Tension i lartë tek Interi Situata në klubin zikaltër, në prag të derbit me Milanin, nuk është aspak e qetë
Përgatiti: Denis Hakani
Kanë kaluar vetëm 14 muaj që nga nata e paharrueshme e Madridit, kur Interi ka rigjetur Ligën e Kampioneve, 45 vite pas herës së fundit. Por, nëse shikojmë ndryshimet që kanë ndodhur duket sikur kanë kaluar shekuj. Gasperini është trajneri i tretë që është ulur në stolin zikaltër pas Hoze Mourinjos dhe rezultatet e marra nga Benitez dhe Leonardo janë shumë larg rekordeve.
Ndër të tjera, klubi nuk po bën asnjë lëvizje në merkato dhe disa prej lojtarëve më të mirë, që nga Milito deri te Hulio Sezar, duke kaluar për nga Shnejder, duket se janë kontrofigurat e kampionëve të sezonit 2009-10. Për ta bërë akoma më të vështirë këtë moment në shtëpinë zikaltër, një ditë para sfidës për Superkupën e Italisë, kanë ardhur dy probleme të reja.
I pari ka të bëjë me marrëdhënien jo shumë të mirë midis Xhian Piero Gasperinit dhe Etosë, i dyti, – akoma më i rëndë – një çarje midis Moratit dhe Brankës. Por t’i marrim gjërat me rradhë. Pas disa ditëve stërvitje, Eto dhe trajneri duket se kanë pasur një diskutim shumë të ndezur, që ka arritur kulmin kur sulmuesi kamerunas ka krahasuar “plamaresin” e tij me atë të teknikut.
Nga ky moment, kampioni afrikan duket se i ka kërkuar Moratit të largohet, por presidenti ka shtyrë çdo vendim pas javës së Superkupës. Nëse kamerunasi do të largohet kjo është e vështirë të kuptohet, por ndërkohë Pandev, Mariga dhe Muntari janë “ndëshkuar” nga Gasperini dhe ka shumë mundësi të largohen nga klubi zikaltër.
Ndër të tjera, po flisnim për një çarje midis Moratit dhe Brankës. Midis të dyve duket se gjërat nuk po shkojnë aspak mirë për shkak të disa operacioneve të Brankës, që presidenti zikaltër i ka kundërshtuar me ngulm. Drejtuesi zikaltër nuk rrezikon vendin, por ndoshta detyrat e tij tani mund të jenë më të limituara. Mungesa e blerjes së Aleksis Sançez dhe prania e një numri të madh lojtarësh në organikën e skuadrës me kontrata shumë të larta si Rivas dhe Muntari janë arsyet kryesore të zemërimit të Moratit. Sa larg janë Mourinjo dhe “Bernabeu”…
Eto fiton derbin e sprintit në “folenë” e Boltit
Kamerunasi ka fituar garën e 100 metrave kundër shokëve të skuadrës dhe rivalëve të Milanit, por xhamajkani do të krijonte një shkëputje prej 13,5 metrash
Afër i kanë montuar tendat e kaltra të “Cirkut Global” dhe kështu Stadiumi Kombëtar, i lavdishmi “Foleja e Zogut”, duket akoma më shumë një Bafalo Bill (heroi amerikan i luftës civile, i njohur edhe për gjuetinë e bizonëve): nga legjenda në cirk. Nga rekordet epike të regjistruara nga Usain Bolt te një përditshmëri e trishtuar dhe e mbushur nga evenimente brenda parkut olimpik.
Nga Lojërat Olimpike të 2008-ës në vazhdim, në brendësi të tij, është bërë gjithçka: opera “Turandot” më 8 gusht 2009-të; Vrapimi i Kampionëve në të njëjtin vit, në timon kanë qenë edhe Fetel me Shumaker; në dimër e zbardhin dhe e transformojnë në një park bore.
Po sporti serioz? Superkupa e Italisë e 2009-ës, e fituar nga Lacio ndaj Interit. Më pas një miqësore e Birmingemit në korrik të 2010-ës, kundër Guoanit, vetëm sepse pronari i klubit anglez, Karson Jeung, ka origjinë kineze. Asgjë me rëndësi.
Vetë skuadra e Guoanit, klubi i kryeqytetit, e ka të vështirë të luajë në një stadium 80 mijë vendesh që nuk mbushet asnjëherë plot. Një grup gazetarësh vendas ka zhvilluar një fushatë për të zhvilluar aty ndeshjet e kombëtares që nga ana tjetër është ndaluar të shkelë në Pekin pas ngjarjeve në Kinë-Hong Kong të 1985-ës. Stadiumi po humb pjesët, i ka trarët e care, por me Milan-Inter do të rigjejë 80 mijë spektatorët.
Muzeu i prishur – Dhe kështu, kjo fole që ka kushtuar 423 milionë dollarë dhe 35 ton hekur është kthyer në monumentin e vetvetes, që po humb pjesët me ngjyra dhe i ka trarët e çarë. Të mërkurën mbasdite janë zhvilluar disa punime në hyrje. Mirëmbajtja e këtij impianti kushton 10 milionë euro në vit.
Kinezët vijnë nga çdo cep i vendit dhe fotografojnë me krenari folenë që ka pushtuar sytë e botës. Në muajt e parë pas Lojërave mesatarja ishte 30 mijë në ditë, duke paguar 5 euro për hyrjen për të fotografuar ndenjëset e boshatisura. Nuk mjafton, me atë që ka kushtuar.
Një plan trevjeçar synon ta kthejë në një qendër të madhe tregtare dhe argëtimi. Shtëpia e rekordeve dhe e lavdisë e kthyer në një muze dhe cirk. Të paktën Milani dhe Interi nesër do ta mbushin plot dhe do t’i rikthejnë një shpirt të nxehtë, siç ka ndodhur kur Usain vraponte.
Derbi në sprint – Madje, është organizuar menjëherë një garë drithëruese në 100 m. I është kërkuar përgatitësve atletikë të Milanit dhe Interit të zgjedhin katër vrapuesit e tyre më të shpejtë.
Stefano Rapeti (Inter): “Eto, Obi, Pandev dhe Kivu”. Daniele Tonjaçini (Milan): “Tiago Silva, më shpërthytesi. Pato dhe Ibra që përshpejtojnë në vrap e sipër. Abate, që arrin i pari midis të katërve”.
Për të komentuar sprintin është marrë Stefano Tili, ish-fitues i botërorit të 200 metrave me duar të mbyllura, që ka qenë brenda “Folesë” (telekronist i RAI-t) kur Bolt ka mposhtur kohën.
“Midis milanistëve, për mendimin tim, mungonte edhe Sedorf, që zhvillon 30 metra të jashtëzakonshëm. Abate do të ishte i shkëlqyer në 400 metra. Nuk befason zgjedhja e Tiagos, as ajo e Pandevit dhe Kivus. Ne i kemi parë të shpërthejnë në distanca të shkurtra, një përgatitës në stërvitje i njeh më mirë. Eto, me një elasticitet dhe shkathtësi të mrekullueshme, është më atleti nga të gjithë. Në fakt garën e ka fituar ai me kohën 11” 20.
Një garë e vështirë, sepse për një futbollist 100 metrat janë një distancë e mesme… Eto ka arritur Tiagon, që është nisur si një silur, i reziston sulmit të Ibrës, del në krah të Abates dhe e lë mbrapa pak para finishit. Është që nga Lojërat e Moskës ’80, Alan Uells, që një i bardhë nuk fiton 100 metrat në Olimpidë. Koha e Etosë: 11”20. Abate 11”30, 11”50 të tjerët. Bolt është 13 metra e gjysmë përpara, pothuajse gjatësia e zonës së rreptësisë…”.
Usaini dhe Mbreti Luan, interistë, e tendosin harkun bashkë (xhesti që bën Bolt kur fiton garat), të lumtur. “Foleja” rikthehet të ndriçohet nga fleshet e aparateve fotografikë. Bufalo Bill është kthyer midis bizonëve.
Milanisti
Abate, më i shpejti i kuqezinjve
Kush janë lojtarët më të shpejtë të Milanit? Pyetja lind natyrshëm, duke parë se Superkupa do të luhet në stadiumin ku janë zhvilluar Lojërat Olimpike të 2008-ës, aty ku ka shpërthyer Bolt. Përgatitësit e Interit dhe Milanit kanë zgjedhur respektivisht: Eto, Obi, Kivu, Pandev; Tiago Silva, Abate (më i shpejti i kuqezinjve), Paton dhe Ibrën. Stefano Tili, kampion në 200 metra dhe komentator i Rai-t, nuk ka dyshime. Një garë në 100 metra midis tyre? I pari Eto me 11”20, më pas Abate me 11”30.
Tifozi special. Xhamajkani ëndërron të bëhet futbollist
“Mua do të më pëlqente të luaja si Samueli”
14 nëntorin e kaluar Usain Bolt, atleti xhamajkan kampion olimpik dhe botëror në 100 dhe 200 metra është prezantuar në “San Siro” me një shall zikaltër në qafë për të bërë tifo për shokun e tij Samuel Eto. Nuk ka sjellur shumë fat: Milani ka fituar falë një penalltie të Ibrahimoviçit.
Por pasioni për skuadrën nuk ka ndryshuar. Interi dhe Mançester Junajtid janë dy skuadrat që pëlqen Bolt, një i apasionuar i madh pas futbollit, që ka rrëfyer: “Kam karakteristikat e Etosë, edhe pse nuk luaj aq mirë sa ai… Një ditë do të më pëlqente të bëhesha një futbollist profesionist, ndoshta në krah të Runit”. Eto dhe Bolt, të njëjtin sponsor, kanë ndarë bashkë edhe një intervistë paralele në emisionin italian “Iene” (Hijenat).
Vrapuesi xhamajkan ka marrë si dhuratë nga Eto një nga orët e tij të çmuara. Për t’ia kthyer nderin, Bolt nesër do ta presë mikun Samuel në shtëpinë e tij: “Foleja e Zogut”. Është shtëpia e tij që nga gushti i 2008-ës, kur në katër ditë ka mahnitur botën duke fituar medaljet e arta olimpike në 100 m (9”69) dhe 200 metra (19”30) duke thyer të dy rekordet.
Një tregues force dhe natyrshmërie, duke vallëzuar dhe buzëqeshur, që është kthyer ne legjendë tashmë. Në atë shtëpi, Stadiumi Kombëtar i Pekinit, nesër do të luhet derbi i Superkupës së Italisë midis Milanit dhe Interit. Nuk do të jetë Usain Bolt me shallin në qafë. Interistëve më supersticiozë nuk do t’ju vijë keq…
11″20
Samuel Eto. Koha e kamerunasit, 30 vjeç, në 100 metra. Është më i shpejti në derbin e Pekinit
9″69
Usain Bolt Medalje ari në 100 metra në Lojërat Olimpike të Pekinit në 2008-ën me rekordin e 9”69, të çuar në 9”58 në 2009-ën