Një grup amerikan i të drejtave të njeriut i ka bërë thirrje qeverive të huaja që të ndjekin penalisht ish-presidentin amerikan Bush dhe disa nga ish-zyrtarët dhe bashkëpunëtorët e lartë për krime lufte, në rast se administrata e Obamës do të dështojë të hetojë faktet gjithnjë e më të shumta që po dalin kundër ish-presidentit amerikan Bush, në lidhje me përdorimin e torturës.
Organizata “Human Rights Watch”, me qendër në Nju Jork, në një raport të saj, të publikuar dje, bëri të ditur se autoritetet amerikane ishin ligjërisht të detyruara që të hetonin shefat e mëdhenj të administratës së Bushit për krime të tilla si tortura, grabitja dhe keqtrajtime të tjera që u janë bërë të burgosurve. Në të thuhet se skuadra ligjore e administratës së kaluar ishte pjesë e planit për të përgatitur opinionin publik në lidhje me autorizimin e abuzimeve, që siç duket janë në kundërshtim me ligjin e Shteteve të Bashkuara të Amerikës dhe atë ndërkombëtar.
Përveç Bushit, “Human Rights Watch” përmend edhe emrin e zëvendësit të tij, Dik Çeni, ish-sekretarit të Mbrojtjes, Donald Ramsfeld dhe ish-drejtorit të CIA-s, Tenet, si fajtorë në dhënien e autorizimit për përdorimin e torturës dhe krimeve të tjera.
Grupi i të drejtave të njeriut thotë se hetimi dhe hapja e çështjeve gjyqësore janë të domosdoshme nëse “Shtetet e Bashkuara shpresojnë që të heqin nga imazhi i tyre imazhin e keq që u dhanë ngjarjet në burgun famëkeq të Abu Ghraib dhe atë të Guantanamos si, dhe për riafirmimin e parimit të sundimit të një shteti ligjor”. Akuzat në përgjithësi nuk janë të reja, por ndaj tyre duhet kushtuar vëmendje e veçantë dhe kjo për shkak të shtimit gjithnjë e më të madh të numrit të provave që faktojnë akuzat e bëra prej kohësh. Këto prova gjenden në publikimin e dokumenteve të klasifikuara, në vetë pohimet e bëra nga Bush dhe të tjerët në librat e tyre dhe nga një raport “I rrjedhur” i Kryqit të Kuq Ndërkombëtar, në të cilin flitej për të gjitha praktikat e paligjshme të ndërmarra nga administrata e kaluar.
Autori i raportit të “Human Right Watch”, Reed Brody, tha se kjo çështje meriton sërish vëmendje të madhe për shkak se administrata e Obamës i ka harruar tërësisht detyrimet dhe premtimet e bëra. “Është bërë tashmë fare e qartë që nuk ka asnjë angazhim nga Obama dhe administrata e tij për të marrë përsipër përgjegjësinë me hetimin e çështjeve kur ka kaq shumë prova dhe fakte. Vetëm gjatë këtij viti, kemi pasur deklarata të ndryshme nga Bush, për autorizimin që i bëri disa lloj torturave”.
Sipas Organizatës së Mbrojtjes së të Drejtave të Njeriut, Bush dhe bashkëpunëtorët e tij gjatë viteve të Presidencës mund të hetohen të gjithë në bazë të Ligjit të Krimeve të Luftës, në 1996-n, si dhe për një komplot kriminal sipas ligjeve federale. “Ka mjaftueshëm fakte dhe dëshmi të mundësuara nga informacionet e publikuara gjatë pesë viteve të fundit që jo vetëm sugjerojnë se ishin këta zyrtarë të lartë autorizuesit dhe mbikëqyrësit e dhunimeve të rënda që i kanë bërë amerikanët ligjit ndërkombëtar, por edhe se ata nuk morën asnjë masë për të ndaluar keqtrajtimet, apo nuk ndërmorën asnjë masë dënimi për ata që ishin përgjegjës pasi u ndërgjegjësuan për abuzimet e rënda”, thuhet në raport.
Ky raport e përshkruan ish-zëvendëspresidentin amerikan, Çeni, si “forca kryesore brenda administratës së Bushit, që ka hartuar politikat e paligjshme të burgosjes dhe ka formuluar edhe justifikimet ligjore për këto politika, përfshi torturën”. Ramsfeld, nga ana tjetër, thuhet se ka “aprovuar metodat e jashtëligjshme të marrjes në pyetje që lehtësuan përdorimin e torturës nga personeli ushtarak amerikan në Afganistan dhe në Irak”, dhe sa për ish-shefin e CIA-s, Tenet, ai mbikëqyri përdorimin që amerikanët i bënë torturës së “mbytjes në ujë” dhe se kjo agjenci, pra CIA “zhduku” të burgosurit, duke i çuar ata në burgje të fshehta në vende të fshehta. Sipas organizatës, një hetim duhet të ndërmerret edhe për rolet që ka luajtur Kondoleca Rajs kur ishte këshilltare e sigurisë kombëtare dhe më pas edhe prokurori i përgjithshëm i kohës Ashkrof dhe juristët e administratës që arritën të hartonin justifikimin ligjor për torturën.
Organizata vuri re se në dy dekadat e fundit, në një numër gjithnjë e më të madh vendesh, veçanërisht në Europë, janë aplikuar ligjet universale të juridiksionit në procedimin e personave përgjegjës për krimet e luftës në Ruanda, Ballkan dhe Afrikë. Shtetet e Bashkuara kanë përdorur parimin e juridiksionit universal në rastin e çështjes penale të Çuky Tejlor, djalit të diktatorit Çarls Tejlor që ndodhet tani në gjyq për ndërmarrjen e torturave në Liberi. Sipas autorit të raportit, Reed Brody, deklaroi se në rastin e politikanëve Bush dhe Bler dhe një procedimi të mundshëm penal për ta, ka një dallim mes përgjegjësisë politike dhe asaj penale për urdhërimin direkt të abuzimeve. Megjithatë ai tha se bashkëpunimi i disa vendeve të tjera të Europës me praktika të tilla i detyron ato që të veprojnë. Bush e ka pranuar publikisht se në dy raste, ai ka dhënë miratimin për përdorimin e torturave ndaj të burgosurve. Bush gjithashtu ka autorizuar edhe programet sekrete të burgosjes të ndërmarra nga CIA, sipas të cilëve të burgosurit mbaheshin në vende të panjohura dhe shpesh janë transferuar në vende si Egjipti dhe Siria, ku edhe janë torturuar.