Deputeti i Partisë Demokratike, Dashnor Sula, deklaron se figura brenda demokratëve si Lulzim Basha dhe Sokol Olldashi duhet të jenë pjesë e drejtuesve të lartë të kësaj partie. Në një intervistë për “Shqip”, deputeti demokrat i njohur për qëndrimet e tij origjinale, thekson se rezultati tepër i mirë që këta dy përfaqësues arritën përgjatë zgjedhjes së kryesisë së re, do ta shtyjë Kryeministrin Berisha t’i propozojë për të qenë drejtues të partisë, tashmë që zgjedhjet brenda partisë janë në prag. Nga ana tjetër duke folur për Presidentin e ri në vend, Sula thekson se përzgjedhja e tij duhet të bëhet mbi bazën e Kushtetutës dhe nuk është e moralshme që përfaqësuesit e PS-së, të kërkojnë përsëri ndryshime për çështjen e kreut të shtetit. Në lidhje me profilin e Presidentit të ri, Sula, thekson se ai duhet të vijë nga radhët e politikës dhe madje të ketë një eksperiencë të gjatë si politikan.
Debati për zgjedhjen e Presidentit të ardhshëm ka nxehur politikën në vend, ndonëse ky proces pritet të ndodhë vitin tjetër. Mendoni se është e udhës që mazhoranca aktuale t’ia lejë këtë zgjedhje opozitës në vend për të siguruar kështu edhe sheshimin e mosmarrëveshjeve mes palëve?
Në radhë të parë të gjithë duhet të kuptojmë që respekti ndaj Kushtetutës së vendit duhet të jetë parësore në çdo zgjidhje tonën. Duke qenë se në vend Kushtetuta për këtë çështje është respektuar edhe në vitin 2007 që ishte një situatë krejtësisht jo normale për sa i përket bojkotit që bëri opozita. Situata ishte e vështirë, sepse Kushtetuta atëherë kërkonte një shumicë të cilësuar për zgjedhjen e Presidentit me 84 vota. Në këtë kuadër më duket nonsens që opozita t’i kthehet përsëri problemit të zgjedhjes së Presidentit, duke pasur parasysh që ishte kjo opozitë ajo që propozoi ndryshimet kushtuese në vitin 2008. Argumenti kryesor që dha opozita për këtë ndryshim lidhej me faktin se procesi i zgjedhjes së Presidentit krijonte një ngërç politik dhe mund të bëhej shkak për zgjedhje të parakohshme në vend. Tashmë që këto ndryshime janë të implementuara në Kushtetutë, unë gjykoj se nuk është normale në mënyrë absolute që një nen i Kushtetutës i miratuar të mos respektohet dhe të mos ndiqet procedura e duhur. Gjithsesi, mund të them se në politikë ka gjithmonë vend për kompromise politike, por këto kompromise nuk mund të vijnë si rezultat i presionit që mund të ushtrohet nga opozita në këto momente. Kjo kërkesë e opozitës tashmë lidhet me humbjen e zgjedhjeve parlamentare nga ana e Edi Ramës në vitin 2009, duke qenë se Rama ka humbur shumë beteja si rezultat i ndryshimeve kushtetuese që firmosi në vitin 2008. Tashmë për opozitën nuk ka moral që të kërkoj sërish ndryshime të këtij dokumenti. Por gjithsesi, unë mendoj se zgjedhja e Presidentit nuk është problemi kryesor i politikës sot në vend. Mazhoranca dhe opozita aktualisht duhet të fokusohen te puna për reformën zgjedhore, duke qenë se kjo gjë po kërkohet jo vetëm nga partitë në vend, por edhe nga ana e faktorit ndërkombëtar.
Mendoni se Presidenti i Republikës duhet të përzgjidhet nga radhët e politikanëve shqiptarë, apo do të ishte e udhës që ai të ishte një figurë me një profesion jashtë politikës?
Në fillim, Presidenti i ardhshëm i Republikës duhet të jetë një zgjidhje e ligjshme në përputhje me Kushtetutën dhe ligjet e vendit tonë. Për hir të vërtetës, gjatë këtyre 20 viteve në Shqipëri ka pasur më shumë figura presidentësh që vinin nga politika, siç ishte rasti i Presidentit Berisha në vitin 1992, deri diku ai i Rexhep Mejdanit në vitin 1997, por ka pasur edhe një kapërcim si ai i vitit 2002 kur u zgjodh Alfred Moisiu. Ndonëse opsionet janë të hapura, unë personalisht i qëndroj mendimit se Presidenti duhet të vijë nga radhët e politikës. Kjo sepse një President i suksesshëm duhet të ketë një përvojë të madhe në politikë, për të arritur të kuptojë si funksion ajo, duke qenë se marrëdhënia kryesore e tij është me ekzekutivin dhe me legjislativin. Politika i jep atij në këtë kuadër një eksperiencë të nevojshme që të qenë në lartësinë e duhur për detyrën. Duke i shtuar këtu edhe rolin e veçantë që Presidenti ka për sa i përket sistemit të drejtësisë, atëherë mund të them që nevoja për të pasur përvojën e mjaftueshme politike bëhet e domosdoshme. Po kështu parashikoj se ky proces përzgjedhës ka vështirësitë e tij, por mendoj se mazhoranca ka eksperiencën e duhur për ta zgjidhur pa probleme këtë çështje. Po kështu, dua të shtoj se në vend, në shumë raste institucioni i Presidentit nuk është ngritur në nivelin e tij, ndonëse Kushtetuta i jep atij shumë kompetenca më të cilat mund të veprojë në çdo kohë. Këtu e kam fjalën për nevojën e ndërhyrjeve nga Presidenti atëherë kur palët politike krijojnë kriza të stisura.
Në muajin shtator, Partia Demokratike pritet të zgjedhë edhe sekretariatin e saj qendror, një strukturë kjo e rëndësishme për sa i përket organizimit të partisë. Sipas mendimit tuaj, cilat janë kriteret mbi të cilat duhet bërë përzgjedhja e drejtuesve të PD-së?
Këtu fillimisht dua të theksoj se zgjedhjet në Partinë Demokratike për kryesinë e re të kësaj partie ishin tërësisht transparente dhe në përputhje me statutin e kësaj partie. Për sa i përket zgjedhjes së nënkryetarëve, sekretarit të Përgjithshëm në PD dhe po kështu pjesës së sekretariatit, kompetenca e propozimit të emrave sipas statutit i përket kryetarit të PD-së, Sali Berishës. Unë uroj që në krye të këtyre strukturave të propozohen dhe të zgjidhjen njerëz të cilët kanë vite që militojnë pranë PD-së dhe po kështu shpalosin një vizion për sa i përket drejtimit të strukturave të kësaj partie. Në këtë kuadër PD ka nevojë për organizatorë të mirë, të cilët dinë si drejtohet partia nga baza deri në qendër dhe kanë treguar sukses për sa u përket rezultateve të marra në gara elektorale. Partisë Demokratike nuk i mungojnë këta njerëz dhe tashmë pozitive është që në radhët e saj ka një ndërthurje të mirë mes figurave që kanë qenë prej shumë votash pjesë e PD-së dhe të rinjve që janë bashkuar vitet e fundit me demokratët. Kjo ndërthurje e mirë ka sjellë edhe fitoren e zgjedhjeve nga ana e PD-së, nisur nga viti 2005 dhe deri tani. Këtu mund të sjell edhe rastin e vitit 2011, kur në Bashkinë e Tiranës, Lulzim Basha doli fitues. Ndonëse kjo mund të konsiderohet një fitore e PD-së dhe e zotit Berisha, nuk duhet të harrohet që një kontribut të rëndësishëm në realizimin e saj ka edhe vetë Lulzim Basha si individ. Kjo tregon se ne duhet të jemi të kujdesshëm në zgjedhjen e individëve, duhet të jenë ata individë që gëzojnë një respekt të madh jo vetëm brenda Partisë Demokratike, por edhe në shoqërinë shqiptare, sepse këto do të jenë figurat kyçe të komunikimit me publikun. Këtu mund të shtoj se dy personat më të votuar në kryesinë e re të PD-së, ishin pikërisht Lulzim Basha, por edhe Sokol Olldashi dhe në këtë kuadër gjykoj dhe shpresoj se kryetari i PD-së do t’i përzgjedhë ata për të qenë drejtuesit e lartë të kësaj partie.
Cili mendoni se do të jetë qëndrimi i Partisë Socialiste në sesionin e ardhshëm parlamentar? Mendoni se presioni i madh i ndërkombëtarëve për çështjen e reformës zgjedhore do i kthejë përfaqësuesit e saj në Parlament?
Nëse do të kihet vullnet nga ana e opozitës, sepse mazhoranca e ka shprehur vullnetin, gjërat në vend do të shkojnë me të vërtetë mirë. Por nëse zoti Rama do të vazhdojë me të njëjtën politikë bojkoti dhe dhunimi të institucioneve që ka ndjekur gjatë këtyre dy viteve, situata politike në Shqipëri do të mbetet e nderë. Por kjo nuk do të thotë që për hir të kësaj situate, të ketë tolerime jashtë logjikës dhe jashtë moralit politik. Këtë e them, sepse përgjatë këtyre dy viteve unë si politikan kam ngelur shumë i zhgënjyer nga mënyra sesi opozita dhe Rama po bëjnë politikë. Këtu dua të përmend mungesën e opozitës gjatë diskutimeve të drafteve nëpër komisione parlamentare dhe bojkotit parlamentar. Në këtë kuadër uroj që Rama të ketë ndryshuar qëndrim në mënyrën sesi do të vazhdojë të bëjë politikë duke nisur nga muaji shtator që çelet dhe sesioni i ri parlamentar. Uroj që ai të kuptojë nevojën që ka vendi për reforma, nisur edhe nga sfidat e mëdha që na presin gjatë rrugës së integrimit në Bashkimin Europian. Lideri i opozitës duhet të çlirohet nga makthet e ardhjes në pushtet sa më shpejt dhe marrjes së pushtetit në mënyrë të dhunshme, por duhet të kuptoj se e vetmja mënyrë për marrjen e pushtetit në një qeveri demokratike, është ajo përmes votës së lirë dhe alternative që do t’ju ofrohen shqiptarëve.