Seancat maratonë të përballjes së Kadri Hazbiut me hetuesit kanë zbuluar edhe një fakt të panjohur: Jo të gjithë të dënuarit me vdekje shkonin para skuadrës së pushkatimit!
vijon nga numri i kaluar…
Të paktën nga pohimet e gardianit të burgut, Hodo Bega, për llogari të procesit të Kadri Hazbiut ndriçohen mbi 20 raste të tilla. Duke iu referuar praktikës kur shërbente në Korçë (1952-1953), zyrtari i Sigurimit të Shtetit dëshmonte se të burgosurit sekret të përzgjedhur mes të dënuarve me vdekje ruheshin në fshehtësi të plotë rreth dy tre vjet dhe pastaj transferoheshin me urdhër në Tiranë. Ai, veç rastit të Kadri Shalës dhe dy vëllezërve që nuk u ekzekutuan sipas vendimit të gjyqit, kujtonte praktikën me të arrestuarit Mustafa Myslimi, Sinan Hamiti, Pertef Bajrami e Pirro Xhezo që u veçuan nga grupi i të dënuarve me vdekje si pjesëtarë të organizatës “Bashkimi” që vepronte në Tiranë e në Vlorë”. “Aty nga viti 1962, pohonte Bega, dy ndër ta erdhi dhe i mori Qemal Balluku (vëllai i Beqirit, në atë kohë oficer i lartë i Ministrisë së Brendshme-shënim) dhe i çoi në Tiranë. “Çfarë ka ndodhur më tej me ta, ish-gardiani shprehet se nuk u mor vesh kurrë, por mban mend se kur të burgosurit sekret ishin në izolim, takoheshin rregullisht me familjarët. Përtej kronologjisë së ngjarjeve misterioze, përqasja e zyrtarit të Sigurimit për rolin e Mehmet Shehut në to përfshin edhe të akuzuarin Hazbiu. Në vijim të pohimeve të Begës për këtë histori monstruoze, “Panorama” zbardh përgjigjet e ish-ministrit të Brendshëm për akuzat e bashkëpunëtorëve të afërt; Nevzat Haznedari, Rexhep Kolli, Farudin Poçari e Qani Tartale…
Pyetje: Po të njohim i pandehur me dëshminë e bërë nga Hodo Bega më datë 29.6.1983. Ç’ke për të thënë rreth saj?
Përgjigje: Unë e lexova dëshminë e Hodo Begës dhe kam për të thënë se nuk më kujtohet që ai të ketë qenë në burg dhe ta kem nxjerrë unë, duke i thënë se po të liroj me urdhër të Mehmet Shehut. Nuk di gjë për vrasjen e dy vetave që thotë ky në Milot. Mund të jetë një rast dhe pikërisht ai që kam shpjeguar për Preng Lleshin, ish-bashkëpunëtor tradhtar që kishte vrarë 9 ose 10 veta. Vetëm në këtë rast kam urdhëruar unë. Kam shpjeguar se nuk është e vërtetë të kem takuar në burg ose në Hetuesi Liri Gegën dhe Dali Ndreun, siç thotë dëshmitari. Nuk është e vërtetë që të kem qenë me Beqir Ballukun në takim me Teme Sejkon, ku, siç thotë ky Beqiri, e qëlloi me pëllëmbë fytyrës Teme Sejkon. Unë nuk di që në hetuesinë e Teme Sejkos të jetë lejuar të shkonte Halim Xhelua. Këtë të drejtë veç hetuesit e kam pasur edhe unë, Mihallaq Ziçishti, Rexhep Kolli dhe Nevzat Haznedari. Nuk është e vërtetë që të kem takuar mbas dënimit me vdekje Nevruz Bejlerin. Bisedën sekrete nuk mund ta bëja kurrsesi në sytë e Hodos. Nevruzi, e them me bindje të plotë, se është ekzekutuar. Veç dy rasteve që përmenda për mbajtjen e atyre personave mjaft vite mbas dënimit me vdekje, nuk di të tjerë. Për këta është vepruar në bazë të legjendës.
Pyetje: Po të njohim i pandehur me dëshminë e bërë nga Nevzat Haznedari më datë 26.6.1983. Ç’ke për të thënë rreth saj?
Përgjigje: Unë e lexova dëshminë e Nevzat Haznedarit dhe kam për të thënë se nuk di nëse ka qenë ky apo tjetër si hetues i Hamit Matjanit që në fillim. Di se atë e ka marrë, siç më kujtohet mua, qysh në fillim Ferhat Matohiti. Nuk më kujtohet që Nevzatin ta ketë thirrur e kritikuar (në prezencën time) Mehmet Shehu për punë të dobët lidhur me hetimin e Hamit Matjanit. Për përpunimin, të dhënat që kam ditur unë, arrestimin e Dali Ndreut e Liri Gegës, kam dhënë shpjegime. Unë di se Beqir Balluku ka vajtur në hetimin e Teme Sejkos, kur ky kishte filluar të jepte shpjegime që kishte marrë në lidhje Panajot Plakun, dhe jo dy ditë pas arrestimit, siç thotë Nevzati. Siç kam shpjeguar unë, me Beqir Ballukun nuk kam qenë në hetimin e Teme Sejkos, por ai ka qenë bashkë me Nevzatin. Lidhur me deponimet e Teme Sejkos, kam shpjeguar se takimin e Rrogozhinës Teme Sejkoja nuk e sqaroi, sepse kjo ishte mbas takimit të tij me Beqir Ballukun. Unë kam supozuar se mund të ketë qenë Koço Tashko. Për trajtimin e Teme Sejkos në Maminas kam dhënë shpjegime se atë e kanë bërë Rexhep Kolli e Nevzati, ndërsa Mihallaq Ziçishti s’ka qenë. Kur kam vajtur, këta raportuan se kishte vdekur dhe me sa kujtoj, e kam parë të mbytur. Mua nuk më kujtohet që të kem kontrolluar Burgun e Tiranës bashkë me Beqir Ballukun e të jemi parë sy ndër sy me Bedri Spahiun. Nuk më pengonte asgjë që atë ta thërrisja në zyrat e burgut. Nuk më kujtohet që të kem takuar e biseduar me bashkëpunëtorin që ishte në birucë me Tuk Jakovën.
Pyetje: Po të njohim i pandehur me dëshminë e bërë nga Rexhep Kolli më datë 21.5.1983. Ç’ke për të thënë rreth saj?
Përgjigje: Unë e lexova dëshminë e Rexhep Kollit dhe kam për të thënë se për gabimet e mia në Sigurimin e Ushtrisë ky bën konsideracione. Mua nuk më mbrojti Mehmet Shehu, por partia, ashtu siç mbajti këtë e kuadro të tjerë për gabimet që patën në kohën e Koçi Xoxes. “Se nuk duhet t’i japim kuadro Koçi Xoxes” – nuk ishte parullë e tradhtarit Mehmet Shehu, por qëndrim i Partisë sonë në atë kohë. Unë nuk kam ditur materiale për Mehmet Shehun, veç atyre që kam thënë. Nuk është e vërtetë, siç thotë Rexhep Kolli, se paskam zhdukur materiale që më komprometonin mua e të tjerët në kohën që shkova në Ministrinë e Punëve të Brendshme. Me Llambi Peçinin kam pasur shoqëri të zakonshme, dhe jo intime. Për sa i përket zbritjes në bazë, në Tropojë e Kukës, nuk kam shkuar me muaj të tëra, por kam shkuar shpesh në ndihmë të degëve të punëve të brendshme. Po kështu, kam shkuar edhe në rrethe të tjera, sipas ndarjes së punës. Unë nuk kam përvetësuar as meritën e popullit e të Sigurimit lidhur me rezultatet ndaj bandave. Për vrasjen e një bashkëpunëtori në Kukës në ilegalitet në vitet 1950 – 1951 kam dhënë shpjegime se kjo nuk është bërë me dijeninë time. Për shoqërinë time me Panajot Plakun, aq sa kam pasur dhe si është gjykuar në atë kohë mbi arratisjen e tij, unë nuk i kam fshehur asgjë partisë. Sipas gjykimit tonë të atëhershëm, u mendua se diku kishim prekur pa ditur fijet e Panajot Plakut, prandaj u arratis. Për hetimin e armikes Fiqrete Shehu porosia e udhëheqjes ishte që ta kryenin persona që kishin hetuar komplotin e puçin, prandaj u caktua Elham Gjika. Për ndërtimin e strukturës së Sigurimit në qendër dhe heqjen e radio pelengimit kam dhënë shpjegime. Këto janë bërë mbas një gjykimi kolegjial, përfshi edhe Rexhepin dhe me miratimin përkatës. Po ashtu, kam dhënë shpjegime edhe për masat ndëshkimore që janë marrë për arrogancën, prepotencën e familjaritetin në organet e brendshme. Unë kur kam shkuar për gjueti në Velipojë, kam fjetur në postën e kufirit, dhe jo në njerëz të dyshimtë. Luigj Markun e kam njohur si komunist e njeri të nderuar, po kështu edhe gjuetarët e tjerë. Kur ka ditur gjëra Rexhepi, pse nuk m’i ka ngritur? Për Halim Xhelon kam dhënë shpjegime. Të dhënat për të kaluarën e tij diheshin, megjithatë ashtu kemi gjykuar në atë kohë për mbajtjen e këtij personi që nuk e meritonte. Nuk është e vërtetë që Rexhep Kolli ta ketë kritikuar rreptë Halim Xhelon e të ketë kërkuar largimin e tij. Unë për Rukie Ramën nga Tropoja kam njoftuar me shkrim udhëheqjen e partisë, sipas raportit të dhënë nga ata që verifikuan çështjen. Me sa më kujtohet mua, më vonë doli se këtë çështje e fryu një punëtor operativ dhe që ndaj tij është mbajtur qëndrim, por masën nuk e mbaj mend. Unë nuk di nëse janë bërë internime nga Saranda e Gjirokastra në vitin 1978, kur ka shkuar atje për vizitë udhëheqësi, sepse në atë kohë isha për analiza mjekësore në Francë. Më vonë, s’më është ngritur kjo çështje. Unë nuk di për riatdhesime të spiunëve e diversantëve të Vojsava Duros etj., të lejuar nga Feçor Shehu pas ikjes sime nga Ministria e Punëve të Brendshme.
Pyetje: Po të njohim i pandehur me dëshminë e bërë nga Farudin Poçari më datë 21.6.1983. Ç’ke për të thënë rreth saj?
Përgjigje: Unë e lexova dëshminë e Farudin Poçarit dhe kam për të thënë se për ndërprerjen e punës në drejtim të Jugosllavisë kam dhënë shpjegime. Më kujtohet një takim që kam bërë në qendrën e filtrimit të Laçit, emrin e të cilit nuk e mbaj mend, por që e shoqëronte Skënder Nallbani. Mundet të kem qenë me Kadri Gojashin, Farudini thotë se ky person ka qenë Bardhyl Cenolli dhe më kujtohet se fliste gjëra si me fantazi. Se ç’u bë me këtë person, nuk e di. Nuk më kujtohet rasti i një personi nga Saranda që ka bërë letër dhe që s’ka pranuar me Farudinin. Unë di që Sefedin Jonuzi është trajtuar si matrapaz, mbasi kishte kompromentuar mjaft kuadro të organeve të brendshme e të tjerë, duke u çuar mish në shtëpi. Për këtë komprometim janë kritikuar kuadro të tilla në mbledhje, si Nevzat Haznedari, Kadri Ismailati, hetues, ndërsa për të tjerët iu dhanë partisë. Mua nuk më kujtohet që të ketë shkruar ky person letër për Feçor Shehun. Më kujtohet gjetja e një letre anonime në shkallët e shtëpisë së Feçor Shehut që fliste afërsisht siç thotë Farudini.
Pyetje: Po të paraqesin i pandehur, aktin e ekspertimit për veprimtarinë armiqësore në ngarkimin e Mihallaq Ziçishtit dhe Feçor Shehut në Ministrinë e Punëve të Brendëshme. Ç’ke për të thënë rreth problemeve, drejtimeve e konkluzioneve të ekspertëve për veprimtarinë armiqësore që ke zhvilluar në Ministrinë e Punëve të Brendëshme?
Përgjigje: Mua m’u dha për njohje akti i ekspertimit për veprimtarinë armiqësore timen të Mihallaq Ziçishtit e Feçor Shehut në Ministrinw e Punwve tw Brendwshme nga faqe 1 deri në faqen 70 dhe sapo fillova të lexoj faqet e para, në të cilat ekspozohet se unë paskam qenë armik e komplotist me tradhtarë tw tjerw, refuzoj të njihem më tej me përmbajtjen e këtij akti, sepse siç kam dhënë shpjegime në proceset e mia, nuk jam armik i popullit, atdheut, shtetit, partisë time e udhëheqësit të saj. Për rrjedhojë, nuk jam komplotist në çfarëdolloj veprimtarie me cilindoqoftë kundër popullit, atdheut, shtetit, partisë dhe udhëheqësit të saj. vijon…
AFRIM IMAJ