Home Lajme Sport Futbolli i sotëm ngatërron për bukuri humbjet dhe dështimet

Futbolli i sotëm ngatërron për bukuri humbjet dhe dështimet

386
0

Nga Gëzim SINEMATI…………………………….

Le të kujtojmë fjalët e trajnerit të Udinezes, Guidolin, pas humbjes me Interin, afro një javë më parë: “Kemi humbur për shkak të niavitetit tim! Duhet të kisha futur në lojë dy lojtarë nga krahët”. Deklaratë, që nuk ke shansin më të vogël ta dëgjosh nga trajnerët e kampionatit shqiptar. Kur humbasin, japin dy versione të disfatës; shkarkojnë mllefin tek arbitri, ose te futbollistët. Ndodh ndryshe në rastin e fitores; edhe kur “golin” e ka bërë presidenti. Si fitues, trajnerët tanë shndërrohen në bamirës, duke bërë lajka edhe për kundërshtarin. Një javë më parë, kur Shkumbini mundi Skndërbeun, disa mendonin se triumfi ishte “magjia” e trajnerit të sapoardhur, Agim Canaj, madje ishin gati të bënin tifo për largimin blic të trajnerit Mirel Josa. Të mësuar me shkarkime, nuk patëm kohë as të pyesnim: “Pse e larguan Josën sa hap e mbyll sytë? Cili e ka radhën pas tij?” Edhe trajneri, që zuri vendin e tij, nuk pati frikë për një të nesërme të ngjashme. Ata që humbasin stolin, kanë strategji të ndryshme; disa presin dështimin e kolegut në hije, kurse të tjerë japin opinione “falas” nëpër ekrane, duke pritur momentin fatlum. Por ka një paradoks spektakolar midis njerëzve të stolit: ata që ndërrojnë shpesh ekipe, nuk janë më pak të paguar se ata që i mbijetojnë “cunamit” të presidentëve. Trajnerët që kanë fatin të parashutojnë në ekipe të ndryshme, brenda sezonit, kur i pagëzon edhe viktima, bashkojnë këstet e para, duke treguar se kostoja e shkarkimit nuk mund të konvertohet me lotë.

Thuhet se trajnerët, kur ka qenë të pavarur dhe më të varfër në para, ishin më të pasur në sinqeritet. Futbolli i sotëm ngatërron për bukuri humbjet dhe dështimet. “Ka humbje, që vlejnë më shumë se sa fitoret,” ‑ thotë me ironi trajneri rrebel, Zeman. Brenda kësaj logjike, le të marrim një shembull nga Seria A, kur  trajneri e “menaxhon” për bukuri disfatën e turpshme. Ranieri i Romës, pas 5 golave që grumbulloi me Kaljarin, pati luksin të thotë: “Më mirë që ndodhi kështu, sepse golat do t’i ndajmë të gjithë bashkë”. Sikur ta kishte thënë këtë frazë ndonjë trajner shqiptar, do të kërkonim më me ngul që makinat e ambulancës të mos mungonin në stadiume. Në futbollin, ku reklamat dominohen me “Bet” kështu…, dhe “Bet” ashtu, fitorja me humbjen, nga pikëpamja financiare, nuk gjykohen si vite më parë. Do të ishte një gabim naiv që për çdo humbje të qanim. Ktheni kokën nga tribuna dhe shikoni presidentët. 

Por mos të kalojmë kufirin pa “vizë” dhe të kthehemi tek trajnerët tanë. Tek ata që nuk thonë dot se “këtë herë humbëm për fajin tim”. Kështu, Canaj mendon se Dinamo ka fituar në saj të arbitrit me Shkumbinin. Shkëlqim Muça, një vit më parë, dinte të shpjegonte vetëm fitoret e Dinamos dhe, kur mbeti hapur “saraçineska” e humbjeve, ngushëllohej me frazën fikse se “çunat kanë humbur motivimin”. Apo duhet të besojmë trajnerin Kuzhe që, pasi kalon disa javë si “hero”, për fitoren e vogël me Luksemburgun, shfaqet dhe deklaron: “Do t’ju tregoj pse nuk më pëlqeu loja me Luksemburgun”.

 

 

 



http://www.sportishqiptar.com.al/futbolli-i-sotem-ngaterron-per-bukuri-humbjet-dhe-deshtimet/

1 COMMENT