Legjenda e “djajve të kuq” shprehet i sigurtë se ekipi i Fergusonit do të dominojë ndaj investimeve të sheikëve të Sitit
Përgatiti: LEDIO BILALI
Legjenda e Mançester Junajtid, Erik Kantona, ka lajmëruar Mançester Sitin, se kurrë s’kanë për të arritur ish-klubin e tij, nëse s’nisin të shpenzojnë në akademinë e tyre ato shuma që kanë shpenzuar për skuadrën e parë.
Pronari i Sitit, sheiku Mansur, ka derdhur shumë parà për blerjet e Agueros, Klishisë dhe Saviçit dhe pritet të blejë edhe Nasrinë, para startimit të Premier Ligës për 10 ditë.
Sidoqoftë, trajneri i skuadrës, Roberto Mançini, u ankua edicionin e kaluar për mungesën e lojtarëve të aftë në akademinë, e cila ishte një deklaratë domethënëse që tregoi se sa pak produktivë ishin blutë në nivelin e të rinjve.
Kantona, i cili gjendet në Mançester si trajneri i Nju Jork Kozmos, që do të përballet me Junajtid në ndeshjen e lamtumirës së Pol Skolsit, mendon se do të krijohet një handikap i madh, nëse nuk rivendosen politikat e dikurshme për lojtarët e rinj.
“Junajtid është skuadra më e mirë. S’e kam idenë si funksionon Siti. Ndoshta janë duke u marrë me akademinë, por sot ata po derdhin miliona për të blerë lojtarë që të ndërtojnë skuadrën. Arritën sukses, sepse fituan Kupën FA, por nëse duan të bëjnë vetëm kaq, s’kanë për të qenë kurrë në nivelin e Mançester Junajtid. “Djajtë e kuq” punojnë me plane afatgjata për talentet e rinj”.
Një e ardhme te Kozmos – “S’doja të rikthehesha si çdo ish-lojtar tjetër. Doja të vija me një klub special. Kemi shumë gjëra për të bërë dhe duam t’i bëjmë të tëra.
Duam të fitojmë dhe të ndërtojmë. Duam të punojmë me plane afatgjata dhe të bëhemi një nga skuadrat më të mira në SHBA, pse jo ndoshta të ndihmojmë skuadrën kombëtare me talentë, siç bëri Barcelona me Spanjën vitin e kaluar. E di mirë që të gjithë klubet duan lojtarë të rinj, por ne jemi ndryshe dhe më të mirë se të tjerët.”
Për Sër Aleks Ferguson, Kantona tha: “Ndoshta do të vdes më shpejt se Sër Aleks. Ai do të jetë në krye të stolit përgjithmonë. Aty është jeta e tij. Ka qenë një lojtar i mirë. Por edhe një trajner fantastik për Junajtid.”
Lojtarët mund të zëvendësohen – Kantona mendon se zëvendësimi i Fergusonit do të jetë më i vështirë, krahasuar me cilindo lojtar që është larguar nga Junajtid, gjatë regjimit 25-vjeçar të skocezit:
“E njihja Polin që kur ishte i ri. Ai e nisi tek ne dhe ka qenë një lojtar i madh. Mund të luante kudo në mesfushë: përpara, mbrapa, mund të shënonte, të mbronte. Mund të bënte çdo gjë. Ai është një lojtar i madh. Ndihem shumë krenar për të. Megjithatë, çdo lojtar mund të zëvendësohet, sidomos te një klub si Junajtid, që ka një trajner të madh si Ferguson. Kur largohet ndonjë lojtar, mendohet se klubi s’do të fitojë më, por ata po fitojnë sërish.
Ata kanë një histori të lavdishme dhe punojnë shumë çdo ditë, kështu që çdo lojtar mund të zëvendësohet. Sidoqoftë, Pol mbetet një lojtar i madh. Por unë u largova, Kristiano Ronaldo u largua, Mark Hjuxhs u largua, Dejvid Bekham u largua dhe Mançester Junajtid mbetet akoma një nga skuadrat më të forta në botën e futbollit”.
Kantona kritikon italianin
“Baloteli duhet të mendojë të luajë”
Mançesteri ndoshta s’është qyteti më i bukur në botë, por Erik Kantona mund t’u mësojë të gjithëve se si mund të jetohet aty. Ish-sulmuesi i Junajtid ka thumbuar në deklaratën e tij, teksa u rikthye në Mançester për ndeshjen e lamtumirës së Pol Skolsit, lojtarët e Mançester Sitit: Mario Balotelin dhe Karlos Tevezin, të cilët kanë deklaruar shpesh herë se nuk e dashurojnë Mançesterin.
“S’e di nëse bëhet fjalë për faktin se nga cili qytet vijnë, apo nga motivimi që kanë për të ardhur në Mançester, këto lojtarë të paqëndrueshëm. Mund ta kuptoj dikë që vjen nga Milano, por jo njërin që vjen nga… jo, s’dua të përmend tani edhe qytete të tjera”.
Më tej, 45-vjeçari francez ka vazhduar të flasë për Mançesterin: “Kam kaluar një periudhë vërtetë të bukur këtu. Gjëja më e rëndësishme për mua ishte fakti, që luaja për klubin më të mirë në botë, që kishte në përbërjen e tij disa prej lojtarëve më të mirë në botë. Kjo është gjëja me e rëndësishme kur bëhesh një futbollist profesionist”.
Deklarata këto, që s’e përmirësojnë aspak situatën kritike, në të cilën ndodhet sulmuesi italian. Më parë, ai bleu një motorr “Harley Davidson”, por s’u lejua nga drejtuesit e klubit të shëtiste me të.
Më pas, bleu “Maserati”-n e tij luksoz, që e përplasi shumë shpejt. Por bëmat e tij s’mbyllen me kaq. Një ditë doli shëtitje në rrugët e Mançesterit, ku kishte veshur një bluzë me figura armësh dhe thikash. Ndoshta për ironi, shokët e tij të skuadrës i kishin vënë një peshk të kalbur sipër makinës së tij.