Del Piero: Nuk mund të vesh fanellë tjetër përveç asaj bardhezi në Serinë A

Del Piero le Juventusin

Ish-kapiteni i Juventusit ka pranuar se do të vazhdojë karrierën e tij si futbollist, por jashtë Italisë: “Nuk mund të vesh asnjë fanellë tjetër përveç asaj bardhezi në Serinë A”

Alesandro Del Piero nuk ka dhuruar surpriza. Për të njohur të ardhmen e ish-kapitenit të Juventusit duhet pritur akoma. “Vitin e ardhshëm do të luaj sigurisht futboll dhe sigurisht jashtë Italisë sepse nuk do të mund të luaja me një fanellë të ndryshme nga ajo bardhezi në Serinë A. Nuk shikoj nivelin e kampionatit për zgjedhjen, vetëm stimujt”, ka thënë ai. Del Piero më pas ka folur për tifozët: “Dashuria e tyre ka qenë sigurisht një nga gjërat më të bukura”.

“Uroj që numri 10 i Juves të mos peshojë shumë. Uroj që ai që do ta mbajë të mund të ndërmarrë një karrierë të lavdishme si e imja, madje edhe më të suksesshme. Kam bërë shumë me këtë fanellë saqë i uroj të gjithëve të bëjnë të njëjtën gjë. Një lojtar mbetet në mendjet e tifozëve përtej faktit nëse tërhiqet fanella e tij apo jo.

Mendoj se nuk duhet t’i hiqet ëndrra asnjë fëmije që të mund të veshë një ditë atë fanellë”, ka shtuar ai. Duke iu kthyer zgjedhjes që duhet të bëjë: “Nuk bëhet fjalë për të luajtur në Ligën e Kampionëve apo në kampionate të nivelit të dytë. Dua të njoh persona stimulues për të pasur një shkëmbim energjish. Nuk është objektivi im i parë të luaj në një kampionat apo te një tjetër. Si ndihem? Jam i lumtur që po e jetoj këtë periudhë si të isha në ëndërr, është një mënyrë për të përshkruar ndjesinë që provoj për këtë moment.

Nuk jam ndërgjegjësuar akoma plotësisht për atë që po ndodh, nuk arrij të mendoj 100% për atë që ka ndodhur. Por e jetoj në mënyrë të plotë atë që kemi bërë bashkë”. “Familja ime do të më ndjekë. Nga Italia falënderoj ata që janë interesuar për mua, edhe më shumë se një herë. Të gjithëve u kam thënë të njëjtën gjë, i kam falënderuar, por kam theksuar se natyrisht për shumë gjëra e ardhmja ime në Itali nuk mund të jetë me një ekip tjetër.

Do të jetë sigurisht një eksperiencë jashtë kufijve”. Në lidhje me sezonin e sapo mbyllur Del Piero ka shpjeguar se “fitimi i titullit ka qenë maksimumi. E dini mirë sesa më pëlqen të fitoj. Më pas ka ardhur ajo përshëndetje në Torino që më ka drithëruar. Nuk do të rresht kurrë se falënderuar ata që më kanë bërë atë nderim. Por tifozët duhet të jenë të qetë, skuadra është në duar të mira”.

Atyre që e kanë pyetur se çfarë mendon për një të ardhme si drejtues, ndoshta te Juvja, Del Piero është përgjigjur se e shikon veten akoma si lojtar. “Diskutimi për një rol si drejtues është bërë vetëm nga shtypi, – ka thënë Del Piero. – Për momentin kam folur për veten vetëm si futbollist. Duke parë se nuk kam menduar kurrë për mundësinë për të qenë drejtues më duket diçka shumë e largët. E ardhmja ime për momentin është si lojtar”.Përgatiti: DENIS HAKAN/S.SH/Peqini

 

Comments are closed.