Home Aktualitet Frika e borxhit, rënie pikiatë në bursat e botës

Frika e borxhit, rënie pikiatë në bursat e botës

329
0

Tregjet europiane dhe ato në të gjithë botën kanë shënuar një rënie pikiatë të lidhur kryesisht me frikën e një vale të re recesioni dhe me uljen e vlerësimit për borxhin kombëtar amerikan nga “Standard & Poor’s”.Rënia e vlerësimi maksimal me tre A do të thotë se marrja e kredive për SHBA-të tani do të jetë më e shtrenjtë. Ndërkohë, “Piazza Affari” në Milano ka humbur 2,35 për qind, e tërhequr në kufijtë minimalë nga “Wall Street”, i cili vazhdon rënien pikiatë pas uljes së vlerësimit për SHBA-të nga “Standard & Poor’s”. “Dow Jones” u hap keq, me -1,95 për qind dhe rënia vazhdoi deri në -3,21 për qind, pasi “Standard & Poor’s” e mbrojti vendimin e saj për të ulur vlerësimin për borxhin e brendshëm amerikan. Të gjitha bursat kryesore në Europë kanë shënuar rënie, duke çuar ekspertët të vlerësojnë se vetëm gjatë humbjeve të fundit, Europa ka djegur 197 miliardë euro. Janë mbyllur negativisht të gjitha qendrat kryesore të bursave në Europë: Frankfurti humbi 5,02 për qind, Parisi 4,09 për qind, Londra 3,39 për qind, Athina 6 për qind. Situata nuk ishte kështu gjatë hapjes së tregjeve të hënën në mëngjes. Me gjithë goditjen e madhe që bëri ulja e vlerësimit të ekonomisë amerikane nga “Standard & Poor’s”, reagimet ishin të ndryshme në botë. Tregjet aziatike kanë regjistruar të gjitha mbyllje shumë negative, ndërsa në Europë ekzistonte ende besimi se situata do të përmirësohej, me gjithë uljet dhe ngritjet e herëpashershme. Influencën pozitive në tregjet europiane e kishte bërë deklarata e Bankës Qendrore Europiane për të mbështetur ekonomitë e vendeve anëtare më në rrezik duke blerë bonot e vendeve të tyre, përfshirë Italinë dhe Spanjën. Bursat në Milano dhe Madrid ishin të parat që shënuan rritje të ndjeshme pas kësaj deklarate. Më pas euforia ra dhe tregjet nisën të shënonin rënie.
Wall Street
Pasi ka nisur me rënie prej rreth 2 përqindësh, Wall Street e kishte rikuperuar situatën duke krijuar përshtypjen se një rrëzim i ndjeshëm mund të evitohej. Megjithatë, më pas grafikët kanë nisur rënien e ndjeshme. Në veçanti bursa “Dow Jones” ka humbur 3,21 për qind, Nasdaq humbi 4,12 për qind, S&P humbi 3,72 për qind.
Tregjet aziatike
Rihapja e tregjeve aziatike ka konfirmuar frikën e mosbesimit të operatorëve pas humbjes së vlerësimit me tre A për SHBA-të. Bursat e kësaj zone kanë regjistruar një rënie të fortë duke mos dhënë kredit të mjaftueshëm mbi hipotezën e një dobësimi të ekonomisë botërore pas takimit të jashtëzakonshëm të G7-s, që u mblodh në përpjekje për të gjetur zgjidhjen e situatës. Në Tokio, treguesi “Nikkei” u mbyll me -2,18 për qind. Treguesi i tregjeve në Shanghai ka parë një rënie prej 3,79 përqindësh.

197 miliarde
euro ka humbur Europa gjatë rënies së fundit të bursave në të gjithë kontinentin, sipas vlerësimit të ekspertëve financiare

Panorama ONLINE