Një nga sitet më të përdorura është konkluduar të jetë facebook. Është dritarja më famose që të rritur, fëmijë, apo edhe persona në status përdorin jo vetëm gjatë kohës së lirë. Nga sondazhe të ndryshme që janë bërë mbi përdorimin e kësaj faqeje janë parë anët pozitive dhe disavantazhet që vijnë. Peshorja duket se anon më tepër nga kjo e fundit. Humbje e kohës, aktiviteteve, rrezikimi i imazhit apo varësia që krijohet janë disa nga disavantazhet më të pakuptuara por reale që vijnë prej facebook. Në fund, pyetja që lind është, ‘a duhet përdorur kaq shumë’?
Nëse do të bëhej një sondazh mbi numrin e personave që përdorin facebook shifrat nuk do të ishin të konsiderueshme, por të pafundme. Do të ishte pohimi më real dhe i vërtetë në fakt përsa i përket fenomenit famos që ka pushtuar dëshirat e çdokujt. Pyetja e parë që bëhet mes dy miqve apo edhe të saponjohurve është ‘ke facebook’?. Sepse mania për të pasur sa më shumë miq e të njohur induktohet në mënyrën më të pandërgjegjshme nga kjo dritare. Facebooku është dritarja që të krijon mënyrën më të thjeshtë për të pasur shokë e miq qofshin këta të njohur apo të panjohur, të huaj apo vendas. Është kaq i papërmasë përdorimi i tij saqë argëtimi që të vjen duket se të hipnotizon. Mund të ritakohesh me miqtë e fëmijërisë, mund të ruash lidhje të largëta, informohesh mbi shkolla apo profile mediatike. Komentet dhe fotot e përdorura në këtë faqe janë pjesa më e veçantë që duket se i mban të gjithë kaq të lidhur e besnikë. E megjithatë pyetja që lind pas gjithë kësaj është ‘a duhet përdorur kaq shumë kjo faqe? A ia vlen të rrish me orë të tëra përpara saj? Obsesioni që krijohet nga përdorimi i tij është kaq i madh dhe i pakuptueshëm saqë bën të mundur krijimin e një perdeje të verbër për të mos parë disavantazhet e tij. Orë të tëra të shpenzuara përpara tij të bëjnë të mos kuptosh rëndësinë e gjërave të tjera, të cilat janë më se të domosdoshme për t’u bërë. Varësia që krijohet, koha e humbur, matja e detajeve dhe vogëlsirave, që në fakt nuk kanë aq peshë, janë rreziqe që na vijnë pa i kuptuar. Pamundësia për të kontrolluar të tjerët të cilët mund të vjedhin informacione personale, apo falsifikimi i profileve të rreme janë po ashtu anë të errëta të medaljes. E mes miqve që duan të jenë shokët e tu kërkesat vijnë edhe nga kushurinjtë që do apo jo mund të bëhen pjesë e tyre. Foto dhe komente vijnë pafund dhe privatësia që do doje është brishtësuar. Facebooku sjell kënaqësi por krijon edhe probleme që të lodhin e të bëjnë të pyesësh ‘ia vlen ta përdorësh kaq shumë?
‘Vjedhje’ e aktiviteteve të tjera
Nëse do të fiksoheshit pas facebook, atëherë do të humbisnit shumë mundësi për të shijuar jetën jashtë dyerve të internetit. Nuk do të dilnit me miqtë dhe do të humbisnit shumë kontakte që iu ofron jeta jashtë. Të humbasësh shumë nga koha e cila është një pasuri e pallogaritshme, facebook do të ishte debitori juaj i parë por që s’do ta kuptonit asnjëherë. Ka shumë hapësira dhe alternativa të cilat duhen përdorur prej secilit e sidomos prej të rinjve, të cilët kanë nevojë të provojnë eksperienca të ndryshme. Një punë e dytë, do ishte shumë herë më e vlefshme se sa përdorimi i facebookut për orë e orë të tëra.
Humbje e kontakteve fizike
Dëshira që ka magjepsur shumë për të përdorur këtë dritare kaq pafundësisht është komunikimi me një tjetër person, të cilin mund të kesh kohë pa e parë. Një shok apo shoqe fëmijërie të cilët nuk i ke takuar prej kohësh, përmes sitit mund ta bësh. Dhe jo vetëm kaq, mundësitë janë më se të thjeshta. Por ajo që vjen pas kësaj është përhumbja në një komunikim virtual që të bën të harrosh ato verbale apo reale. Gjenden miqtë e vjetër, por kaq lehtë mund të harrohen të rinjtë, pasi kontaktet fizike rrallohen. Mund të flasësh çdo ditë me ta por pa kuptuar ke reduktuar kohën që dikur kalonit me njëri tjetrin, ballë për ballë. Një ç’rregullim që mund të të çojë edhe në depresion që krijohet natyrshëm prej facebookut duke u bërë pjesë e rrjedhës.
Varësia Facebook
Nëse facebook është gjithçka me të cilën merresh atëherë në mënyrë të pavetëdijshme ke krijuar varësi ndaj kësaj kulture ‘hipnotizuese’. Pavarësisht nga perspektivat që mund të keni krijuar, të shpenzuarit e një kohe të palimit në një website të vetëm, pa arritur në ndonjë rezultat efikas në fund të ditës, është për të ardhur keq sepse përbën një disavantazh real.
Ka shumë nga ata të cilët preferojnë të futen në këtë faqe sepse duan të zbulojnë më shumë mbi jetën e një tjetri. Të klikuarit në dritaren e profilit, grupeve, preferencave, karakteristikave të një personi tjetër është një nga arsyet thelbësore që ngacmojnë shumë për të përdorur facebook. Duket se websiti famos të ofron shumë alternativa ‘intrigante’ që nga persona të ndryshëm mund të konsumohet për qellime po aq të tilla. Kjo mund të shndërrohet në një problem të vërtetë në jetën e dikujt, i cili dëshirën për të investiguar mbi jetën e tjetrit e ka kthyer në pasion. Bëhet pjesë e një kënaqësie cënuese, duke harruar se një faqe e tillë ka alternativa të tjera, më argëtuese dhe sociale.
Për ata të cilët rrinë gjatë gjthë ditës përpara kësaj faqeje, kjo mund të shndërrohet në problem veçanërisht nëse ‘farat’ e informacionit shpërndahen përmes e-mailit apo telefonit me teknologjitë e fundit që janë krijuar.
Humbje kohe
Shumë njerëz e kanë mundësinë që të ofron facebook si një mënyrë shumë produktive për të komunikuar. Një proces i tillë që në vetvete është shumë sodisfaktiv, shoqërohet edhe me shumë humbje kohe. Kjo përbën në thelb edhe një nga disavantazhet e fenomenit. Nëse koha është një faktor vërtet i rëndësishëm për ju atëherë do t’iu këshillohej të vinit limite në përdorimin e tij. Që do të thotë sa më pak aq më mirë do të ishte. Përcaktoni një axhendë se kur do t’iu leverdiste më shumë të shpenzonit kohë në facebook, cili do të ishte orari më i përshtatshëm për të komunikuar me miqtë tuaj. Humbja e kohës nuk mund të konsiderohet fatale nëse do të dinit të përcaktonit raportet e duhura mes jush dhe kohës që do t’i kushtonit hapsirës argëtuese.
Pesha e privatësisë
Sa herë që hapni një llogari personale online keni hequr dorë nga një pjesë e lirisë dhe intimitetit tuaj. Kjo është e pashmangshme. Nëse në shumë site informacioni që vendosni mbi veten synohet të ruhet mes jush dhe websitit, në rastin e facebook.com, ka mundësi për t’u ekspozuar shumë informacion në web ku të tjerët mund të vihen në dijeni shumë lehtësisht.
Nga ana tjetër facebook nuk të krijon shumë mundësi të kontrollosh se kush mund të të investigojë. Duke mos ditur se kush dhe sa mund të informohen rreth teje rrjdhimisht kredibiliteti që mund të kesh krijuar për internetin dhe faqet e tij ka tendencën të ulet.
Gjithsesi nuk ka rëndësi sa i ‘fortifikuar’ mund të jetë profili yt personal, është e rëndësishme të dihet se asgjë nuk është e sigurt dhe e garantuar. Nëse jeni pjesë e facebook do të mund të humbisnit shumë nga privatësia juaj. Kujtoni gjithmonë se nuk mund të kontrolloni dot se çfarë ndodhet në faqet e miqve tuaj. Mund të përballeni me komente apo foto të cilat nuk i kishit menduar që mund të bëheshin publike.
Rrezik imazhi
Një tjetër disavantash serioz që vjen nga kjo dritare është ekspozimi i tjetërsuar që i bëhet personave të ndryshëm. Kjo zakonisht ndodh me personat publik dhe ata që kanë një karrierë, post apo status të lartë që domosdoshmërisht duhet kujdes për ta mbrojtur, sepse kërcënime të tilla dëmtojnë shumë. Kjo ka ndodhur më shumë me persona që gëzojnë një status të caktuar të cilët kanë parë se emrit të tyre i është bashkëngjitur një faqe që nuk ka të bëjë aspak me ta. Përveçse rrezikohet imazhi, lëndohen individë, rrezikohet edhe jeta profesionale ç’ka është më e rëndësishmja.
Për pjesën dërrmuese, të qenurit anëtar i facebook mund të jetë një eksperiencë e veçantë për nga lloji sepse siti është një dritare vërtet interesante për të komunikuar. Çelësi për të patur një eksperiencë të suksesshme qëndron në faktin se sa i vetëdijshëm duhet të jeni rreth disavantazheve që krijohen nga mjete dhe përdoruesit e tij.