Daniel Godelli, peshëngritësi kuqezi, që përfaqësoi Shqipërinë në Londër 2012 dhe kampion Europe në stilin e shkëputjes për moshat në vitin 2008, është ndaluar nga policia e Elbasanit për armëmbajtje pa leje.
20-vjeçari është ndaluar mesnatën e së Enjtes në qendër të qytetit të Peqinit teksa ishte nën drejtimin e një automjeti tip Audi me targa të huaja. Peshëngritësit iu gjetën në makinë dy pistoleta të cilat dyshohet se janë në pronësi të tij.
Kontrolli në mjetin e Godellit nga forcat e rendit nuk ka qënë i rastësishëm pasi ai është bërë në bazë të disa informacioneve që policia kishte marrë në rrugë operative. Ky nuk është rasti i parë që Godelli ndalohet për armëmbajtje pa leje, pasi dy vjet më parë atij iu gjetën në banesë armë zjarri dhe municione luftarake. (SS)