Home Lajme Sport Dorehiqet presidenti Agim Zeqo, Skenderbeu ne krize

Dorehiqet presidenti Agim Zeqo, Skenderbeu ne krize

793
0
Dorehiqet Agim Zeqo nga Skenderbeu

Në kohën kur pritej që Agim Zeqo të “ulej këmbëkryq” me lojtarët e tij për të rinovuar kontratat, kur të gjithë prisnin të dominonte tregun e lëvizjeve në futbollin shqiptar, ashtu sikurse ka bërë së paku në dy vitet e kaluara, ka ardhur edhe dorëheqja surprizë e presidentit të Skënderbeut, që fitoi dy tituj kampionë radhazi, si asnjë skuadër tjetër rrethesh në këtë mënyrë. Një vendim i tillë, i bërë pubik edhe për mediat, erdhi pas një mbledhjeje të donatorëve të klubit kuqebardhë, ku Zeqo zyrtarizoi largimin e tij. Aty për aty është zyrtarizuar edhe rrokada në presidencën korcare, pasi vendin e Zeqos e ka marrë zëvendësi i tij deri sot, Ardian Take. Duke dashur të shpjegojë dorëheqjen e tij, por në këtë mënyrë të komunikojë edhe me sportdashësit korcarë, Agim Zeqo ka nisur një letër të hapur për mediat. Në të, përvecse shpjegon arsyet e këtij vendimi, shpreh falënderim special për të gjithë ata që dhanë kontribut, bashkë me të, në ngritjen e Skënderbeut në majat e futbollit shqiptar. Aq sa, skuadra korcare, e cila më herët “notonte” sa në kategoritë inferiore, aq në elitë, fitoi dy tituj kampioni radhazi.
Letra e Zeqos
“Të dashur miq të mediave! Më lejoni t’ju informoj që sot, pas një periudhë prej 2 vjet e gjysmë në krye të ekipit të futbollit të Skënderbeut, për arsye të angazhimeve të mia në biznes, kam vendosur të largohem nga ky post. Jam munduar gjatë kësaj periudhe të jap maksimumin tim për ecurinë e këtij ekipi, si në aktivitetet kombëtare, edhe në ato ndërkombëtare. I falënderoj të gjithë ata që më mbështetën financiarisht në këtë aventurë të bukur dhe me shumë adrenalinë. Besoj që me rezultatet që arriti Skënderbeu në këto dy vjet e justifikoi investimin dhe i ktheu qytetit tim të lindjes krenarinë, i dha atij qyteti të mrekullueshëm gjallërinë e duhur. Falënderoj pa masë tifozët e Skënderbeut, ose “Ujqërit e Dëborës”, të cilët më kanë mbeshtetur jashtëzakonisht shumë. Pa ata do të kishte qenë shumë e vështirë arritja e rezultateve. Falënderoj stafin teknik, që ka drejtuar ekipin në këto vite të presidencës sime. Falënderoj pa masë edhe aktorët e fushës. Shpresoj që performanca e treguar nga Skënderbeu në këto dy vjet të ketë influencuar sadopak në cilësinë e futbollit në përgjithësi. Falënderim i vecantë për familjen time, që më ka mbështetur jashtëzakonsisht shumë në këtë anganzhim timin dhe në fund më lejoni t’ju falënderoj ju, aktorët e medias, për hapësirën në faqet e gazetave që i rezevuat Skënderbeut. Besoj që Skënderbeu do të vazhdojë të japë kontribut maksimal në këtë lojë kaq të bukur edhe në të ardhmen. Dëshiroj dhe uroj të jetë përsëri në majën e futbollit shqiptar.
Faleminderit, sinqerisht, Agim Zeqo!”
Por, ajo që pason pas dorëheqjes së Agim Zeqos nga presidenca e Skënderbeut është jo më pak domethënëse. Përvec zyrtarizimit të Ardian Takes si president i ri i kuqebardhëve,  klubi korcar ka marrë edhe të tjera vendime të rëndësishme, ndër të cilat spikat zbritja me 30% e rrogave të të gjithë futbollistëve, plus një zbritje tjetër 30%, nëse skuadra nuk arrin të shpallet kampione e Shqipërisë. Ky lloj “recensioni” mund të shoqërohet me largim të futbollistëve kryesorë, të shumëpaguar në kohën e Zeqos, një pjesë e të cilëve janë futur tashmë në bisedime më skuadra të tjera të superiores, ku përfshihet edhe kapiteni Bledi Shkëmbi