Askush nuk do ta marrë vesh kurrë sesi nisi gjithçka dhe në njëfarë mënyre, konflikti paraprak as që ka më rëndësi tashmë që është derdhur shumë gjak. Por, në mes është Ismeti. Ai së shpejti do të bëhet 16 vjeç, gjë që përbën një problem. Kjo do të thotë se ai duhet të mbajë peshën e trashëgimisë së familjes dhe të përgjigjet për të. Ai duket i pashqetësuar ndërsa i afrohet derës së shkollës në një fshat pak kilometra larg Shkodrës, qyteti më i madh në veriperëndim të Shqipërisë. Para se të nisë historinë, ai ecën përgjatë rrugës, larg syve të nxënësve të tjerë. Ismeti flet me sytë përdhe. “Nuk di se çfarë të them. Po fajësohem për diçka që nuk e kam bërë”, nis të rrëfejë ai. Problemet e tij vijnë për shkak të të atit. Në korrik 2001, ai u përfshi në një konflikt me dy vëllezër në një fshat fqinj për një copë tokë, në të cilën ai dyshohej se kishte kaluar kufirin. Nuk kishte pasur më parë grindje mes dy familjeve, por fyerjet dhe kërcënimet degjeneruan në dhunë. Pasi vrau të dy vëllezërit, babai i Ismetit u fsheh në male për dy vjet. I gjykuar në mungesë, ai u dënua me burgim përjetë dhe më pas u arrestua. Drejtësia e shtetit e tha fjalën e saj, por jo ajo private. Gjatë 10 viteve të fundit, familja e dy vëllezërve të vrarë ka kërkuar hakmarrje. Shqipëria që shpreson të anëtarësohet në BE është ndarë në mënyrë radikale nga e kaluara komuniste e saj. Por gjakmarrja, një nga traditat më të rrënjosura, është ende gjallë dhe kërkon të marrë hak dhëmb për dhëmb, duke krijuar kështu një spirale të përgjakshme dhune.
Vetëm një fyerje apo shkelje e kurorës mund të justifikojnë derdhjen e gjakut. Kodi shekullor Kanuni, që ka “qeverisur” jetën rurale në Shqipëri në pesë shekuj, ende mbahet në këmbë veçanërisht në zonat malore. Ky sistem kompleks i ligjeve të tij dikur ka drejtuar çdo pjesë të jetës: trashëgiminë, tregtinë, martesën dhe krimet. “Kanuni ka mbijetuar kaq gjatë, sepse ishte një mënyrë e ruajtjes së identitetit kulturor dhe ligjor”, thotë shkrimtari Besnik Mustafaj. Në Tiranë, antropologu Nebi Bardhoshi e përshkruan atë si një formë të opozitës ndaj çdo forme të ligjit të shtetit, jo vetëm të ligjit otoman.
“Kanuni ka lidhje me fenë e gjakut, nga e cila gjakmarrja është vetëm një aspekt”, shton ai. “Ligji bazohet në dy shtylla: trajtim i barabartë mes burrave dhe reciprocitet”. Ky sistem nuk parashikon masa për përshkallëzim pa fund. Përkundrazi, lë hapësirë edhe për ndërmjetësim, nëpërmjet të këshillit të pleqve.
Një premtim sigurie, thënë ndryshe “besa”, mund t’u jepet disa anëtarëve të klanit. Por tradita nuk po respektohet, tashmë gjithçka që mbetet është hakmarrja. “Pas vrasjes, shkova te familjet e dy vëllezërve dhe u thashë se nuk kishte probleme mes nesh dhe tyre, ndaj edhe mund të merreshim vesh për situatën”, thotë Kalter, gjyshi i Ismetit. “Por, ata nuk donin as të uleshin të bisedonin”, pohon ai. Gjyshi na mirëpret në shtëpinë e tij, ku jeton gruaja e tij si dhe Ina, nëna e Ismetit. Shtëpia është e vogël, por e mirëmbajtur. “Ismeti do të jetë 16 vjeç në janarin e ardhshëm dhe duhet të shkojë në shkollë në fshatin tjetër. Nuk dua që të jetë i rrezikuar, dua që ta çojmë jashtë”, thotë Ina. Çdo gjë ka ndryshuar në Shqipëri që prej rrëzimit të regjimit komunist. Krimi i organizuar ka lulëzuar dhe trafikimi i qenieve njerëzore gjithashtu me ndihmën e martesave të rreme, që në fillim duket se u japin shpresë familjeve të varfra.
Shumë konflikte kanë nisur për shkak të pronave. Autoriteti i qeverisë është sfiduar. Në vitin 1997, vendi për pak sa nuk shkoi drejt luftës civile pas rrëzimit të skemave piramidale.
Në atë kaos, në duart e publikut përfunduan shumë armë.
Pa asnjë mundësi për të vendosur të drejtën në vend, familjet iu rikthyen Kanunit. Kodi Penal shqiptar i referohet hakmarrjes si një vrasje e mirëmenduar dhe gjykatat ende nuk dinë si të zgjidhin punët me drejtësinë paralele. “Familjet e ndjejnë se duhet të marrin hak”, thotë Përparim Kulluri, prokuror publik në Shkodër. Kemi parë disa raste, ku të afërm të viktimave kanë dhënë dëshmi për ta liruar të akuzuarin, në mënyrë që ta zgjidhin vetë çështjen. Në vitin 2006 Liliana Luani, një mësuese në këtë qytet inicioi një organizatë për t’u kujdesur për fëmijët që vuajnë pasojat e Kanunit. Luani di 120 raste brenda dhe jashtë Shkodrës.
Organizata e saj siguron kujdesin, në mënyrë që fëmijët të studiojnë në shtëpi. Teorikisht, sipas Kanunit, fëmijët nuk mund të preken. “Por, rregullat e vjetra u zhdukën që prej rënies së komunizmit dhe tashmë që konfliktet janë rikthyer, as fëmijët nuk janë më të mbrojtur”, thotë Luani. “Kishte një rast në Shkodër, ku një burrë tentoi të vriste një fëmijë 3 vjeç”.
Sipas Komitetit Kombëtar të Pajtimit të Gjaqeve, rreth 1650 familje jetojnë në izolim, mbyllur në shtëpitë e tyre. “Shifra u rrit me 200 në vitet 2009-2010, sepse kishte familje që u kthyen në Shqipëri pasi nuk kishin siguruar dot azil në një vend perëndimor”, thotë kreu i komitetit, Gjin Marku. Në një raport të vitit 2010, UNHCR vlerësoi se numri i gjakmarrjeve kishte rënë, por pranoi se shifrat nuk ishin të plota. Komiteti thotë se kishte 95 vdekje në vitin 2010, 75 në 2009-ën dhe 9.870 që prej vitit 1990. Kryeministri Sali Berisha i sheh gjërat ndryshe. I lindur në Tropojë, ai beson se Kanuni ka meritat e tij. “Ai veproi si një mjet ligjor i fortë, duke vendosur vetëkontroll të pabesueshëm. Ka pak raste gjakmarrjesh sot, gjë që tregon se ligji i shtetit dominon”, thotë Berisha. “Kur krijova qeverinë në vitin 2005, kishte rreth 1800 vetë në burg, tashmë ka 5.000”. Shifra të tilla ndoshta janë ngatërruese. OJF-të e nxitura edhe nga banorët e fshatrave, kanë të vetmet organizma që bëjnë përpjekje për të zgjidhur konfliktet. Pajtimi është një proces shumë i vështirë. Sa më lart të ngjitesh në male, aq më thellë hyn në të shkuarën e vendit. E sa më shumë të preket brezi i ri nga hakmarrja, aq më shumë do ta humbasë Kanuni kuptimin e tij fillestar.
Ky artikull është botuar për herë të parë në gazetën “Le Monde”
Nga Piotr Smolar