E premtja e shenjtë, zgjerohet harta e protestave për filmin me profetin.
Protestat kundër Amerikës janë përhapur në të gjithë botën arabe, për shkak të zemërimit të krijuar nga publikimi i një filmi të prodhuar në SHBA, ku profeti Muhamed fyhet si feminist, abuzues me fëmijët dhe mashtrues. Një nga protestat më të ashpra u regjistrua në Sudan. Pas protestës në Ambasadën Amerikane, vala e saj u shtri edhe në ambasada të tjera perëndimore. Rreth 10 000 njerëz sulmuan Ambasadën Gjermane në këtë vend dhe i vunë flakën asaj. Disa arritën të kalonin murin dhe hynë brenda duke hequr flamurin gjerman, deri kur policia përdori gazin lotsjellës. Protesta pati edhe para Ambasadës Britanike në këtë vend. Në Egjipt, partia “Vëllazëria Islamike” e cila fitoi zgjedhjet, ka anuluar protestat e paralajmëruara në të gjithë vendin, duke lënë vetëm atë në sheshin “Tahrir” në Kajro. Të paktën 15 persona u plagosën në ditën e katërt të protestave në këtë vend. Protesta pati edhe në Afganistan, për herë të parë të premten me gjithë përpjekjet e qeverisë për të bllokuar faqen e internetit. Në Tunizi, qindra protestues shkuan në Ambasadën Amerikane duke sulmuar portën e saj. Protestuesit u ngjitën në mure e valëvisnin flamurin e zi të islamit. Në Bagdad, Irak, qindra myslimanë shiitë bërtisnin “Jo Amerikës, jo Izraelit”. Në Jerusalem, palestinezët marshuan nga xhamia al-Aqsa drejt konsullatës amerikane, por u ndaluan nga Polica izraelite. Në Siri, qindra njerëz ishin mbledhur para Ambasadës Amerikane në Damask me pankarta, ku shkruhej se e dënonin filmin dhe administratën amerikane që kishte lejuar realizimin e transmetimin e tij. Në Iran, Këshilli i Koordinimit të Propagandës mbi Islamin kërkoi protesta mbarëkombëtare për komplotin kundër myslimanëve “të mbështetur nga SHBA”. FBI dhe Departamenti i Sigurisë së Brendshme në SHBA kanë deklaruar mbi rrezikun e shtimit të dhunës, pasi filmi po merr gjithnjë e më shumë vëmendje. Ai ishte postuar në Youtube në korrik, por mori vëmendje globale kur u transmetua në televizionin egjiptian dhe u promovua online nga aktivistët anti-islam. Autoritetet amerikane e kanë mohuar lajmin se publikuesi ishte izraelit dhe kishte marrë donacione nga izraelitë të tjerë. Të martën u publikua një video 14-minutëshe nga filmi “Pafajësia e myslimanëve”. Në Libi, nga sulmi i egër në konsullatën e Bengazit, humbi jetën ambasadori amerikan Kris Stivens.
Mashtrimi
Aktorët në film janë ankuar se janë mashtruar rëndë, pasi nuk e kishin idenë se për çfarë bëhej fjalë në film, në tekstin që kishin interpretuar ata nuk kishte kurrfarë profeti, por teksti është dubluar sipas tyre.