Disa keshilla per udhetime turistike pa probleme…

Njerëzit që nisen për udhëtime brenda apo jashtë vendit, shpesh, ngaqë nuk nxiten prej sensit të vërtetë për shëtitje apo pasionit turistik, rrjedhimisht shndërrohen në vizitorë të ngutshëm. Një nga arsyet pse nuk mund të cilësohen si turistë, është pa dyshim se lëvizjet e tyre brenda apo jashtë vendit bëhen të limituara, zakonisht, vetëm për ditët e pushimeve: udhëtime që shërbejnë thjesht për të thyer monotoninë e jetës brenda mureve të shtëpisë…

Shëtitja, në kuptimin klasik të fjalës, e ka fillesën e saj menjëherë pasi kalohet porta e shtëpisë, qoftë ajo e planifikuar ose jo.

Shëtitje do të thotë kur njeriu kënaqet me aromat dhe ngjyrat e natyrës, në çdo metër që bën. Shëtitësi nuk mrekullohet aq pas vendit ku shkon, sa nga mënyra si mbërrin deri aty, duke parë e shijuar panoramat e vendeve dhe ndryshimet e natyrës.

Ai mrekullohet edhe me emrat e vendeve, rrugëve që do të përshkojë… nga çdo gjë e paarritshme, e cila bëhet vetvetiu e arritshme.

Orët që kalojnë dhe mbushen me gjëra të vogla, gjithsesi bëhen të mëdha, ngaqë hyjnë në kujtesën e përhershme. Udhëtimet shkojnë me hapin e jetës, ngase edhe vetë jeta është një udhëtim, që fillon me lindjen dhe mbaron me ndërrimin e saj… Çdo udhëtim, i gjatë apo i shkurtër, mund të sjellë ndryshimin e gjendjes shpirtërore. Mjafton të mbyllësh sytë e të ëndërrosh përsëri për të udhëtuar, që të përfitosh emocione të tjera të veçanta e të papërsëritshme.

Me liberalizimin e vizave, qytetarët shqiptarë realizuan një nga ëndrrat e tyre të mbyllura në kuti dekada të tëra. Tani janë të lirë të lëvizin nëpër rrugët e Evropës, për të parë, njohur e soditur vende të bukura, dhe pse jo për nevoja pune, biznesi dhe interesa turistike. Prandaj është e nevojshme, të sqarohen qytetarët tanë që do të udhëtojnë jashtë vendit si turistë, apo për takime me të afërmit e tyre, që të kenë parasysh si të realizojnë me dinjitet kontaktet e reja me ambientin, shoqërinë dhe individin me kulturë të ndryshme nga e vendit tonë. Si të jenë të përgatitur për të respektuar dhe për t’u përshtatur me zakonet, kulturën dhe mentalitetin e komuniteteve ku ata do të shkojnë.

Mbi të gjitha, ajo që duhet të ndiqet nga turisti apo biznesmeni është koncepti etik i turistit, për të mos u krijuar të tjerëve probleme gjatë një vizite të zakonshme në ambiente të hapura, nëpër muzetë, vende historike dhe mjediset kulturore e fetare kudo që të ndodhet.

Cilat janë masat përgatitore për udhëtime turistike?

Për të vizituar disa vende, në të cilat kushtet higjieno-sanitare nuk janë të mira, është e domosdoshme që, para se të udhëtoni drejt tyre, të vaksinoheni kundër disa sëmundjeve të rënda e të veçanta. Po aq e domosdoshme është të informoheni te mjeku i familjes suaj pikërisht për vaksinat që duhet të përdorni, sidomos kur dihet se në vendin që doni të vizitoni nuk mund të gjenden të tilla, ose gjenden me cilësi të dobët. Prandaj rekomandohet që të keni një siguracion shëndetësor internacional (të cilin shpresojmë ta kemi së shpejti edhe në vendin tonë), që në rastet e patologjive të njohura të keni me vete rezerva mjekësore. Ndërsa për lëvizjet nëpër vendet e Komunitetit Evropian, ku ne tashmë mund të qarkullojmë të lirë, do të jeni të pajisur e të mbuluar nga siguracioni evropian.

Klima dhe mënyra e veshjes

Nuk duhen nënvlerësuar karakteristikat e klimës dhe luhatjet e saj në vendin që ju jeni të interesuar ta vizitoni. Nëse do të udhëtoni për në shkretëtirë p.sh., kini parasysh jo vetëm ajrin, përgjithësisht të thatë, por edhe ndryshimet e temperaturës brenda një kohe relativisht të shkurtër, madje edhe me dhjetëra gradësh.

Një rëndësi të veçantë në këto lëvizje padyshim ka edhe veshja trupore, e cila duhet të përshtatet me kushtet klimaterike të vendit që vizitoni.

Por është e këshillueshme që gjatë lëvizjeve në vendet e huaja të shmangni veshjet, të cilat mund të dyshohen si veshje ushtarake.

Ushqimi

Është mirë në udhëtime të përdorni pije vetëm në shishe qelqi, të cilat hapen së pari vetëm nga ju. Evitoni akullin, ushqimet e paziera dhe të ekspozuara për shitje në kushte antihigjienike.

Preferoni më tepër ushqime të ambalazhuara. Kujdes afatet e skadencës për ushqimet që do të konsumoni.

Për objektet personale me vlerë dhe të hollat (lekët)

Në vendet me kushte ekonomike jo të stabilizuara është mirë të mos ekspozoni objekte me vlerë dhe lekë, sepse mund të bëheni lakmi e hajdutëve.

Në vendet e zhvilluara ka rregulla dhe ligje për transferimin e lekëve, floririt, argjendit dhe diamanteve. Ndaj për motive sigurie, mos u besoni këmbimeve jozyrtare të të hollave, apo sendeve të tjera me vlera të konsiderueshme.

Vendet me interes arkeologjik e ushtarak

Këto vende janë shumë të ndjeshme nga prezenca e të huajve, që, sipas tyre, kanë interesa strategjike apo ushtarake.

Vende arkeologjike ose natyrale mund të jenë të mbyllura për vizitorët. Kujdes, mos tentoni të hyni apo të dhunoni këto vende, sepse do të ndodheni në të vështirësi, kur të shihni veten të fotografuar nga autoritetet e vendit me aparatet tuaja fotografike ose vidiokamerat. Qofshin edhe fotografitë për stacionet e trenave, porteve dhe aerodromeve, të cilat mund të rezultojnë jo të lejueshme për t’u fotografuar…

Vizitat në vendet islamike

Në disa vende islamike është e ndaluar mbajtja e pijeve alkoolike dhe e mishit të derrit. Në përgjithësi, veshjet e grave është mirë të jenë, mundësisht, me veshjet e vendit që vizitoni, ku përgjithësisht mbulohen këmbët dhe krahët. Në disa nga këto vende gratë nuk kanë të drejtë të drejtojnë asnjë tip mjeti dhe lëvizin vetëm prej meshkujve të familjes.

Në vende e shenjta ose xhami lejohen të hynë vetëm njerëzit e besimit mysliman; në zona të veçanta restorante, pjesë plazhi apo kinema janë të destinuara vetëm për gra…

Kur jeni me mjetin tuaj…

Në rast se do të lëvizni në vende si Austria dhe Zvicra me mjetin tuaj, kujdes para se të hyni në autostradë, sepse duhet të jeni të pajisur me biletën e taksës (vinjetën).

Kjo është një pullë (autoadesive) që blihet në pikën e fundit të servisit, para se të hyni në autostradë. Vendoset brenda xhamit të mjetit, në krahun e majtë, që të dallohet mirë. Në rast se nuk do të jeni të pajisur me këtë biletë, mund të gjobiteni nga 100 deri 4.000 euro.

Shkelje të rënda…

Quhen ligjet që dënojnë rëndë trafikimin dhe përdorimin e drogës, si dhe substanca të tjera të kësaj natyre. Theksojmë fort se abuzimi seksual ndaj fëmijëve dënohet rreptë nga ligjet shqiptare, edhe kur ky krim konsumohet në një vend të huaj.

Është e këshillueshme që për lëvizjet turistike ose për punë jashtë shtetit, duhet të informoni autoritetet e vendit që do të vizitoni, si dhe përfaqësitë diplomatike të vendit tuaj në ato vende ku ju keni parashikuar itinerarin e lëvizjeve tuaja. NGA ING. PETRIT SPAHO

Comments are closed.