Mesfushori verdhekuq pranon superioritetin e Interit: Por nuk janë të pathyeshëm. Rinovimi? S’është problem
Sezoni i ri pothuaj filloi. Daniele De Rosi filloi vitin e ri futbollistik në fushën e Levantes, në Valencia: hera e fundit kur De Rosi po largohej nga “Elis Park” pas humbjes 3-2 ndaj Sllovakisë, që largoi Italinë nga Botërori. I duhej një periudhë e gjatë pushimesh Danieles për të marrë veten nga një sezon frenetik i lënë pas. “Pushimet bëjnë gjithnjë mirë. Pata mundësi të pushoja, të qëndroja me vajzën time dhe të kënaqesha me miqtë.
Të largohesh për një farë kohe është e domosdoshme. Jam dhe kundër idesë për të zbritur në fushë që në 6 janar: më mirë të ngjeshet pak kampionati sesa të na shkurtohen pushimet.” Ndërkohë, lojtari foli dhe për Romën e tij dhe Superkupën e Italisë: “Ekipi më pëlqen shumë. Adriano dhe Simplisio janë dy blerje të goditura. Ndeshja e 21 gushtit është objektivi ynë i parë, hapi i parë drejt një sezoni të ri.
Superkupa është një trofe që përcaktohet nga një ndeshje e vetme. Por, objektivat e vërtetë janë të tjerë. Sigurisht, të rifitonim Superkupën do të ishte bukur. Kur ia arritëm në Milano, në 2007-n, shënova unë.” Kur flet për objektiva të tjerë mendja i shkon tek kampionati dhe Liga e Kampionëve: “Do doja të fitoja diçka. Jemi të “abonuarit” e vendit të dytë.
Në këto vitet e fundit kemi luajtur një futboll të bukur, por ka ardhur koha të fitojmë.” Ndërkohë, për të arritur tek titujt duhet kaluar Interi, që trajneri Ranieri e sheh ende favorit. “Ka të drejtë, Interi është ende skuadra për t’u mundur. Por, nuk është e thënë që duhet të fitojë gjithnjë. Veç Romës janë përforcuar dhe skuadrat e tjera: Juve, Napoli, Fiorentina dhe mbi të gjitha Xhenoa. Ka bërë një merkato të madhe.”
Këtë vit është larguar Mourinjo, për t’i lënë vendin Benitezit dhe De Rosi jep mendimin e tij për këto lëvizje: “Benitez është një teknik i aftë, ka fituar trofe të rëndësishëm gjatë karrierës së tij. Për Interin s’do të ketë probleme. Por, Mourinjo do t’i mungojë Italisë. Ai nuk është vetëm një fenomen mediatik, siç kanë thënë disa. Portugezi është një trajner i madh që ka fituar kudo: Portugali, Angli, Itali. Shkoi në Madrid dhe do të fitojë dhe atje.
Mourinjo kritikohet nga kolegë të tij që kanë fituar vetëm 1/10 e asaj që ka fituar ai.” Në 2012 De Rosit i skadon kontrata me klubin roman dhe pritet që tratativat për zgjatjen e saj të nisin që tani. “Kam folur vetëm për vetëm me presidenten Rosela Sensi përpara se të nisesha për në Botëror. Ishte ajo që më ftoi në zyrën e saj për të diskutuar. Biseda zgjati një orë dhe u informova që klubi verdhekuq kishte hedhur poshtë të gjithë ofertat që kishin ardhur për mua. Jam i qetë. Rinovimi i kontratës nuk do të jetë problem.”
Kundër Levantes
Roma fiton “Trofeun e 100 vjetorit”
Një Super Hulio Serxhio prish festën e Levantes për 100 vjetorin e saj. Në Valencia, një tjetër fitore për Romën e Klaudio Ranierit, që mposhti 5-4 me penallti të zotët e shtëpisë, pasi koha e rregullt ishte mbyllur me rrjeta të paprekura. Vuçiniç, Kaseti dhe Okaka gabojnë 11-metërshat e tyre, por ishte Hulio Serxhio që ndali Stuan, Larrean dhe Zhalid, përpara se Serxhio ta dërgonte topin në traversë dhe t’i jepte kupën Romës. Në të vërtetë verdhekuqtë luajtën thuajse me formacionin e tyre më të mirë, por në fund të 90-të minutave gjithçka u mbyll 0-0. Ndeshja u luajt në Spanjë dhe i nxehti ndikoi në rendimentin e lojës për të dyja skuadrat.
http://www.sportishqiptar.com.al/de-rosi-u-merzita-duke-dale-ne-vend-te-dyte/