Dinamo dhe Besa do të jenë përballë në një tjetër beteje për t’u fituar
Sot Dinamo do të kërkojë të fitojë një tjetër trofe për ta shtuar në “palmaresin” e klubit 18 herë kampion të Shqipërisë. Dinamo e ka fituar gjatë edicionit 2008-2009 këtë trofe nën drejtimin e trajnerit kroat Zllatko Daliç, duke mposhtur Vllazninë në finale me dy gola të shënuar nga Petriçeviç dhe Jusufi. Tashmë, pasi kanë fituar titullin kampion në kampionatin e fundit kombëtar, blutë kryeqytetas do të vihen përballë Besës, fituese e Kupës së Shqipërisë në finalen e “Qemal Stafës” (09/05.2010 Vllaznia-Besa 1 2 pas 120 minutave lojë).
Në fakt, në tri përballjet e fundit midis dy skuadrave finaliste në Superkupë, blutë kanë triumfuar një herë në stadiumin “Besa” të qytetit të Kavajës dhe dy herë në “Qemal Stafa”. Veç kësaj, Besa nënkampione e vendit deri në përfundim të kampionatit të fundit, ka pasur një distancë të konsiderueshme pikësh (8) karshi Dinamos së vendit të parë. Sot, në këtë “përleshje”, të dyja skuadrat vijnë me ndryshime në organikën e tyre, pasi në në kampin blu, por edhe atë kavajas, ka pasur ndryshime në merkaton e verës.
Nga Dinamo janë larguar pak lojtarë, për të ardhur disa të tjerë, ku blerjet më të spikatura janë ato të Gjergji Muzakës nga Tirana, Isli Hidi nga Krivbas (Ukrainë), Nestor Martinena, Gimnasia La Plata (Argjentinë), por edhe disa afrime të tjera. Janë larguar nga kampi blu lojtarë me përvojë, si Bekim Kuli, Elvis Kotorri (Shkumbini), Papa Diop (Alfaisaly FC, Arabi Saudite), të cilët kanë dhënë një kontribut të pamohueshëm në fitimin e titullit kampion jo vetëm në sezonin e fundit, por edhe gjatë atij 2007-2008.
Ndërkohë që Besa, pas një kampionati për t’u vlerësuar, tashmë nuk ka më atë përbërje luksi si një vit më parë. Shumë lojtarë janë larguar, duke filluar nga portieri Shehi, i cili u transferuar tek Skënderbeu, për ta mbyllur me repartin sulmues, ku golashënuesi më i mirë i superiores, Daniel Xhafaj, ishte një nga largimet e para drejt skuadrës së Flamurtarit.
Presidenti Nexhat Bizhdili ka afruar disa futbollistë të rinj në kampin kavajas, ndërkohë që mesfusha, me Poçin, Mihanin në qendër dhe Cikalleshin në të djathtë, duket reparti më pak i prekur i verdhezinjve, pasi vetëm Bledi Shkëmbi, i transferuar në Korçë, mungon në këtë sektor. Gjithsesi, do të jetë fusha e blertë, sot në stadiumin “Niko Dovana”, në orën 20:30 që do të ndajë pretendimet e të dyja skuadrave. Dinamovitët e vlerësojnë maksimalisht këtë sfidë dhe kërkojnë patjetër fitore në finalen e Superkupës.
Në krahun tjetër, drejtuesit blu kanë vendosur një premio të majme, ku siç është bërë e ditur, çdo futbollist do të përfitojë 1000 mijë euro në rast triumfi. Trajneri Luiz Blanko e komenton kështu këtë sfidë, përpara startit të saj: “Jemi plotësisht të gatshëm për t’u përballur me Besën. E njohim kundërshtarin, edhe pse jo në të gjitha pikat.
Por më shumë njohim forcën e Dinamos dhe jemi të bindur për sukses. Unë gjithmonë them që në të tilla finale, ku bëhet fjalë për trofe, s’ka vend për nënvleftësime ndaj kundërshtarit dhe ne nuk do të tolerojmë. Duhet të jemi gjatë gjithë kohës të përkushtuar. Duhet të japim maksimumin në fushën e blertë. E kemi përgatitur me shumë entuziazëm këtë sfidë. Duhet të arrijmë këtë objektiv dhe më pas të vazhdojmë të qetë punën tonë në kampionat,”- shprehet tekniku argjentinas i bluve, Luiz Blanko.
http://www.sportishqiptar.com.al/blanko-jemi-gati-per-tu-perballur-me-besen/