Regjistrimi i popullsisë, i cili për herë të parë do të përfshijë edhe kombësinë dhe fenë, ka marrë së fundmi një vëmendje të madhe mediatike e publike. Në tërësi ka një qëndrim kundër kësaj forme regjistrimi, përveç qeverisë, që e gatoi dhe opozitës, e cila vetëm këtë bëmë të qeverisë nuk quan kusari. Historikisht, nga viti 1990, politika shqiptare ka qenë impotente karshi Athinës dhe ajo nuk refuzon dot as ushqimet e skaduara, nëse ato kanë etiketë greke, e jo më çështje kaq të rëndësishme për nacionalistët në Athinë. Kontestimi që i bëjnë historianët dhe në përgjithësi shoqëria shqiptare, buron nga frika se shteti helen, me kalin e Trojës të modifikuar si ndihmë ekonomike, mund të bëjë që në Shqipëri të dalin çereku i popullsisë me kombësi greke dhe pastaj Athina do të kërkojë edhe çerekun e tokës tonë.
Në defterë, kur shqiptarët të pyeten se çfarë ndjehen, mund të dalë se vetëm ndoca kokrra ndjehen shqiptarë, pasi të tjerët mund ta ndiejnë veten grekë, italianë, gjermanë, senegalezë, amerikanë apo edhe UFO. Por, sado ngazëllyese të jetë kjo për grekët, në librat e shtetit, në regjistrin kombëtar të Gjendjes Civile, tashmë edhe elektronik, çdokush do të mbajë kombësinë që ka, i pëlqen apo jo, ndjehet apo jo shqiptar. Qeveritë, si ajo shqiptare ashtu edhe ajo greke, e dinë shumë mirë se kombësia nuk përcaktohet nga fakti se çfarë ndjehesh ti, ajo as merret e as lihet me dëshirë, ajo trashëgohet nga të parët dhe është pasaporta e gjenit të çdo njeriu e çdo populli. Ky regjistrim, çfarëdo rezultati të prodhojë, do të ketë vlerë vetëm për mediat greke, por kurrfarë vlere zyrtare dhe statistikore, ndaj dhe nuk kishte pse ndërmerrej. Shtetësinë mund ta ndryshojë vetëm gjykata, bazuar në prova dhe fakte, ndaj dhe ky lloj regjistrimi, sikur po numëron delet në vathë, është sa aprofesional, aq i pavlerë e i panevojshëm.
Ndërkohë, tollovia publike për ta kontestuar atë po nxjerr në sipërfaqe një problem edhe më të madh se rreziku nga nacionalizmi grek apo nga asimilimin kombëtar, siç janë shprehur disa. Dhe, ky nuk është më një problem grek!
Me pak fjalë, ne sot po bëjmë gurgulenë sepse kemi frikë ngaqë shumë shqiptarë, me vullnetin e tyre të lirë, do të thonë se ndjehen grekë kur t’i japin formularin për të plotësuar. Pra, jo se dikush po na sulmon kufirin apo po na pushton tokën tonë, por ne po japim alarmin se ne nuk kemi siguri nëse shqiptarët vazhdojnë të ndjehen ende shqiptarë. Dhe nëse është vërtet kështu, a është ky faji i grekëve? A është faji i grekëve që ne kemi frikë të vëmë në provë dinjitetin tonë kombëtar, kemi frikë se mos na ngatërrohet dora e në vend të kombësisë shqiptare shkruajmë kombësinë greke? Po ç’dreq kombi jemi ne atëherë, që luftojmë në Shkup për një kala ilire, që krenohemi me historinë tonë, me këngët dhe eposet, me të shkuarën e lavdishme dhe epokat e arta historike? Pse na u dashka t’i mbushim mendjen me libra historie botës mbarë se jemi populli më i vjetër i Ballkanit, se jemi ne nga të cilët kanë rrjedhur edhe grekët e lashtë, kur ne pasuesit e këtyre njerëzve krenarë paskemi nxjerrë kombësinë në pazar për ta shkëmbyer me ç’të na japin? Më shumë se rezultati i atij regjistrimi dhe shpërdorimi politik që mund t’i bëjnë qarqet e egra shoviniste greke, ne duhet të na trembë frika që po ndjemë, se shqiptarët qenkan gati ta mohojnë identitetin e tyre me thirrjen e një palo konsulli apo një plagu si Nikolla Gejxhi, të cilit i ka mbetur ora në vitin 1946. Nëse ne realisht mund ta mohojmë në mënyrë masive se jemi shqiptarë, edhe me motivin e të qenit të varfër, atëherë jemi vërtet në nivelin e asimilimit, por sërish jo për faj të grekëve. Në fund të fundit, ata po na vënë në provë.
Pra, a është reale tërë kjo frikë, a duhet të trembemi ne sot nga asimilimi vullnetar i identitetit kulturor e kombëtar, kur për 500 vjet nën pushtimin osman e ruajtëm atë? E ruajtëm gjuhën kur ishte e ndaluar ta flisnim, e shkruam atë kur ishte krim ta bëje. Ndërsa sot po frikësohemi si lugetër se shqiptarët do të dorëzojnë vullnetarisht kombësinë e tyre për të marrë atë të vendit fqinj, pa e ditur se ata që kanë punuar e lënë kockat fushave e maleve greke, e urrejnë atë emër më shumë se edhe nacionalistët më të sëmurë në Shqipëri. Edhe në pastë nga ata që do ta bëjnë këtë, dhe do të ketë disa, le ta bëjnë. E cilit kombi i duhen vallë këta njerëz? Në ka të tillë që e shesin kombësinë për një torbë fasule, le ta shesin dhe të quhen ç’të duan, pasi ata nuk i hyjnë në punë asnjë kombi, e as grekëve. Ky vend sot nuk ka nevojë për lapangjozë, por për njerëz që ndjehen shqiptarë, që e duan dhe punojnë për vendin e tyre. Këtij vendi i dihen njerëz që ta kuptojnë se në kohën kur historia po punon për ne me tërë forcën e saj dhe kur në krah kemi superfuqinë e botës, ne po e çojmë dëm këtë pjesë të historisë, e cila nuk përsëritet kurrë dy herë njësoj.
Ndaj, në vend të demonstrimeve patetike të ca organizatave rinore atdhetare, ne duhet t’u apelojmë shqiptarëve me forcë që ta bëjnë atë formular të pavlerë për nacionalistët e sëmurë grekë, t’i ftojmë ta shndërrojnë regjistrimin e popullsisë në një demonstrim të identitetit tonë kombëtar, duke i dhënë një shuplakë të fortë si Gejxhit dhe gejshave konsullore, ashtu edhe qeverisë shqiptare dhe tërë klasës sonë politike të tredhur me pinca “Made in Grece”.
Dhe, së fundmi, meqë ky regjistrim do të bëhet, mirë do të ishte që përpos fesë e kombësisë të shënohej edhe partia, për të mësuar se sa shqiptarë janë demokratë dhe sa janë socialistë, pavarësisht nëse janë shqiptarë-romë, shqiptarë-arixhinj, shqiptarë-grekë apo shqiptarë-shqiptarë. Kështu ndoshta e shuajmë edhe këtë sherrnajën e madhe që po na ha kokën, po na shkatërron vendin dhe po na bën gazin e botës.
e drejte po shumica tek ne jane katu-nari !!!! ku dine ata per se behet fjale ? E bukur eshte po qe greke dhe si e tille dhe e skaduar prape eshte e mire ….!