Home Aktualitet Gabimet në formularin A2, MASH: Rregullohen deri në 5 gusht

Gabimet në formularin A2, MASH: Rregullohen deri në 5 gusht

377
0

Gabimet që mund të bëjnë maturantët në plotësimin e formularit A2, do të mund të korrigjohen vetëm brenda datës 5 gusht, afati i fundit ky nga ministria e Arsimit. Pas kësaj datë, nëse konstatohen gabime formularët quhen të pavlefshëm, dhe të rinjtë humbasin të drejtën e studimit. Gjatë një interviste për AS, drejtori i Agjensisë Kombëtare të Provimeve Alfons Harizaj, thotë se kandidatët duhet të kenë shumë kujdes në renditjen korrekte të lëndëve me zgjedhje, pasi është shumë e vështirë të kryesh veprime në sistem.

“Vetë sistemi, aplikimi online është që në çdo rast të udhëzon dhe të jep nëse ti aplikove saktë dhe vetëm kur aplikon saktë ai nënshkruan dhe  të nxjerr kopjen e printuar të aplikimit. Nëse te kopja e printuar kandidati sheh që diçka nuk shkon sipas asaj që ka përzgjedhur mund të korrigjojë dhe përsëri aty në atë moment i jepet e drejta të nënshkruajë saktë aplikimin e vet”, tha Alfons Harizaj, drejtor i Agjensisë Kombëtare të Provimeve.

Ndërkohë, pas datës 5 gusht do të vendosë ministria e Arsimit thotë Harizaj, nëse do të ketë një datë të dytë për plotësimin online të formularit A2.

“Ne kemi të gjitha mundësitë të realizojmë të gjitha aplikimet brenda afatit të datës 5 gusht. Nëse do të ketë për arsye objektive raste që do të kërkojnë të plotësohet formular A2, atëherë ne do ta shqyrtojmë dhe me komision të veçantë ne do të vendosim për mënyrën e aplikimit këtë rast”, tha Harizaj.

Aktualiasht, formularin A2, që i hap rrugë maturantëve për të konkurruar në universitetet publike e kanë plotësuar rreth 70 për qind e të rinjve, nga të cilët rreth 3000 synojnë të studiojnë në universitetet jashtë vendit.

Edlira Sulejmani