
Policia nxjerr për herë të parë të dhëna mbi familjet e ngujuara. “Top Channel” zbardhi dje një dokument të përpiluar nga Policia e Shkodrës, ku jepet numri i familjeve dhe i personave të ngujuar në të gjithë qarkun. Por këto të dhëna të dokumentit të parë zyrtar mbi fenomenin nuk përputhen me të dhëna të nxjerra nga hulumtime të pavarura në zonë.
Dokumenti
Policia e Shtetit ka të evidentuara 200 familje në hasmëri për Qarkun e Shkodrës, Pukës dhe Malësisë së Madhe, prej të cilave rezultojnë, sipas Zyrës së Informacionit të Përpunimit Kriminal, 116 persona të ngujuar. Për herë të parë, Policia e Shtetit prodhon një dokument zyrtar, të tillë për të treguar situatën që vjen për shkak të konflikteve dhe gjakmarrjes. Ky dokument, sipas informacioneve të mbledhura në rrugë operative nga agjentët e policisë kriminale, evidenton se për Qarkun e Shkodrës ndodhen të ngujuara 48 familje, me 116 pjesëtarë, prej të cilëve 21 fëmijë nuk shkojnë në shkollë për shkak të ngujimit, ndërsa dy të rinj kanë ndërprerë studimet e larta për shkak të gjakmarrjes.
Ajo që vihet re nga të dhënat e Policisë së Shtetit është se për Qarkun e Pukës janë 47 familje në hasmëri, prej të cilave asnjëra prej tyre nuk është evidentuar si e ngujuar, ndërkohë që pjesa më e madhe e këtyre hasmërive rezultojnë nëpër komuna. Në dokumentin që “Top Channel” disponon, evidentohen të dhënat familjare të të dyja familjeve që janë në gjakmarrje, si të familjes së ngujuar edhe të familjes tjetër, mosha e meshkujve të ngujuar, vitet kur ka nisur gjakmarrja dhe shkaku, se përse secila prej familjeve ndodhet në gjakmarrje.
Në vend të parë, sipas analizave të policisë, ndodhet Rrethi i Shkodrës, me 122 familje në hasmëri dhe të gjithë fëmijët e ngujuar që nuk shkojnë në shkollë, i përkasin këtij qarku. Nga Shkodra janë edhe dy studentët që kanë ndërprerë shkollën.
Mospërputhjet
Të dhënat e policisë mbi gjakmarrjen nuk përputhen me të dhëna të tjera të mbledhura në mënyrë të pavarur për të njëjtin fenomen. Tri vjet më parë, organizata “Forumi i Mendimit të Lirë”, me mbështetjen e ambasadës amerikane, prodhoi bazën e parë të të dhënave për familjet e ngujuara, duke konkluduar se në Qarkun e Shkodrës ishin të ngujuara 84 familje. Numri i familjeve të ngujuara që jep policia është më i ulët, ndërkohë që bie në sy edhe fakti se në vitin 2010 ka pasur konflikte të reja që kanë shtyrë drejt ngujimit disa familje.
Ndërkohë, një mësuese që kujdeset për fëmijët e ngujuar në Shkodër, i tha dje emisionit “Fiks Fare” një shifër gjashtë herë më të lartë se ajo e policisë për fëmijët e ngujuar. Zonja Liljana Luani, mësuese vullnetare për fëmijët e ngujuar tha se në Shkodër numërohen 120 fëmijë të ngujuar. Mësuesja e shkollës 9-vjeçare “Pashko Vasa” të Shkodrës tregon se gjendja është shumë e rëndë dhe të vjen keq kur institucionet përpiqen ta fshehin të vërtetën. Ajo flet më bindje si njohëse e mirë e këtij fenomeni. E njeh zonën pëllëmbë më pëllëmbë, shërben prej vitesh si mësuese vullnetare dhe thotë me keqardhje se ka për ta bërë edhe për shumë kohë.