Home Lajme Sport Francë, Marseja nis mbrojtjen e kurorës

Francë, Marseja nis mbrojtjen e kurorës

269
0

Fillon sot sezoni 2010-2011 i kampionatit francez. Marseja është kampione në fuqi. Lioni pretendon…

Stiv Mandanda është shumë i karikuar për fillimin e këtij sezoni dhe ka këmbëngulur se Marseja do të bëjë atë që duhet për të mbrojtur titullin kampion në Ligën 1. Kampionët në fuqi e hapin sezonin sot me ndeshjen kundër Kaenit të sapongjitur në kategori, ku fitorja do të jetë e padiskutueshme për djemtë e Deshampit.

Pasi ka duruar 18 sezone për të fituar titullin kampion në Francë, Olimpiku i Marsejës do të bëjë çmos të ruajë kurorën, ndërkohë që ndryshimet e pakta në skuadër bëjnë që ata të jenë favoritët kryesorë edhe këtë sezon. “Ne jemi të gatshëm t’ia nisim”, ka thënë Mandanda.

“Do të ishte mirë që të bënim një sezon si i vjetshmi, prandaj fillimi i mirë gjysma e punës. Ne e dimë se të gjithë presin shumë prej nesh, madje këtë vit edhe më shumë se herët e tjera. Na takon neve që të jemi më të vendosur se të tjerët për të fituar përsëri titullin. Si kampionë, jemi më të favorizuar se të tjerët. Mentalisht jemi 100% gati për të nisur sezonin e ri dhe secili dëshiron të arrijë diçka edhe këtë vit.”

Por mbi Marsejën duket një re në horizont, pasi sulmuesi Mamadu Niang ka thënë ditët e fundit se dëshiron t’i bashkohet turqve të Fenerbahçesë. Ai ka një kontratë me Marsejën deri në vitin 2014 dhe vjet ka qenë golashënuesi i ligës me 18 gola. Presidenti i Marsejës, Zhan Klod Dasier, deri tani ka qëndruar i fortë dhe nuk e ka shitur lojtarin, duke thënë se do të donte ta kishte edhe për një sezon, por dëshira e lojtarit për të lëvizur është një lajm i keq për tifozët e Marsejës në prag të sezonit të ri. Mandanda, megjithatë, nuk është shpërqendruar nga spekulimet.

“Unë nuk kam shumë besim tek ajo që thonë mediat, pasi do të shohim në fund se çfarë do të ndodhë. U takon drejtuesve të vendosin”, ka thënë ai në faqen wb të skuadrës. Lioni e nis sezonin sot me ndeshjen kundër Monakos me një skuadër që synon të imponohet sërish në kampionatin francez pas dy sezonesh pa trofe.

“Les Gones” e fituan titullin për shtatë sezone radhazi para se sundimi i tyre të perëndonte me titullin e fituar nga Bordoja, ndërkohë që një rinovim modest i stadiumit “Stade Gerland” sikur u ka dhënë më shumë shpresa të gjithëve për rikthimin e lavdisë. Trajneri Klod Puel ka pasur një skuadër të fortë edhe vjet, ndërkohë që këtë vit ka blerë Xhimi Briandin nga Rena. “Pas një muaji të gjatë përgatitjesh, mezi presim t’ia nisim si duhet”, ka thënë mbrojtësi i Lionit, Ali Sisoko.

“Kemi një skuadër cilësore, me lojtarë të fortë teknikisht. Ne e qarkullojmë topin shumë më mirë tani dhe e gjejmë njëri-tjetrin në fushë lehtësisht. Trajneri është fokusuar te teknika duke u përpjekur të mbulojë mangësitë që kemi pasur. Tani do të jemi më të saktë para porte. Shpresojmë që gjërat të ecin si duhet që në ndeshjen e parë.” Bordoja këtë sezon do të jetë pa trajnerin Lorent Blank dhe pa sulmuesin maroken Maruan Shamakh dhe kundërshtari i saj do të jetë Montpeljeja, befasia e sezonit të vjetshëm.

Trajneri i ri i Bordosë, Zhan Tigana, ka përpara një detyrë të vështirë të ringritjes së një skuadre të fortë pas largimit të Blankut, i cili u largua në fund të sezonit të shkuar dhe mori drejtimin e skuadrës përfaqësuese të Francës pasi Rajmond Domenekut i mbaroi kontrata me Federatën Franceze. Humbja e sulmuesit Shamakh, që shkoi te Arsenali, ka lënë një hapësirë në sulm dhe do të jetë e vështirë të mbulohet.

Okseri, që zuri vendin e tretë vjet, duke arritur edhe në raundet kualifikuese të Ligës së Kampionëve, e nis sezonin me ndeshjen kundër Lorienit, ndërsa Lila, që do të luajë në Ligën e Europës, do të luajë në transfertë sot kundër Renës.

Debutuesit e Arles Avinjodhe Brest e nisin sezonin në Ligën 1 kundër Soshosë dhe Tuluzës respektivisht, kurse Lens luan kundër Nansisë. Nisa pret Valonsienin, ndërsa Sënt Etieni është në transfertë në fushën e Paris Sën Zhermenit.

Blanku bën gati “listën e zezë”

Trajneri i kombëtares franceze, Loren Blank, ka përpiluar një listë me futbollistët që nuk do t’i grumbullojë gjatë eliminatoreve të kampionatit të ardhshëm europian. “Ndaj Norvegjisë mora një masë drastike, duke i lënë të gjithë jashtë, por jo të gjithë janë fajtorë. Ajo që ndodhi në Afrikën e Jugut është e paprecedentë, por ata që s’kanë faj do të rikthehen në kombëtare,” – tha trajneri të ri të Francës, i cili mori vendin e Rajmond Domenkut pas kaosit të “gjelave” në Kupën e Botës. Sipas gazetës “L’Equipe” futbollistët që do të përjashtohen janë Nikolas Anelka (shkaktari i rrëmujës), Patris Evra (kapiteni i ekipi) dhe treshja me influencë në ekip Riberi-Tulalan-Abidal.



http://www.sportishqiptar.com.al/france-marseja-nis-mbrojtjen-e-kurores/