejtuar gjykatës për të birësuar një fëmijë. Pas martese ata nuk kishin fëmijë biologjikë. Nga shqyrtimi gjyqësor rezultoi se fëmija Rutra J., është fëmija i motrës së kërkueses, që kanë pasur tre fëmijë të seksit femër. “Nisur edhe nga marrëdhëniet shumë të mira që ata kishin dhe për shkak të pamundësisë së tyre nga ana shëndetësore për të pasur fëmijë të tyre biologjike, kanë rënë dakord me personat e tretë që ata të lindnin një fëmijë me qëllimin që ai të rritej dhe të mbahej nga ana e kërkuesve si fëmija i tyre. Rutra ka lindur në muajin maj 2011 dhe de facto nga momenti që ka lindur dhe në vijimësi është mbajtur nga ana e kërkuesve në shtëpinë e tyre dhe ka jetuar së bashku me ta. Çifti ka vendosur ta birësojë”, pohon gjykata, që shton se me këtë kërkesë kanë qenë dakord edhe prindërit biologjikë.

Gjykatë

“Birësimi për një vajzë”

Një nga rastet më interesante të birësimit të një fëmije në Gjykatën e Tiranës është edhe kërkesa e çiftit Çollaku. Nga martesa kanë një fëmijë, ndërsa kërkuesja ka edhe dy fëmijë nga një martesë e mëparshme me të ndjerin A.L. “Në gjykim kërkuesit pohuan se ata kanë një familje të lumtur, ku mirëkuptimi dhe harmonia është prezente midis anëtarëve të saj. Nga dëshira për t’i dhënë një fëmije në nevojë afeksionin dhe dashurinë e një vatre familjare, nisur edhe nga dëshira që ka ekzistuar jo vetëm te kërkuesit për të pasur një vajzë, por edhe te fëmijët për të pasur një motër, ata kanë vendosur që të birësojnë një fëmijë dhe për këtë kanë nisur procedurat përkatëse. Fillimisht, Komiteti Shqiptar i Birësimeve ka vendosur të miratojë kërkesën e çiftit Çollaku për birësimin e të miturës Samanta e datëlindjes 27 janar 2011, me një periudhë prove për çiftin prej 2 javësh. Pas raportit psikosocial, ata kanë filluar procedurat e birësimit dhe në fund gjykata ka aprovuar kërkesën e këtij çifti.

Comments are closed.