Daniel Godelli thyen rekordin e Lojërave Mesdhetare në stilin e shkëputjes duke ngritur 151 kg. Godelli mori 2 medalje ari në peshën 69 kg në Mersin të Turqisë.
Sportisti nga Peqini ka ngritur 151 kg në stilin e shkëputjes duke thyer me vetëm 1 kg rekordin e këtyre lojërave. Në stilin e shtytjes Godelli ka ngritur 174 kg duke zënë vendin e parë e duke marrë edhe në këtë stil medaljen e ari.
Në peshën 69 kg për meshkuj ka konkurruar edhe Briken Calja, i cili është renditur ne vendin e tretë, duke sjellë në Shqipëri dy medalje bronzi.
Këto janë lojërat e 18-ta mesdhetare, të cilat po mbahen në Turqi. Lojërat kanë filluar më 20 qershor dhe do zgjasin deri më 30 qershor. Shqipëria përfaqësohet në këto lojëra nga 175 sportistë në 14 disiplina të ndryshme.