Nuk ka vonuar reagimi i deputetit të PD-së, Dashnor Sula, pas vendimit të dhënë nga Komisioni i Disiplinës. Ai e ka konsideruar si totalisht politik dhe i iniciuar nga një pinjoll i ish-regjimit komunist, referuar në këtë mënyrë anëtarit të komisionit, Saimir Xhuglini (nipi i Nexhmije Hoxhës). “Shikoni, unë jam dënuar edhe herë të tjera nga Disiplina, por asnjëherë nuk kam shkuar në federatë për t’u ankuar, pasi e kam ditur se kam gabuar. Por, këtë herë shkova se jam me koshiencë të pastër se nuk kam bërë asgjë që jo vetëm unë, por ca më pak klubi i Shkumbinit të marrë një dënim të tillë. Unë nuk e kam mohuar se kam qenë në dhomat e zhveshjes atë ditë së bashku me dy donatorë të klubit. Por, absolutisht nuk kemi kërcënuar njeri dhe nuk kemi ofenduar askënd. Ca më pak pastaj që të kemi qëlluar me pistoletë. Edhe në relacionin e vëzhguesit thuhej se kishte dëgjuar zhurmë që vinte nga tualeti, por jo se ai kishte parë pistoletë. Kjo të bën të mendosh se gjithçka ka qenë fantazi. Ndërkohë unë e shikoj si një vendim kryekëput politik, pasi jo më kot gjatë këtyre ditëve është marrë vetë Edi Rama me Peqinin. Përveç kësaj, jam dënuar nga nipi i Nexhmije Hoxhës, i cili prej kohësh priste rastin që të më dënonte. Më vjen realisht keq që komisioni nuk mori parasysh jo vetëm arsyetimet e mia, por as edhe hetimin e Prokurorisë së Elbasanit”, ka pohuar Sula për “Panorama Sport”. Më tej, deputeti i PD-së ka theksuar se do të apelojë vendimin dhe më pas do të hapë një padi civile për anëtarët e Disiplinës. “Sigurisht që do ta apelojmë vendimin, pasi jemi në të drejtën tonë dhe besojmë se nuk kemi bërë asgjë për të merituar një ndëshkim të tillë. E thashë se ky dënim është politik dhe bëhet më shumë kundër popullit futbolldashës të Peqinit, i cili më shumë se 65 për qind voton gjithnjë djathtas, por sakaq ju bëj me dije se pasi të marrim të drejtën tonë në Apel, unë personalisht do të hap një padi civile, jo për të përfituar nga kjo e fundit, por për të vënë në vend nderin e një qyteti. Tani na pret një ndeshje e vështirë në Shkodër, ku ne do shkojmë për të marrë pikët tona pa bërë llogari të askujt, ashtu siç kemi bërë gjithnjë gjatë këtij kampionati. Jam i sigurt se Shkumbini, edhe pse me djem të rinj, ka kapacitete për të qëndruar në Kategorinë e më të mirëve, sepse e meriton një gjë të tillë”, përfundoi Sula.