Home Lajme Sport E vërteta e Dinjos: E ardhmja, titulli dhe Pato!

E vërteta e Dinjos: E ardhmja, titulli dhe Pato!

252
0

Braziliani mban pozicionin e tij: Jam i sigurt që mund të fitojmë kampionatin. Nëse do Berluskoni qëndroj

Ronaldinjo vrapon maloreve dhe mes piramidave të Milanelos. Buzëqesh plot besim. Pas një jave pune intensive, ylli nga Porto Alegre, ka lënë pas dëmtimin dhe është pjesë e skuadrës për trofeun TIM në Bari dhe është gati për fillimin e kampionatit, si objektivi parësor i sezonit të tretë si kuqezi. Megjithatë, shumë zëra e shihnin larg Milanos dhe më afër Los Anxhelos Galaksi.

Tundimi ishte i madh, duke parë që oferta kaliforniane ishte tërheqëse, si për Milanin (8 milionë për kartonin e Dinjos) dhe për të (7 milionë në sezon). Por, në marrëveshje me klubin, sirenat amerikane u larguan. Ai qëndroi dhe këtu mbyllet ky kapitull. Tani Ronaldinjo mendon vetëm për të luajtur. “Jam mirë. Nuk kam më shqetësime dhe jam gati për të zbritur në fushë.”

– Si po shkon me trajnerin e ri?

– Kemi folur dhe më ka treguar se çfarë kërkon nga unë. Më kërkon të japë shumë “asiste”. Rastësisht, kjo është gjëja që më pëlqen të bëjë më shumë.

– Berluskoni do që ju të luani në qendër, Alegri çfarë ju ka thënë? –

Unë jam në dispozicion të trajnerit. Sigurisht, mua më vjen më natyrshëm të nisem nga e majta, por nëse duhet mund të luaj dhe në të djathtë ose në qendër: jam gati të punoj dhe për këtë. S’ka asnjë problem.

– Vërtet nuk keni dyshuar asnjëherë për qëndrimin tuaj?

– Unë jam i lumutur tek Milani. Jam këtu për të luajtur, me merkaton merret vëllai im.

– Është folur dhe për një interesim të Palmeiras dhe Flamengos.
Preferon SHBA-të, apo një rikthim në Brazil?

– Preferoj gjithnjë Milanin: kam një kontratë dhe kam ndërmend ta
respektoj.

– Foto e publikuar nga Globe Sport është e mesit të korrikut: Dinjo është mbipeshë, me një kontratë që i skadon pas një viti.
– E përsëris, me këto çështje merret vëllai im Roberto. Ai ka folur rreth kësaj çështjeje dhe unë jam dakord me të.

– Po nëse Berluskoni ju kërkon të qëndronit deri në fund të karrierës tek Milani?

– Gjithçka që kërkon Berluskoni është e mundur.
– Keni një raport special me të.

– Më foli ditën e grumbullimit. Është gjithnjë shumë i sjellshëm me mua. Megjithatë, ndihem shumë mirë me kuqezinjtë dhe jam i vendosur të këmbej gjithë vëmendjen dhe afeksionin që kanë ndaj meje.

– Prisni ndonjë përforcim për ta bërë më kompetitive skuadrën?

– Kanë ardhur lojtarë të rinj, shumë të zotë. Por, nëse klubi do të bëjë blerje të tjera, të gjithë janë të mirëpritur.

– Çfarë prisni nga Milani i këtij sezoni?

– Që të ecë pak më mirë se vjet. Në kampionat na mungoi fare pak, por i kemi mundësitë për të bërë më të mirën. Edhe në Ligën e Kampionëve mund të jemi mirë, por do të jetë më e vështirë. Do provojmë të ecim sa më larg.

– Si e shihni luftën për titull?

– Interi ka humbur Mourinjon, një nga trajnerët më të zotë në botë. Sfida do të jetë mes katër të zakonshmëve: Inter, Milan, Juve dhe Roma.

– Cili është lojtari i Serisë A që ju pëlqen më shumë?

– Pato. Ka dhunti të jashtëzakonshme dhe është shumë i motivuar. Do jetë sezoni i tij, do të shënojë shumë gola. Por, është për t’u parë dhe një talent i ri, Koutinjo. Ai sapo ka ardhur, por jam i bindur se do lërë gjurmë. E ardhmja është e tij.

– Shpresoni akoma te kombëtarja?

– Pa dyshim. Mbetet ëndrra ime.

– Pasi humbët Botërorin mund t’ju mungojë motivimi.
– Përkundrazi. Unë synoja te grumbullimi në Afrikën e Jugut dhe ndoshta do ta kisha merituar. Por tani shikoj përpara. Tani kam më shumë dëshirë ta tregoj me Milanin sa vlej. Pastaj kam që nga 2006 a që nuk fitoj gjë.

– Pra, do të presim asiste të tjerë?

– Unë zbavitem kur i jap mundësi shokëve për të shënuar. Nuk është një rastësi nëse Ronaldo dhe Rivaldo kanë qenë golëshënues me kombëtaren. Edhe Eto, falë meje, ka qenë shpeshherë golashënues në Spanjë.

– Po shokët e tu të sulmit te Milani?

– Për Paton e thashë, do të zbavitemi këtë vit. Por kujdes edhe Borrielon: me të kuptohem që në ajër, është një kënaqësi që i shërbej për të shënuar. Dhe të mos harrojmë Huntelarin, potenciali ynë sulmues është në plan të parë.

Skeda
Dy Liga dhe një Botëror me Brazilin

Ronaldinjo ka lindur në Porto Alegre më 21 mars 1980. Hapat e para i hodhi tek brazilianët e Gremios, ku dhe debutoi në 1998-n. Në 2001-shin kalon tek PSG për dy sezone. Më pas Barcelona, ku kalon pesë vite të mrekullueshme. Në verën e 2008-s bëhet një lojtar i Milanit. Në karrierën e tij ka fituar 1 kampionat brazilian, 2 liga spanjolle, 1 Intertoto, 1 Botëror, 1 Kupa e Amerikës dhe 1 Kupë Konfederatash. Ka fituar dhe “Topin e Artë” në 2005-n.

Trajneri kuqezi bën një analizë të punës së deritanishme dhe pret shpërthimin e vërtetë te Ronaldinjos Alegri nuk e shikon shumë larg Interin

Tekniku i Milanit, Masimiliano Alegri, vendos piketat e projektit të tij dhe flet për taktikat dhe lojtarët: “Ronaldinjo vjen pas një sezoni shumë të mirë, por nuk bëri gjithçka. Blerja e madhe e Milanit do të ishte Ronaldinjo i vërtetë.

Nuk është e vërtetë as historia se ai është mbipeshë. Tani peshon 83,7 kg, ndërsa vjet, gjatë gjithë sezonit, pesha e tij ishte 87 kg.” Një mesazh për skuadrën: “Me lojtarë të motivuar, Interi nuk është larg.” Alegri duket se i ka idetë e qarta mbi taktikat dhe lojtarët që do përdorë për “Milanin e tij”.

E nis nga i ardhuri i fundit, Kevin Princ Boateng: “Na duhet për të kompletuar mesfushën, nuk mund të mendojmë që me tre lojtarë të luanim gjithë sezonin. Do të praktikoj shumë rotacionin, dhe kur të hedh në fushë lojtarët e tjerë, kërkoj të njëjtin rendiment me titullarët. Boateng më ka pëlqyer shumë.

Në mesfushë, një mesazh i qartë dhe për një nga “senatorët” e Milanit, Klarenc Sedorf: “Kur do të mungojë Pirlo, do të luajë në vendin e tij. Ia kam komunikuar dhe përgjigja e tij ishte një muaj stërvitje me intensitet të lartë. Gatuzo? Me të kam folur në Forte dei Marmi. I kam thënë se nuk e di sa ndeshje do të luajë, 10, 15 apo 45. Por, i thashë se është i rëndësishëm për Milanin dhe së bashku do të luftojmë për të fituar. Më pas është dhe Flamini, që ka shumë për të dhënë ende.” Përsa i përket mbrojtjes, kanë sjellë diskutime “prerjet” e Kaladzes dhe Jankulovskit: “Kam 12 mbrojtës dhe duhet të bëj disa zgjedhje. Nuk jam ndikuar nga drejtuesit

. Papastatopulos? Si anësor duhet të përmirësohet, ndërsa në qendër është më i sigurt. Portieri titullar do të jetë Abiati, i cili është në formë dhe është numri 1. Por, jemi të gjithë të kënaqur dhe nga forma e Amelias.” Një mendim shkon dhe për sulmin: “Dinjo mund të bëjë gjithçka, të niset në të majtë për t’u spostuar në qendër dhe për të pasuar. Të luash pas dy sulmuesve do të thotë të kesh një vëmendje speciale nga shkatërruesi i kundërshtarëve.

Ne do të luajmë me dy sulmues shumë afër, Pato, që siç tregoi dhe me Brazilin mund të luajë dhe si qendërsulmues.” Alegri jep mendimin e tij dhe përsa i përket të rinjve të Milanit, që u dalluan në këtë prag sezoni: “T’i lëmë të rriten. Merkel është 92-sh dhe ka nevojë të piqet fizikisht, ndërsa Bereta është i destinuar për arritje të mëdha. Tre të rinjtë më të mirë italianë? Ranokia në mbrojtje, Poli në mesfushë dhe Paloski në sulm.”

Marrëveshja
Boateng vishet kuqezi të hënën

Milani po punon për të sistemuar mesfushën: për Kevin Princ Boatengun gjithçka u zgjidh pozitivisht. Xhenoa do ta marrë nga Portsmuthi për 6,5 milionë euro dhe do ta huazojë tek Milani me të drejtë blerje përfundimtare.

“Princi” do të mbërrijë në Milano të hënën, pa ndonjë surprizë të minutës së fundit. Ndërkohë Rui Kosta konfirmoi se Milani është i interesuar për Danilo Pereiran, mesfushorin portugez 19-vjeçar, që u la i lirë nga Benfika. Në gjurmët e tij (i krahasuar me Vieiranë) janë vënë dhe Fiorentina me Udinezen prej ditësh.



http://www.sportishqiptar.com.al/e-verteta-e-dinjos-e-ardhmja-titulli-dhe-pato/