
Megjithëse u duk se universitetet private e fituan “të drejtën e qytetarisë” në mjedisin politik, social e akademik shqiptar dhe mund të ndiqnin normalisht rrugën e tyre të zhvillimit dhe konsolidimit, ngjarja apo dukuria e “diplomës Bosi” absolutisht e papranueshme dhe negative, hapi dhe një herë “kutinë e Pandorës” për këtë “sistem të ri të tmerrshëm piramidal shkatërrues” që i kanoset Shqipërisë. Ekspertë, analistë, politikanë, akademikë që kanë qenë e janë dyshues ndaj fenomenit të universiteteve private, që përgjithësisht janë po kaq inert e dyshues ndaj sektorit privat dhe tregut, që kalë beteje kanë populizmin dhe rolin e “tribunit të popullit”, nxituan të anatemojnë gjithë sektorin privat në arsimin e lartë, apo dhe atë të cikleve të tjera.
[poll id=”3″]
Në vend që ngjarje të tilla negative si “diploma Bosi”, që me të drejtë e tronditin gjithë shoqërinë në besimin e saj te dija dhe universitetet të provokonin një debat kombëtar mbi cilësinë e universiteteve shqiptare, mbi organizimin dhe funksionimin e tyre në përputhje me standardet më të mira ndërkombëtare, mbi rolin e tyre në zhvillimin e dijes dhe kapitalit social në Shqipëri, mbi vlerën e vërtetë të diplomave tona, mbi tendencat botërore në zhvillimin e arsimit të lartë etj., debati devijoi te dilema e gabuar: universitetet private, apo shtetërore? Cilët janë djajtë dhe engjëjt? Cilët duhen përkrahur dhe ndihmuar dhe cilët duhet të shihen e trajtuar me syrin e njerkës? Mënyra se si shtrohet kjo dilemë sot i ngjan krahasimit dhe identifikimit që mitologjia greke u bënte kunatave grindavece ku njërën e identifikonte me ditën dhe tjetrën me natën. Ato nuk mund të ishin kurrë bashkë në të njëjtën kohë.
Në këtë këndvështrim është e domosdoshme që të analizohen e qartësohen disa pyetje e pikëpyetje, keqinterpretime apo keqkuptime mbi shkaqet e lindjes dhe rolit që luajnë universitetet private në shoqëritë moderne apo vendet që sot njihen për zhvillim të shpejtë ekonomik e social, të kuptojmë se sa afër apo larg jemi ne me tendencat botërore. Duhet kuptuar se ky “fenomen” nuk është as shpikje shqiptare, as thjesht biznes, as abuzim korruptiv, dhe as shpërdorim me shoqërinë dhe dijen. Përkundrazi, është një kërkesë globale, një tendencë që e kërkon koha dhe zhvillimet bashkëkohore, është një nga përgjigjet që kërkon shekulli XXI në fushën e dijes dhe profesionalizimit, është përgjigje ndaj sfidave të kapitalizmit dhe globalizimit. Të gjesh një “kleçkë”, e madhe apo e vogël qoftë, në një apo disa universitete private dhe pastaj të anatemosh gjithë sektorin, është qëndrim dhe këndvështrim jorealist e sektar, është një lloj miopie në raport me çka po ndodh përreth nesh, në Europë apo në botë.
Katër sfidat thelbësore të arsimit të lartë universitar sot janë: a) përballimi i presionit të masivizimit; b) plotësimi i financimeve dhe parave të domosdoshme për zhvillimin e tij; c) garantimi i cilësisë dhe standardeve; d) roli i ri i universiteteve në shoqëritë kapitaliste që pothuajse dominojnë gjithë botën.
Le t’i shikojmë me radhë se çfarë “përgjigjeje” po u jepet në botë, veçanërisht në vendet e zhvilluara dhe ato me zhvillim të shpejtë, këtyre tendencave.
Masivizimi përballë vështirësive të financimit
Në shkallë botërore aktualisht numërohen mbi 170 milionë studentë, numri më i madh i imagjinuar ndonjëherë në histori, numër që vetëm gjatë 10-12 viteve të fundit është dyfishuar po ta krahasojmë me vitin 2000. Por, ndërkohë që arsimi universitar po konsiderohet çdo ditë e më tepër si një “motor i fuqishëm i zhvillimit ekonomik e social”, shpenzimet apo financimet publike e kanë thuajse të pamundur që të mbështesin këto ritme të jashtëzakonshme rritjeje të numrit të studentëve. Pothuajse të gjitha vendet e botës po përballen me vështirësitë që sistemet tradicionale të garantimit falas apo gjerësisht të subvencionuar të studentëve apo universiteteve po ndeshin përballë kësaj mase në rritje të numrit të studentëve dhe, mbi të gjitha, garantimit të cilësisë. Një model i tillë po bëhet gjithnjë e më problematik nga pikëpamja financiare dhe vendet e zhvilluara, sidomos nën shembullin e vendeve anglosaksone, kanë hapur një debat substancial për ta rithemeluar “kontratën sociale” të deritanishme ndërmjet arsimit të lartë universitar dhe shoqërisë. Prindërit dhe studentët, por dhe mjaft aktorë të tjerë privatë apo rajonalë, po thirren që të kontribuojnë për “shpenzimet universitare”. Kjo logjikë po gjen shtrirje edhe në Europën kontinentale, e njohur historikisht si bastion i “arsimit universitar publik falas”. Konkluzioni i përgjithshëm është se “shkalla e zhvillimit të një vendi dhe pasuria e tij luajnë një rol thelbësor në përcaktimin e cilësisë së universiteteve”, fakt që penalizon dukshëm dhe rëndë vendet e varfra dhe ato në zhvillim, që edhe pse mund të bëjnë sakrifica të mëdha me buxhetet e tyre publike, përsëri nuk mund të arrijnë garantimin e cilësisë së kërkuar të universiteteve.
Vendet që hyjnë në këtë grup (përfshirë këtu edhe Shqipërinë që vazhdon të jetë në nivelet 2.8-3.5% të PBB për gjithë arsimin, dhe vetëm 0.3-0.6% të PBB për arsimin e lartë dhe kërkimin shkencor), edhe sikur të adresojnë jo 1 apo 2% të PBB, por 3 apo 4% të PBB për universitetet, nuk do të arrijnë kurrë as t’i afrohen nivelit mesatar të shpenzimeve për arsimin universitar dhe kërkimin shkencor të vendeve të zhvilluara. Është barrë e rëndë që t’ia ngarkosh ekskluzivisht buxhetit të shtetit një detyrë të tillë, ndërkohë që universitetet private e kanë më organike thithjen dhe mobilizimin e fondeve jashtë kësaj skeme shtetërore apo buxhetore. Nëse i referohemi, për shembull, strukturës së financimit të universiteteve në SHBA, formulë që po përpiqen ta zbatojnë dhe shumë vende të tjera, 34% e fondeve të universiteteve janë fonde publike, 20% janë të ardhura nga regjistrimet dhe shërbimet për studentët, 19% janë sponsorizime, 7% janë dhurata apo donacione të ndryshme, 20% janë të ardhura që universitetet i garantojnë si shërbime ndaj të tretëve. Financimet vijnë nga tri burime themelore: financimet publike; financimet private, biznesi apo organizata të ndryshme; të ardhurat nga regjistrimet. Universitetet elitë në këtë vend, për të cilat ne flasim dhe u referohemi shpesh, si Harvard, Princeton, Yale etj., janë universitete private që financohen 100% nga burimi i dytë dhe i tretë i përmendur më lart.
Diploma universitare: e mirë publike, apo e mirë private?
Mbrojtësit e tezës së subvencionimit apo financimit 100% të universiteteve si “detyrë apo detyrim” nga shteti, përdorin si argument faktin se edukimi universitar është konsideruar gjithmonë si një “e mirë publike” që kontribuon në mirëqenien e shoqërisë, në edukimin e qytetarëve të devotshëm, në përmirësimin e kapitalit human dhe favorizimin e zhvillimit ekonomik. E vërtetë. Për shumë e shumë dekada e ndoshta shekuj, kjo ka qenë motoja e vërtetë e raporteve të shoqërisë me universitetet e saj. Por, në 30-40 vitet e fundit duket se diçka po ndryshon në vetë thelbin e problemit. Veçanërisht arsimi universitar po konsiderohet si një “e mirë private” nga i cili përfitojnë esencialisht individët, çka do të thotë se universitetet dhe studentët duhet të marrin më shumë përgjegjësi financiare për kostot e studimit dhe diplomimit. Zvogëlimi i fondeve publike si pasojë e masivizimit nxjerr në plan të parë “detyrën” e universiteteve për të gjeneruar të ardhura të tjera, masa e të cilave duhet ta kalojë ndjeshëm atë të subvencioneve shtetërore. Shteti mund të japë “brenda mundësive të tij” një pjesë financimesh me logjikën “paraja te studenti”, mund të subvencionojë degët me interes kombëtar, studentët e varfër apo ata ekselentë etj., por pjesa tjetër duhet të financohet apo vetëfinancohet me burime “të tjera”. Universitetet duhet të “luftojnë” vetë për t’i gjetur ato.
Ky debat vendoset në një plan më të gjerë kontekstual, atë të tendencës globale për “çdhjamosjen e shteteve” dhe krijimin e qeverive të vogla, privatizimet masive, tregun dhe iniciativën e lirë. Duke qenë nën presionin e “gjetjes së financimeve” dhe mbulimin e kostove, universitetet, veçanërisht ato private, por dhe publike, kur kanë autonominë maksimale financiare, krijojnë lidhje më të ngushta me biznesin, industrinë, sektorët e shërbimeve të të gjitha llojeve etj. Disa prej tyre financojnë shtëpi botuese serioze dhe mjaft cilësore në librat universitarë dhe jo vetëm, botojnë revista prestigjioze, financojnë aktivitete sociale, shkencore e sportive, ndërmarrin iniciativa me impakt social etj., duke u shndërruar në qendra intelektuale e akademike cilësore. Këto lloj funksionesh konsiderohen të rëndësishme, veçanërisht në vendet ku angazhimi social, intelektual apo kulturor është i kufizuar, apo në vendet ku institucionet që duhet të garantojnë debatin dhe dialogun aktiv të aktorëve të shoqërisë janë të pakta apo ineficiente.
Përballë këtyre kufizimeve financiare, universitetet, kryesisht ato tërësisht publike, po ndihen çdo ditë e më tepër të detyruara të gjejnë një zgjidhje përballë masivizimit në rritje dhe financimeve vështirësisht të përballueshme vetëm nga buxhetet nacionale. Përvoja botërore, por dhe ajo shqiptare e viteve të fundit, e sintetizon këtë përpjekje në masa të tilla, si: rritja e vazhdueshme e numrit të studentëve në disproporcion me mjediset dhe profesoratin disponibël, pra shtimi i ngarkesës së pedagogëve, shtimi i studentëve për klasë, zgjerimin e korpusit akademik me nivele pedagogësh më të ulëta se gradat dhe titujt akademikë “Doktor”, “Prof.i asociuar” apo “Profesor”, duke cenuar kështu cilësinë e mësimdhënies, shtimin e profesoratit “part-time” thjesht për të plotësuar ngarkesën mësimore, por jashtë dinamikave të universitetit dhe kritereve akademike, shtimin e tarifave për disa shërbime universitare, uljen e shpenzimeve buxhetore për arsimin e lartë dhe kërkimin në krahasim me nevojat reale të tyre etj.
Dinamika e universiteteve private
Në dy dekadat e fundit, në shumë vende të botës ka një dinamikë në rritje të universiteteve private. Në shkallë ndërkombëtare, në vitin 2010 llogaritet se 30% e totalit të studentëve ndjekin studimet në një universitet privat. Më dominues ky sistem është në vende të tilla si Japonia, Filipinet, Kili, Brazili, Kina, Koreja e Jugut, India, Portugalia, Hungaria, Polonia, Republika Çeke, SHBA, Britania e Madhe, Meksika, Egjipti, Jordania, Libani, Lituania, Letonia, Estonia etj. Një ekspansion të dukshëm po merr ky sektor edhe në kontinentin afrikan, sidomos me zgjerimin e prezencës së “universiteteve amerikane”, “universiteteve britanike” etj. Në strukturën dhe profilin e tyre universitetet private po kontribuojnë në dy makrotendenca. Së pari, si universitete “të hapura” që u krijojnë lehtësisht akses studentëve që nuk plotësojnë të gjitha kriteret për t’u pranuar në universitetet publike, apo që nuk gjejnë mundësi të ndjekin degët e fakultetet që dëshirojnë; së dyti, duke u kthyer në universitete elitë mjaft të specializuara, selektive e cilësore, duke krijuar një reputacion më të madh se pjesa dërrmuese e universitetet publike.
Ajo që sot po synohet si “presioni” më i madh ndaj këtyre universiteteve është shndërrimi i tyre në fondacione apo OJF pa qëllime primare fitimi, duke iu larguar “modelit si biznes” që mjaft prej universiteteve private e kanë, model sipas së cilit pushteti dhe autoriteti në këto universitete është i përqendruar te administratorët e përgjithshëm apo pronarët, ku pedagogët kanë pak ose aspak ndikim dhe ku studentët konsiderohen thjesht si “konsumatorë” të dijes. Tendencës së zgjerimit të universiteteve private po i shtohet dhe një tendencë tjetër që po përhapet me shpejtësi: “privatizimi i universiteteve publike”, ose garantimi i një autonomie shumë të madhe financiare e menaxheriale e tyre, duke iu dhënë atyre vetëm një suport minimal publik dhe duke i lënë të lira të gjejnë në treg të ardhurat e tjera. Ato duhet të angazhohen me projekte, të shesin produktet shkencore e universitare, të bëjnë konsulenca dhe ofrojnë shërbime të ndryshme, të bëhen pjesë e strategjive inovative të biznesit etj. Në këtë aspekt, p.sh., Shqipëria rreshtohet nga vendet e fundit në botë në treguesin “lidhje e universiteteve me biznesin”, “shërbime apo patenta të prodhuara nga universitetet në shërbim të nevojave të industrisë e biznesit”, “kontribut i universiteteve në strategjitë e zhvillimit të vendit” etj. Në mjaft raste, këto tendenca të reja të diversifikimit të burimeve të financimit po krijojnë një konflikt ndërmjet rolit tradicional të universiteteve, thjesht si qendra të mësimdhënies dhe të financuara kryesisht për këtë qëllim, dhe sfidave të reja të tyre në fushën e financimit, konflikt që është bërë pjesë dhe e debateve që bëhen në Shqipëri për mënyrën e re të financimit të universiteteve. Ata që e kundërshtojnë këtë reformë mendojnë dhe i kanë sytë vetëm te buxheti i shtetit si “rubineti” i vetëm dhe komod i financimit të tyre. Edhe në Europën Perëndimore, ku akoma mbizotëron praktika e universiteteve shtetërore dhe përgjithësisht ndihet një rezistencë konstante ndaj universiteteve private, çdo ditë e më tepër, nën peshën e krizës dhe presionit të masivizimit po tentohet gjerësisht që “të futen mekanizmat dhe logjika e tregut në menaxhimin e universiteteve”.
Universitetet në shoqëritë kapitaliste
Në këtë fillim të shekullit XXI, arsimi i lartë po bëhet gjithnjë e më tepër një aktivitet konkurrues. Universitet rivalizojnë për numrin dhe cilësinë e studentëve, për cilësinë dhe standardet e pedagogëve, për një vend më të mirë në klasifikimet nacionale e ndërkombëtare, për thithjen e investimeve dhe projekteve. Shkalla e tyre e ekselencës varet nga “fitoret apo humbjet” në këtë proces konkurrues. Në një shoqëri kapitaliste ku peshën kryesore e ka tregu i lirë, edhe universitetet duket se po operojnë sipas rregullave të tij, natyrisht duke i rezistuar perceptimit se “universiteti nuk është ndërmarrje dhe dija nuk është thjesht mall”. Por, në këtë këndvështrim, po lind një nocion i ri që po diskutohet e debatohet shumë në gjithë botën. “A mund të konsiderohet dija si produkt në momentin kur ajo gjen një blerës në tregun e punës?”.
Si çdo lloj tregu tjetër, edhe tregu i punës dhe ai i dijes është një vend ku përplaset oferta me kërkesën, por për një mall të veçantë, siç është “dija dhe njohuritë të sintetizuara në një diplomë universitare”. Kjo logjikë e ka ashpërsuar debatin ndërmjet mbrojtësve të rolit klasik të universiteteve kryesisht si “tempull i dijes, i kulturës, i edukatës qytetare, formimit të përgjithshëm” dhe mbrojtësve të rolit të ri të universiteteve si “përgatitës së studentëve në përputhje me kërkesat specifike të tregjeve të punës dhe profesioneve të kërkuara” në mënyrë që të punësohen shpejt dhe ta “shesin” sa më shtrenjtë diplomën e tyre duke u punësuar me rroga të larta dhe të sigurta. Ideja se universitetet janë vende ku “fabrikohet dija” në formën e një malli specifik konkurrues e të kërkuar nga tregjet e punës po gjen përherë e më tepër përkrahës. Natyrisht, duke ju dhënë studentëve gjithë aparatin e nevojshëm logjik e metodologjik, si dhe të menduarit kritik për ta përdorur atë në fazat e tjera të karrierës së tyre.
Ballafaqimi i universiteteve me standardet më të mira të cilësisë tashmë nuk është kufizuar vetëm te kontrolli i institucioneve publike apo përgjegjësia e tyre për zbatimin e kritereve të cilësisë, nuk ka as fytyrë publike apo private, por edhe tek “marka” që këto universitete krijojnë në treg. ADRIAN CIVICI
*President i Universitetit të Tiranës/panorama/peqini.com