Zv/trajneri i Gramozit, Sokol Hitaj, e konsideron shumë të rëndësishëm 3-pikëshin e parë
Për ndihmëstrajnerin e kolonjarëve, Sokol Hitaj, fitorja e së shtunës me një ekip pretendent, siç është Besëlidhja, duhet vlerësuar si shumë e rëndësishme, sepse do të ndikojë fuqishëm në vazhdimësinë e kampionatit. “Ishte një fitore që na bën të ndihemi superiorë,” – thekson Hitaj për “Sportin shqiptar”.
Gramozi la pas humbjen e Pukës dhe me fitoren lezhjanëve është kthyer në linjën e pretendentëve, por tani kërkohet ruajtja e ritimit. Në ndeshjen e fundit, djemtë e drejtuar nga Qirjako dhe Hitaj shfaqën vlerat e tyre më të mira. Gramozi krijoi shumë raste dhe shënoi dy gola, por ajo që kënaqi me tepër ishte loja e tij harmonike.
“Nuk ka dyshim që fitorja ishte e merituar dhe për më tepër ka ardhur në momentin e duhur. Ishim përgatitur gjatë për atë ndeshje dhe ia arritëm qëllimit për të marrë tri pikët. Besëlidhja na vuri në vështirësi, sidomos në minutat e para, kur mbrojtja tepër e ngjeshur nuk na lejoi të dilnim në lojën tonë. Pas minutës së 30 të ditëm ta administronim shumë mirë lojën dhe për rrjedhojë arritëm edhe fitoren e parë,” – thotë më tej zv/trajneri i Gramozit. Ai parashikon një rezultat pozitiv në Fier, ku kolonjarët do të luajnë ndeshjen e radhës me Apoloninë vendëse. “Për objektivin që kemi, nuk mund të mbështetemi vetëm te fitoret në fushën tonë.
Për superligën kërkon patjetër fitore jashtë. Me Besëlidhjen dhamë një sinjal pozitiv dhe besoj se Gramozi do ta ruajë ritmin. Nuk ka vend për eufori. Kemi përpara transfertën shumë të vështirë me Apoloninë, që mendoj se mund ta kalojmë me sukses. Në Fier është shumë komode të luash futboll të bukur dhe ne do të shkojmë atje me mendimin se do të marrim atë që do të japim në fushë.
Për këtë nevojitet impenjim maksimal nga të gjithë dhe në çdo moment. Besoj se të gjithë futbollistët tanë janë të ndërgjegjshëm për vështirësitë që i presin, por, duke punuar në grup, ata do të dalin fitimtarë edhe në trasferta. Duhet të tregojmë se e meritojmë superligën,” – ka përfunduar Hitaj.
http://www.sportishqiptar.com.al/fitorja-me-beselidhjen-ne-momentin-e-duhur/