Debatik Curri e ndien se mund të japë më shumë si mesfushor shkatërrues sesa si mbrojtës.Ndonëse në Kombëtare që nga fillimet e tij ka luajtur përgjithësisht në rolin e mbrojtësit, tanimë ai kërkon që trajneri Kuzhe ta provojë një herë edhe si mesfushor.
Duke qenë se në edicionin tjetër të kualifikimeve nga Kombëtarja do të largohet një lojtar si Altin Lala, kosovari i Genxherbiligisë mund të jetë një “prurje” e re në mesin e fushës duke i dhënë më shumë freski dhe qartësi këtij reparti. “Unë ndihem mirë fizikisht dhe do kisha pasur dëshirë që në një ndeshje të tillë miqësore, si ndaj Malit të Zi, të provohesha edhe një herë në mesfushë. Në nisje të karrierës sime kam luajtur si mesfushor ndaj nuk do të jetë një rol i ri për mua. Gjithsesi, kjo është një gjë që duhet ta vendosë trajneri”, ka pohuar dje në mbrëmje për mediat Debatik Curri.
Mal i Zi – Lidhur me ndeshjen e së mërkurës kosovari gjykon se vlen për dy arsye: së pari për të përgatitur ndeshjet kualifikuese të muajit shtator ndaj Francës dhe Luksemburgut, por edhe për të parë gjendjen aktuale të disa lojtarëve pas pushimeve verore. “Për mua të gjitha ndeshjet janë njësoj, si miqësore si kualifikuese. Hyj në fushë për të bërë lojën time pa marrë parasysh asgjë tjetër. Të njëjtën gjë do bëj edhe me Malin e Zi, një takim që mendoj se do vlejë për të përgatitur ndeshjet e shtatorit, por edhe për të parë gjendjen e lojtarëve. Nuk di të them nëse do të arrijmë të fitojmë sërish ndaj tyre, por të jeni të sigurt se do të luajmë për të fituar dhe ndoshta këtë herë i mundim jo 1-0 por më shumë”, ka vazhduar Curri. I pyetur për Vuçiniçin, lojtari më i rëndësishëm dhe i rrezikshëm i Malit të Zi, Curri, gati e ka injoruar duke thënë se nuk është aspak më i mirë se Ibrahimoviç, Kristiano Ronaldo etj, lojtarë këta që në Shqipëri nuk kanë mundur të çajnë mbrojtjen kuqezi.
Talentet – Ndërkaq, Curri ka prekur paksa edhe temën e rinovimit të ekipit përfaqësues duke u ndalur më së shumti te ish-shoku i tij te Vorskla Poltava, Ahmed Januzi. “Shikoni, kam lexuar gjatë këtyre ditëve në gazeta për faktin se Kuzhe nuk ka grumbulluar lojtarë të rinj për këtë miqësore, unë personalisht nuk mundem në asnjë rast të gjykoj trajnerin, pasi ai bën zgjedhjet e tija, por mendoj se Kombëtares i duhet një lojtar si Januzi. E kam ndjekur shumë gjatë muajve të fundit në ndeshjet e Ligës së Europës dhe ai është rritur mjaft si lojtar. Mendoj se mund të luajë si në rolin e Bogdanit dhe të Salihit. Gjithsesi, për këtë ndeshje ai nuk do të kishte qenë i gatshëm pasi mësova që është dëmtuar, prandaj edhe nuk u aktivizua në takimin e fundit të Ligës së Europës”, ka thënë kosovari i mbrojtjes kuqezi.
Shorti – Dhe, në fund, Debatik Curri prek edhe temën e shortit të Shqipërisë për Botërorin e 2014-s. Sipas tij, Kombëtarja nuk mund të kishte short më të ekuilibruar dhe të favorshëm. “Unë shortin nuk e shikoj në aspketin financiar, por sportiv, pra si futbollist ndaj mendoj se ishte shorti më i ekuilibruar dhe i favorshëm që mund të na binte. Me të gjitha skuadrat ne kemi mundësi që të fitojmë të paktën ndeshjet në fushën tonë, gjë që nuk do ta thosha në rastin konkret me grupin aktual që kemi, pasi Franca është një super-skuadër. Ndërsa për botërorin e 2014-s asnjëra nga skuadrat që kemi në grup nuk është e një niveli që nuk të lë as të imagjinosh për t’u marrë pikë, ndaj e mira është që të provojmë fatin tonë”, ka përfunduar Curri.
Si ndryshon ekipi nëse Curri luan në mesfushë
Shqipëria/ Skema: 4-3-1-2
Në portë: Ujkani
Në mbrojtje: Dallku, Cana, Teli dhe Vangjeli
Në mesfushë: Bulku, Curri, Agolli dhe Bakaj
Në sulm: Bogdani, Salihi
Mungojnë gjashtë, mbërrijnë sot
Samir Ujkani (Novara), Kristi Vangjeli (Aris Selanik), Armend Dallku (Vorskla Poltava), Ervin Bulku (AZAL PFC Baku), Jahmir Hyka (FC Luzern) dhe Lorik Cana (Lazio) do t’i bashkëngjiten vetëm sot Kombëtares. Ata nuk kanë munduar që të udhëtojnë dje nga vendet ku luajnë, pasi pasditen e djeshme kanë qenë në aktivitet me skuadrat ku militojnë. Ndaj, gjashtë lojtarët e mësipërm nuk do të jenë në dispozicion të Kuzhes vetëm për seancën e paradites.
Tri seanca për Malin e Zi
Trajneri i Kombëtares shqiptare ka programuar vetëm tri seanca stërvitore për ndeshjen miqësore ndaj Malit të Zi, e cila do të luhet të mërkurën në mbrëmje në stadiumin “Loro Boriçi” të qytetit të Shkodrës. Sot, ekipi do të zhvillojë dy seanca, një paradite dhe një pasdite, ndërsa nesër vetëm një seancë pasdite. Ndërkohë që janë planifikuar edhe dy konferencë për shtyp, me lojtarë dhe trajnerin e ekipit përfaqësues.
Biletat, ja se si mund të blihen
Një biletë e tribunës qendrore në “Loro Boriçi” të Shkodrës kushton 12 mijë lekë të vjetra. Çmimi është bërë zyrtar nga ana e zyrtarëve të Federatës Shqiptare të Futbollit. Ndërsa për karshi biletat do të kushtojnë 8 mijë lekë të vjetra dhe anësoret 3 mijë lekë të vjetra. Ndërkaq, veç shërbimit on line të vënë nga kompania që shet biletat nëpërmjet FSHF-së, në Tiranë do të jenë të hapura edhe tri biletari për të gjithë tifozët që duan të ndjekin ndeshjen.
Leonard Karaj