Home Lajme Sport Futboll – Veriu i Shqiperise ne kryengritje

Futboll – Veriu i Shqiperise ne kryengritje

614
1

Udhëtim në zonat ku është e vështirë të gjesh 10 dynymë “dyst” për një fushë futbolli

Qetësohuni njerëz, nuk bëhet fjalë për luftë! Është një “kryengritje e butë”, ashtu si mund ta bëjë sporti e veçanërisht futbolli, që përpiqet të zaptojë zonën veriore të vendit, aty ku qoftë edhe për karakteristikë relievi, vështirë t’i gjesh 10 dynymë “dyst” për një fushë futbolli. E megjithatë, “kryengritja” ka filluar. Diku-diku, suksesshëm e premtuese

Burreli

Një skuadër futbolli me histori, jo vetëm për emrin që ka krijuar – dikur “31 Korriku”, që të paktën deri më 1998-1999 ka qenë dhe mes më të mirëve të kampionatit – por dhe për lojtarët e saj. Spikat legjenda Dali Farruku. Në krahinë, të paktën deri para disa vitesh, është luajtur futboll edhe në Klos, që sot s’ekziston.

Bulqiza

Për shkak të minierave të kromit duhet të ishte skuadra që duhet të kishte qëndruar të paktën në Kategorinë e Dytë. Dikur e ka patur emrin “18 Shkurti” dhe mblidhte lojtarë nga e gjithë Shqipëria, jo vetëm si minatorë, por dhe si ushtarë. E sot mes shumë “hallesh” e kanë harruar se është luajtur futboll.

Peshkopia

Korabi ka histori sepse gjithnjë ka qenë në Kategorinë e Dytë. Në sezonet 1962-1963 ka qenë dhe në Kategorinë e Parë. Një skuadër që më së shumti importonte drejtues e lojtarë nga kryeqyteti, sidomos futbollistë të 17 Nëntori. Në brezin e fundit kanë pas qenë Konçi, Armadhi, Sharra, Rroga, Deliallisi, Mërgjyshi. Si legjenda njihen Taxhedin Shehu dhe Kastriot Toska.

Rrësheni

Kampione në volejboll për femra, por në futboll emri i saj është harruar. Edhe pse ka një stadium të mirëfilltë – vjet e pat shfrytëzuar në maksimum Rubiku – nuk ka kush ta ngrejë një skuadër futbolli. Ndonëse bëhen përpjekje për të krijuar skuadra moshash, por që Minatori i Rrëshenit ka kohë që nuk është më.

Kruma

Në të gjithë historinë e futbollit hasian, sezoni më i fundit i Pashtrikut në Kategorinë e Dytë është ndër më të lavdishmit të kësaj krahine. Fakti që Kukësi përmblidhej historikisht me Përparimin, sikur e linte mënjanë këtë zonë, që gjithsesi ka gjetur mundësinë, nëpërmjet Pashtrikut, të jetë në futboll.

Bajram Curri

22 vjet të shkuara, futbolli luhej dhe në Tropojë. Valbona, edhe pse në Kategorinë e Tretë fillimisht e më pas në të Dytën, e kishtë vënë emrin e saj. Ashtu sikurse në basketboll për meshkuj. Mirëpo historitë u rrokullisën dhe për rrjedhojë, ndonëse gjeografia e futbollit e do dhe një skuadër në Tropojë, Valbona ka humbur…

Shëngjin

Në 1997, në Shëngjin qe krijuar një skuadër futbolli me emrin Porto. Një skuadër, e cila luante në Kategorinë e Dytë, që përballej dhe denjësisht me Besëlidhjen, duke u ndeshur me të “si macja me miun”. Por ekipi humbi, kurse rikthimi i një futbollisti si Salvador Kalaj bëri bujë.

Malësia e Madhe

Hë për hë, përfaqësohet vetëm me Veleçikun e Koplikut, skuadra e kryeqendrës së Malësisë së Madhe. Mirëpo futboll është luajtur dhe në Bajzë, në nivele amatore, ashtu sikurse është luajtur dhe në Stërbeq, kjo e fundit deri në vitet 1997, në Kategorinë e Dytë. Këto dy skuadra humbën dhe për “fare” është vetëm Veleçiku.

1 COMMENT

Comments are closed.