Projekti i Rektoratit të Tiranës për ngritjen e një kampusi universitar ka mbetur në letër, edhe pse pritej që puna për ngritjen e tij të niste brenda vitit 2009.
Burime zyrtare në rektorat tregojnë se ky projekt nuk po gjen më zbatim edhe pse ngritja e këtij kampusi, i cili është mbështetur edhe nga kryeministri Berisha do t’i jepte një tjetër dimension Universitetit Publik të Tiranës.
Rektori i Universitetit të Tiranës ka deklaruar para një viti, se ndërtimi i këtij kampusi, me një vlerë prej 23 milion euro, do të bëhej kryesisht me paratë e grumbulluara nga të ardhurat dytësore dhe nga donacione të ndryshme.
Por aktualisht universitet publike nuk kane mundur t’i vetadministrojnë të ardhurat e tyre dytësore. Vetem gjatë viteve 2006 deri në 2009 Universiteti i Tiranës i ka dhënë Ministrisë së Financave 8 milion euro, para që janë mbledhur nga tarifat studentore e që nuk i janë kthyer më universitetit.
[pro-player width=’530′ height=’253′ type=’video’]http://video1.top-channel.tv/18754796/flv/kronika/kampusiuniversitar0808.flv[/pro-player]
Por ndërsa qeveria ka ndjekur në vijimësi një politikë për rritjen e numrit të studentëve në Universitetin e Tiranës, kjo nuk është shoqëruar me rritje të stafit akademik dhe shtim të ambjenteve.
Gjatë 10 viteve të fundit, numri total i studentëve në universitetet publike është rritur mesatarisht me 8.31% për qind në vit dhe në total me më shumë se 110 përqind, ndërsa numri i trupit mësimor efektiv është rritur me përafërsisht 3.9 për qind në vit, dhe në total me afërsisht 45 për qind, pra më pak se gjysma e rritjes së numrit të studentëve.
Edhe këtë vit akademik studentët e Fakultetit të Drejtësisë dhe të Shkencave Sociale duhet të bëjnë mësim në godina të ndryshme, shpesh të marra me qera dhe shumë larg njëra-tjetrës.
Universiteti i Tiranës ka një buxhet prej 30 milion dollarësh, ku 30% e parave vinë nga të ardhurat dytësore të universitetit, ndërsa pjesa tjetër nga buxheti i shtetit.
TCH