VLORE – “Kam ardhur në Shqipëri pasi shoku im do të fejohej me një vajzë vlonjate. Do të kalonim pak ditë pushime këtu dhe më pas do të rikthehesha në Itali. Nuk kam aspak lidhje me akuzat që më bëhen”. Kështu është shprehur dje në Gjykatën e Vlorës 32- vjeçari Guiseppe Simonelli apo siç njihej ndryshe si “Paço” i “Ndranghetës”, i cili u arrestua tri ditë më parë për “trafik ndërkombëtar të drogës” dhe “pjesëmarrje në organizata kriminale”. Bosi i mafies italiane u la në burg nga Gjykata e këtij rrethi, derisa në afatin brenda 40 ditëve të kryhen edhe procedurat ndërmjet institucioneve të drejtësisë së të dyja shteteve për ekstradimin e tij në Itali. Trupi gjykues, pasi shqyrtoi dosjen dhe shpalljen nga drejtësia italiane si person në kërkim ndërkombëtar me akuzat e mësipërme, vendosi të vlerësojë të ligjshëm arrestimin e tij. Gjithashtu, gjykata caktoi masën e sigurisë “arrest me burg”, duke cituar nenin 232 të Kodit Penal, deri në pritje të kërkesës për ekstradim të autoriteteve italiane. Simonelli, i cili përfaqësohej nga një avokat i caktuar kryesisht nga gjykata, i kërkoi trupit gjykues lirimin si dhe deklarimin si të paligjshëm të arrestimit të tij. Sipas tij, ai nuk ka asnjë lidhje për çka flitet në akuzë. “Unë kam ardhur për pushime së bashku me mikun tim italian. Ai ka një lidhje me një vajzë shqiptare dhe këto ditë do të bënte zyrtarizmin e lidhjes. Pas disa ditësh do të ktheheshim në Itali”, është shprehur 32-vjeçari. Pritet që materialet ndaj shtetasit italian, i cili ishte në kërkim nga Interpoli, t’i kalojnë Prokurorisë së Përgjithshme dhe më pas, në sajë të procedurave dhe marrëveshjeve mes dy shteteve, të bëhet edhe ekstradimi. Nga hetimet e kryera ka rezultuar se 32-vjeçari nuk rezulton të ketë aktivitete në Shqipëri dhe as precedentë, gjë që mund ta shtynin ekstradimin. Në sajë të hetimeve të palës italiane, 32-vjeçari rezulton të jetë kreu i një organizate kriminale dhe trafikimit të drogës, e cila operonte aktivitetin e saj që nga vendet e Amerikës Qendrore dhe Jugore, si Kolumbia dhe Ekuadori, drejt Italisë. Këtë rrugë ai e bënte të paktën dy herë në muaj. Mësohet se Simonelli ishte shpallur në kërkim ndërkombëtar pak ditë më parë. Ai është lënë të kalojë në kufi, me qëllim që të mbahej në survejim për të zbuluar veprimtari të mundshme në Shqipëri. Por, gjatë survejimit ka rezultuar se si kishte ardhur si pushues, ndaj është ndaluar në sajë të një operacioni të organizuar në zonën e Radhimës, teksa ishte në shoqërinë e mikut të tij italian dhe të një shtetasi shqiptar. q.b