Fergi përsërit: Çelsi është favorit

24 orë para fillimit të Premier Ligës, trajneri i Mançesterit i vlerëson “blutë” si ekip për t’u mundur

Trajneri i Mançester Junajtid, Sër Aleks Ferguson, beson se kampionët në fuqi të Çelsit duhen konsideruar si favoritë për titull edhe këtë sezon në Premier Ligë. “Djajtë e Kuq” e mbyllën sezonin vetëm me një pikë më pak se Çelsi vjet, pas një beteje të gjatë që shkoi deri në ndeshjen e fundit të kampionatit. Suksesi i Çelsit solli fundin e mbretërisë së Junajtid, që kishte fituar tre kampionatet e fundit. Çelsi dhe Junajtid kanë fituar gjashtë kampionatet e fundit në Angli, duke mos lënë asnjë skuadër tjetër të bëhet pjesë e këtij klubi elitë. Të shumtë janë ata që presin që ky trend të vazhdojë edhe këtë vit, pasi është e vështirë të kuptohet që tani, se cilat skuadra mund të jenë sfiduese të kësaj dysheje. Ferguson ka pranuar se Junajtid dhe Çelsi do të jenë favoritë edhe këtë sezon, por shton se janë lojtarët e “Stamford Bridge” ata që janë nën presion për të mbrojtur titullin. “Unë nuk preokupohem fort për katërshen e parë, sepse më duhet të mendoj se si duhet t’ia bëjmë të fitojmë kanmpionatin”, ka thënë ai. “Unë mendoj se Çelsi, fitues i titullit vjet, do të jetë favorit edhe këtë vit. Ne duhet të mundim në fushë skuadrën që fitoi sezonin e vjetshëm, për këtë duhet të mendojmë.”

Ferguson, që nuk shkoi më tej dhe nuk tha se Mançester Siti mund të jetë pretendent këtë sezon, e di mirë se beteja për katërshen e parë do të jetë shumë e fortë këtë vit. Ai ka shtuar: “Evertoni është skuadra më interesante.

Ata kanë ruajtur skuadrën e tyre të vjetshme. Pjesa e parë e sezonit të vjetshë ishte e frikshme për ta, pasi patën shumë lojtarë të dëmtuar, si Mikel Arteta dhe Fil Jagielka (humbje të rënda për ta). Tani këta lojtarë janë kthyer dhe mund të jetë një skuadër shumë interesante gjatë sezonit.

Mendoj se siç ndodhi vjet, kur Totenhemi theu monopolin e katërshes së madhe, Junajtid, Çelsi, Arsenal e Liverpul, këtë vit do të jetë Evertoni që mund ta bëjë këtë gjë.” Ferguson pret që Liverpuli, që zuri vendin e shtatë vjet, të kthehet në katërshe pas tranzicionit të suksesshëm nga Benitez te Hodgson. “Pres që Liverpuli të jetë edhe më i fortë me trajnerin e ri, Roin.

Totenhemi është në ngritje me përvojën e Herri Redknapit. Mendja më thotë që do të jetë një katërshe shumë kompetitive, sepse të gjitha skuadrat synojnë të jenë në Champions. Ky është prioriteti për këto klube.”

Lampard në dyshim për ndeshjen e parë

Mesfushori Frenk Lampard mund të mungojë në ndeshjen e parë të Premier Ligës për kampionët e Anglisë, Çelsin, që luan sot kundër Uest Bromuiç Albion. Trajneri Karlo Ançeloti ka thënë se Lamparad është dëmtuar në ndeshjen e së mërkurës, Angli-Hungari në “Uembli”, dhe se do të kontrollohej ditën e ndeshjes, para se të merrej një vendim nëse do të luante kundër Uest Bromit.

Ançeloti ka shtuar se dyshja e dëmtuar, portieri Petër Çeh dhe mbrotjësi Aleks, ishin gati për t’u kthyer në “Stamford Bridge”. Çelsi fitoi edhe kampionatin edhe Kupën e Anglisë vjet, kurse Uest Bromi u ngjit në Premier Ligë nga Championship (kategoria e dytë).

Ramirez te Çelsi, mungon vetëm firma

Çelsi mund të kompletojë sot blerjen e mesfushorit të Benfikës, Ramirez. Kampionët e Premier Ligës kanë qenë në negociata të gjata me skuadrën portugeze, në lidhje me transferimin e lojtarit 23-vjeçar, i cili mendohet të kushtojë afërsisht 17 milionë stërlina. Përfaqësuesit e klubit anglez kanë siguruar lejen e punës për lojtarin brazilian, edhe pse ai nuk ka luajtur kuotën e kërkuar prej 75% të ndeshjeve për vendin e tij.

Ramires ka kaluar me sukses vizitat mjekësore te Çelsi gjatë javës dhe Ançeloti shpreson që mesfushori të jetë i tiji së shpejti. “Ramires është duke bërë sërish testet mjekësore dhe ne shpresojmë që ai do të firmosë kontratën”, ka thënë Ançeloti.

Esien shpreson te një sezon pa dëmtime
Mikael Esien shpreson të lërë pas dy sezonet e shkuara të mbushuara me dëmtime dhe të ndihmojë Çelsin të mbrojë kurorën e kampionit të Anglisë. “Eshtë bukur kur bën një fazë të mirë përgatitore parasezonale.

Personalisht mendoj se jam mirë fizikisht dhe se do të bëhem edhe më mirë kur të luaj më shumë ndeshje”, ka thënë ai për faqen web të klubit. “Ndiej që jam i gatshëm për sezonin dhe e pres me kënaqësi. Mendoj se ky sezon do të jetë i madh.

Në dy sezonet e fundit nuk kam luajtur shumë sepse kam qenë i dëmtuar, kështu që këtë vit shpresoj të bëj një sezon të mirë, pa dëmtime, që të ndihmoj Çelsin të mbrojë trofetë.”



http://www.sportishqiptar.com.al/fergi-perserit-celsi-eshte-favorit/

Comments are closed.